1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Moti ekstrem, kërcënim në rritje për komunitetet dhe ekonominë

Më të lexuarat

Gjatë gjysmë-shekullit të fundit, ngrohja globale ka sjellë fenomene ekstreme moti si për shembull periudha me temperature tepër të larta, apo rreshje të dendura. Ky është përfundimi i një raporti të ri nga Komisioni Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike. Ky komision, i ngritur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1988, paralajmëron se duhen marrë masa në të gjithë globin për të parandaluar katastrofa të tilla.


Fonemene të motit ekstrem u regjistruan në të gjithë botën gjatë vitit 2011. Bill Wing kujton se si një vit më parë, në ditën e Vitit të Ri, një tornado e fuqishme goditi qytetin Cincinati në Arkansa:
“Dëgjova një zhurmë sikur po kalonte një tren mallrash. Dëgjohej era e fuqishme dhe çdo gjë tronditej sikur të ishte tërmet”.
Kjo tornado ishte vetëm një ndër 1600 tornado që goditën Shtetet e Bashkuara vjet. Fenomene të tilla të motit ekstrem u vërejtën në të gjithë globin. Në Tajlandë rreshjet sollën një sasi precipitimi që ishte 80 për qind më e lartë se sasia mesatare e shiut në atë sezon dhe kryeqyteti i vendit u përmbyt. Një vit më parë, Rusia përjetoi verën më të nxehtë në 500 vjet.
“Është shumë e qartë se ka pasur rritje të periudhave me temperature tepër të larta si nga numri i këtyre valëve të motit ashtu edhe nga gjatësia e tyre. Një tjetër zbulim i rëndësishëm është fakti që po shtohen edhe rreshjet e dendura”.
Kryetari i Komisionit Rajendra Pachauri thotë se raporti tregon se kjo prirje do të vazhdojë me rritjen e temperaturave:
“Nëse bëjmë parashikime për të ardhmen, zbulojmë se kur është fjala për periudha me të nxehtin ekstrem që i vërejmë tani çdo 20 vjet, nga fundi i shekullit këto periudha do të regjistrohen çdo 1-2 vjet”.
Megjithëse nuk ka prova që lidhin ngrohjen globale me fenomene konkrete të motit, kryetari Pachauri thotë se temperaturat më të larta, të shkaktuara pjesërisht nga shtimi i nivelit të dioksidit të karbonit dhe gaze të tjera nga djegia e hidrokarbureve, do të sjellin thatësira më ekstreme në disa zona, rreshje më të dendura dhe stuhi më të rënda bore në disa të tjera.
“Me pak fjalë, duhet të stabilizojmë përqendrimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë, ku përfshihen dioksidi i karbonit si gazi dominues në atmosferë, në mënyrë që të stabilizojmë klimën e planetit dhe të zvogëlojmë ose të shmangim ndikimet më negative që do të vërehen në të ardhmen”.
Katastrofat e shkaktuara nga moti ekstrem shoqërohen me kosto të lartë, mesatarisht 80 miliardë dollarë në vit. Ndërsa studimi i ri e bën të qartë se asnjë vend nuk është i paprekshëm nga këto fenomene, zoti Pachauri vë në dukje se vendet më të varfra do ta paguajnë më shtrenjtë si me kosto në dollarë, ashtu edhe në jetë njerëzish, pasi këto vende nuk kanë kapacitete sa duhet për t’iu përgjigjur katastrofave. Ai shton se opsionet janë të qarta:
“Duhet t’u përshtatemi pasojave të ndryshimeve klimatike, sidomos katastrofave që lidhen me ndryshimet klimatike. Po ashtu duhet t’i zbusim këto pasoja pasi në një nivel të caktuar si në shoqëri ashtu edhe në sistemet natyrore, komunitetet do të gjenden përballë një goditjeje që do të jetë e vështirë të përballohet. Prandaj duhet të punojmë për zbutjen e ndikimit të këtyre fenomeneve”.
Raporti me 594 faqe është rezultat i punës së 220 autorëve nga 62 vende. Ky punim citon mijëra studime shkencore. Redaktorët thonë se ka të dhëna të mjaftueshme për të marrë vendime të vlefshme lidhur me mënyrat për të përballuar katastrofat që lidhen me ndryshimet klimatike./BS/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit