2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

MPB i “ik” doganës, dhe i fut pasaportat “në të zezën”

Më të lexuarat

Dogana e Kosovës i ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme TVSH-në për importin e pasaportave biometrike, pasi ato ishin deklaruar vetëm si letër për printimin e pasaportave. Ministria e Punëve të Brendshme i detyrohet Doganës 354 mijë euro.
Në aktvendimin e Doganës, të siguruar nga RTK, shihen obligimet që dalin për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në aktvendim thuhet se auditimi i jashtëm ka konstatuar se me rastin e deklarimit të zhdoganimit të mallit nuk është vepruar drejt nga Ministria e Brendshme. Për më tepër aktvendimi sqaron se emërtimi i mallit si letër për printimin e pasaportave është dashur të emërtohet si dokumente identifikuese, pasaporta elektronike biometrike, ndërsa numri tarifor i mallit është dashur të jetë 4911 në vend të atij 4901. Ekzistimin e këtij aktvendimi e ka pohuar vetë zyrtarë të Doganës së Kosovës.

Zëdhënësi Adriatik Stavileci tha se Ministria i është shmangur detyrimit duke mos deklaruar mallin në mënyrën e duhur.

“Në dokumentin unik doganor paraqitet importues Ministria e Punëve të Brendshme dhe në bazë të ligjit ajo është e obliguar edhe për taksat”, shprehet Stavileci.

Ministri i Punnëve të Brendhsme, Bajram Rexhepi ndërkaq përgjegjësinë për rastin ia ka adresuar sekretarit të përgjithshëm.

Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përhershëm në MPB, Driton Gashi ka pranuar se ministria e ka marrë dokumentin nga dogana.

Sipas tij, Ministria nuk i është shmangur obligimit doganor. Ai thotë se ministria nuk është përgjegjëse për deklarimin e mallit, por kontraktuesi austriak për prodhimin e pasaportave.

Madje, sipas tij, tash e disa herë janë shfaqur probleme me këtë kompani për shmangie të tatimit, pasi në kontratë është e paraparë që kompania austriake t’i kryejë obligimet doganore.

Për më tepër, Gashi ka thënë se për shkak të problemeve të tilla, deri në fund të javës së ardhshme pritet të merret vendimi nëse do të vazhdohet kontrata me këtë kompani apo jo.

Skandali i ashtuquajtur i pasaportave dhe dëshmia e Natali Velijajt kanë nxjerrë shumë parregullsi në procesin e pasaportave biometrike të cilat tashmë janë duke u hetuar nga prokuroria, kurse Velijaj është duke u mbajtur në paraburgim.

Për këtë rast, janë pezulluar disa zyrtarë në Ministri të Brendshme, edhe pse me arsyetim tjetër. Velijaj pritet të japë gjatë kësaj jave intervistën e fundit para prokurorisë.

 

Rexhepi, deklaratë në EULEX për skandalin e pasaportave

Organet e drejtësisë e kanë shumë lehtë ta zgjidhin rastin e humbjes së 1.4 milionë eurove. I kanë krejt dokumentet dhe dëshmitë e nevojshme, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Rexhepi në një intervistë për “Express”, ka thënë se për këtë punë vullnetarisht ka dhënë edhe një deklaratë në EULEX.

“ Le t’i kapin përgjegjësit dhe t’i dënojnë. Nëse deri të premten nuk gjejmë zgjidhje me kompaninë austriake, shpallim tender të ri për prodhimin e pasaportave biometrike”, ka thënë ndër të tjera, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Se a dinë ministri se kush janë zyrtarët e përfshirë në këtë aferë, Rexhepi u shpreh “ Jo, nuk e di. Unë kam bërë një deklaratë vullnetare në Prokurorinë e EULEX-it, për t’i shpjeguar procedurat se si kanë shkuar, që ky rast të përfundojë sa më shpejt. Nëse dikush është i involvuar në korrupsion, ta marrë dënimin e merituar. Unë i kam hapur dyert për EULEX-in, kam insistuar që hetimet të kryhen sa më shpejt, dhe nëse dikush ka keqpërdorur, të ballafaqohet me drejtësinë. Të hapur jemi për gjithë dokumentacionin për procedurën e tenderit dhe çdo punëtor i MPB-së ka qenë i gatshëm për ballafaqim dhe hetime”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit