Disa nga fëmijët të cilët nuk po arrijnë të arsimohen, detyrohen që të kalojnë jetën e tyre në rrugët e qyteteve. Një numër i madh i fëmijëve bien në duart e trafikantëve të drogës
MAPUTO (AA) – Në Mozambik, shtet i cili ndodhet në juglindje të Afrikës, 2 milionë fëmijë kanë mbetur jetimë për shkak të luftës së brendshme e cila ka zgjatur 15 vite dhe si pasojë e fatkeqësive natyrore e sëmundjeve epidemike si AIDS, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas Fondit të Emergjencës të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) në Mozambik me një popullsi prej 25 milionësh, 2 milionë e 100 mijë fëmijë janë jetimë. Shumica e këtyre fëmijëve po strehohen në jetimoret e qyteteve dhe zonave rurale, në medresetë dhe në shkollat me konvikte.
Disa nga fëmijët të cilët nuk po arrijnë të arsimohen, detyrohen që të kalojnë jetën e tyre në rrugët e qyteteve. Një numër i madh i fëmijëve bien në duart e trafikantëve të drogës dhe të rrjeteve kriminale.
Në zonat rurale ku muslimanët dhe të krishterët jetojnë së bashku, disa familje krishtere të cilat nuk mund t’i mbikëqyrin fëmijët e tyre i dërgojnë ata në medrese ku fëmijët mund të jenë më të rehatshëm.
Shumica e këtyre medreseve të cilat po mundohen të ofrojnë edukim me ndihma të kufizuara, po ballafaqohen probleme financiare në aspektin e përmbushjes së nevojave të përditshme të fëmijëve.
Medresetë presin ndihma financiare
Edhe medreseja Darysselam në rajonin Matola të kryeqytetit Maputo, e themeluar nga një grup vullnetarësh, është një nga këto medrese.
Në këtë medrese ku edukohen rreth 180 fëmijë nga qyteti dhe rajoni, fëmijët po banojnë në dhoma të vogla prej 10 vetash.
Abdyl Nasir Ismail i cili ishte kthyer në shtetin e tij pas edukimit 8 vjeçar në Afrikën e Jugut, në vitin 2013 themeloi Medresenë Darysselam.
Për gazetarin e AA-së, Ismail tha se medreseja ofron edukim në kushte shumë të vështira.
Ai vuri në dukje se shumica e nevojave po përmbushen nëpërmjet donacioneve. “Ne kemi për detyrë që t’u japim ushqim fëmijëve tre herë në ditë. Për këtë arsye kemi nevojë për donacione dhe sponsorë të rregullt”, tha Ismail.
Sipas tij, shumica e atyre që jetojnë në rajonin Matola janë të krishterë, por familjet i dërgojnë fëmijët e tyre të mbetur pa baba në medrese për shkak se nuk janë në gjendje t’i edukojnë ata.
Duke theksuar se sëmundjet e ndryshme si AIDS janë një prej arsyeve kryesore që fëmijët po mbesin jetimë, Ismail tha se “Ndonjëherë ne e kemi të vështirë të blejmë edhe libra për fëmijë. Shkolla ka nevojë për rinovim dhe restaurim. Po ashtu duhet të blihen edhe materialet shëndetësore”.
Ismail bëri të ditur se në medrese përveç edukimit Islamik po mësohet edhe kurrikula mozambike.
“Dua të bëhem inxhinier”
Njëri prej fëmijëve i cili po banon në medrese, 10 vjeçari Alifu Adem tha se shokët e tij janë si familja e tij por që për t’i mësuar mësimet ka nevojë për laps dhe fletore.
Ai tha se po të kishte mundësi për shkollim do të dëshironte të bëhej inxhinier.
Sipas programit të përbashkët të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) HIV/AIDS (UNAIDS), në Mozambik tani ka 1 milionë e 500 mijë persona jetojnë me sëmundjen AIDS.