Jusufi (a.s.), ishte tepër i bukur. Musai (a.s.), ishte jashtëzakonisht i fortë.
Begatia e Jusufit u kthye kundër tij. Ajo i solli pikëllim të madh në jetë.
Forca Musait (a.s.), iu bë sprovë e madhe dhe i solli shumë dhimbje.
Ajo që Allahu të ka dhënë ty dhe mua mund të jetë burim i të mirës së madhe në jetën tonë. Por, gjithashtu, mund të jetë e lidhur edhe me trazirat tona më të mëdha. Ndoshta, Allahu i Plotfuqishëm, për shkak të kësaj do të na sprovojë më shumë. Por, këtu ka edhe diçka tjetër.
Shejtani gjithashtu i di begatitë tona. Dhe ai dëshiron t’i shfrytëzojë njerëzit rreth nesh, që t’i kthejë këto begati dhe ne të mendojmë se ato janë mallkim. Allahu i Plotfuqishëm nuk na ka nderuar vetëm me mirësi të jashtme, siç është pamja, fuqia e trupit, pasuria ose intelekti. Ndonjëherë, Ai na jep edhe kualitete si dhembshuria, durimi, mirësjellja, bujaria, dashuria për përhapjen e së mirës, aftësia e këshillimit të mirë etj. Shejtani i shikon këto kualitete tek ne dhe dëshiron të na i vjedhë ato.
Si e bën ai këtë?
Nëse jemi shpirtmirë, shejtani mund t’i nxisë disa njerëz në jetën tonë, ndaj të cilëve ne kemi qenë vetëm të mirë, që ata të bëhen më të këqij ndaj nesh. Nëse ju ndihmojmë, ai mund t’i nxisë disa, të cilëve ju kemi ndihmuar, që të na sulmojnë, sikur të ishim armik i tyre. Nëse jemi bujar, shejtani mund ta përdorë dikend, të cilit i kemi ndihmuar, që të na akuzojë se jemi të pangopur. Nëse jemi mësues, ai mund t’i nxisë nxënësit, që të na quajnë injorant.
Më e rëndësishmja, ai mund t’i shfrytëzojë ata, të cilëve ju kemi shërbyer, ose ndaj të cilëve, në ndonjë mënyrë kemi qenë të mirë, dhe i shtynë ata që të sillen keq me ne. Pejgamberi (savs), ka ardhur me mesazh, i cili i lidh zemrat dhe i forcon raportet familjare dhe farefisnore. Ata të cilët ishin më të afërm në familjen e tij, e akuzuan për shkëputje të raporteve familjare.
Po pse shejtani e bën këtë?
Këto begati që na i ka dhënë Allahu… si begatia e dhënies, mësimdhënies, ndihmës, mëshirës, ndjeshmërisë, kujdesit, durimit etj. … shejtani dëshiron që ne t’i themi vetes se këto nuk janë begati. Por, ato janë diçka që njerëzit i shfrytëzojnë. Ato, në vend të kësaj, janë mallkim. Duhet të pushoni ta harxhoni kohën tuaj dhe të filloni të kujdeseni për veten. Jetojeni jetën tuaj…
Dhe kështu shejtani na i vjedh begatitë, që Allahu na i ka dhuruar, për t’i shfrytëzuar në arritjen e kënaqësisë së Tij. Mos të harrojmë, se këto begati janë aty që ne ta gjejmë qëllimin. Allahu i Plotfuqishëm dëshiron të shohë se sa ne i vlerësojmë ato begati. Ato nuk janë të lira, prandaj nuk janë falas. Sa dhimbje, të cilat na i shkaktojnë njerëzit, jemi të gatshëm t’i përballojmë, vetëm të mos e humbim atë që Allahu na ka dhënë? Kjo do të na tregojë neve dhe Zotit tonë se sa vlerë kanë begatitë e Tij në zemrën tonë. Mos të lejojmë që dhembshuria, e cila na nxit t’i ndihmojmë njerëzit, të mbyllet për shkak të mohimit të tyre, ose të keqdashjes së tyre të pajustifikuar.
Mos të lejojmë që mendja jonë të jetë e preokupuar me ata që na kanë lënduar. Le të jenë një pikë në pasqyrën tonë, e cila bëhet gjithnjë e më e vogël. Ne kemi gjëra më të mëdha për të bërë në jetë sesa ta lejojmë shejtanin të na preokupojë me ata që përpiqen të na i vjedhin begatitë tona. Përgjigja më e mirë që ne mund tu japim atyre, është që t’i injorojmë dhe të bëjmë edhe më shumë të mira sesa që kemi bërë më parë. Asgjë nuk i lëndon ata më shumë, as shejtanin, sesa kjo.
Numan Ali Khan
Përkthim: Miftar Ajdini