Përkujdesja ndaj moralit
Njeriu në zanafillën e tij njihet si egoist (në kuptimin që çdo mirësi dëshiron ta ketë për vete). Shthurja e moralit nis pikërisht nga kjo pikë, sepse çdo person dëshiron të veçohet dhe të shfrytëzojë atë që ai e quan mirësi. Jo vetëm kaq, por ai mund të kërkojë edhe nëse nuk ka të drejta mbi to. Për këtë arsye, ky njeri ka shumë nevojë të këshillohet vazhdimisht,duke qenë se jeton edhe me njerëz të tjerë, në mënyrë që të ketë të qarta edhe të drejtat që gëzojnë të tjerët. Të mos e mashtrojë pasioni ndaj vetes dhe kapërcejë kufijtë. Sikur njerëzit të liheshin të lirë dhe të mos kujdeseshin për moralin, i cili shërben për përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella, do të binin pre e asaj që quhet “ligji i pyllit”. Në lidhje me këtë, legjislacioni Islam ka shpalosur modelin e karakterit të mirë. Ky legjislacion nuk e ka kufizuar këshillën në urdhërimin për të bërë mirë, apo në ndalimin për t’u hyrë në hak të tjerëve. Përkundrazi, ky legjislacion na ka urdhëruar që të jemi të durueshëm edhe ndaj atij që bën gabime. Allahu i Madhëruar në librin e Tij ka thënë:
“E kur dëgjojnë ndonjë marrëzi të pavlerë, ia kthejnë shpinën duke thënë: ne kemi veprat tona e ju keni veprat tuaja. Ju keni selam (paqe) nga ne, dhe neve nuk na duhen injorantët.” [1]
Me një fjalë, ju nga ne keni paqe dhe nuk ju kërcënon ndonjë dëm, nga ne nuk ju vjen (ndonjë e keqe), ashtu siç na erdhi neve nga ju.
Më e çuditshmja është se disa njerëz të suksesshëm e kalojnë këtë normë, duke iu bërë mirë njerëzve që atyre u bëjnë keq. Nuk ka dyshim se kjo është arritja më e lartë e një morali të mirë, e këtë mirësi e gëzon vetëm ai njeri që Allahu i Madhëruar ia ka larguar epshin, egoizmin dhe hakmarrjen. Natyra e besimtarit është e prirur për qetësi dhe siguri, ashtu sikurse është shprehur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në fjalën e tij: “A doni t’iu tregoj për besimtarin? Është ai, tek i cili njerëzit sigurojnë pasuritë dhe shpirtrat e tyre.” [2]
Fjalët e hadithit të mësipërm Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) janë pjesë nga hytbeja e tij e njohur në Haxhin e Lamtumirës, në të cilën përmblodhi bazat e kësaj feje, ku përqendrimi kryesor ishte tek morali, nxitja për të drejtat e gruas dhe ndalesa e rreptë në lidhje me cënimin e pasurinë, nderit dhe gjakut të muslimanëve. Gjithashtu, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Musliman është ai njeri, prej të cilit muslimanët janë të qetë nga gjuha dhe dora e tij.” [3]
Meditoni pak mbi fjalën e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) “muslimani”, e cila ka ardhur e qartë. Si është e mundur që një musliman ta lëndojë vëllanë e tij, duke qenë se e di pa mëdyshje se ai është vëllai i tij në fe?! Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër, prandaj pajtohuni ndërmjet vëllezërve tuaj. Frikësojuni Allahut në mënyrë që të mëshiroheni.” [4]
Gjithashtu ka thënë:
“Frikësojuni Allahut dhe përmirësoni marrëdhëniet ndërmjet jush.” [5]
“Ata që lëndojnë besimtarët dhe besimtaret për diçka që ata nuk janë fajtorë, e kanë ngarkuar veten me një mëkat të madh.” [6]
Këto ajete na tërheqin vërejtjen që të mos i lëndojmë muslimanët dhe t’i nxisim për harmoni mes tyre, ashtu siç ka nxitur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Të mundohemi t’i zgjidhim problemet e muslimanëve, t’u largojmë brengat dhe t’u mbulojmë gabimet që kanë. Për këtë, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Muslimani është vëllai i muslimanit. Nuk i bën padrejtësi atij e as nuk e dorëzon tek të tjerët. Ai që i del krah një muslimani, do t’i dalë krah Allahu në Ditën e Gjykimit. Ai që i largon një brengë një muslimani, Allahu i Madhëruar do t’i largojë atij një brengë Ditën e Gjykimit. Kush i mbulon një të metë vëllait të tij musliman, Allahu do t’i mbulojë atij një të metë Ditën e Gjykimit.” [7]
Ajetet kuranore zbrisnin në Mekë, para se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të shpërngulej për në Medinën e legjislacionit, moralit dhe virtyteve. Atëherë, këto ajete nxisnin për moral, ashtu siç nxisnin edhe për vyrtyte të tjera që ishin udhëzim dhe dritë për njerëzit, po ashtu, duke treguar edhe sa i rëndësishëm është morali në fenë tonë. Për më tepër, këto ajete shërbejnë si ikurajim për t’ua treguar edhe të tjerëve rëndësinë që zë morali në fe, në mënyrë që muslimanët të mos mbeten të paditur, e si rrjedhojë të humbasin harmoninë dhe lumturinë në këtë botë. Mjafton të dimë se fjalët e para që dëgjoi Abdullah bin Selami para se të bëhej musliman, ditën që Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) emigroi nga Meka për në Medinë, ishin fjalët mbi moralin. Abdullah bin Selami ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut arriti në Medinë, njerëzit u mblodhën dhe unë isha njëri prej tyre. Në momentin që e pashë, kuptova se fytyra e tij nuk i përngjante fytyrave të gënjeshtarëve. Gjëja e parë që dëgjova prej tij ishte thirrja: “O ju njerëz, përhapni selamin, ushqeni njerëzit, mbani lidhjet farefisnore, faluni në kohën që njerëzit flenë, në mënyrë që të hyni në Xhenet me selam (paqe).” [8]
Duke qenë se morali përmbante këto vlera të larta, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithmonë kërkonte nga Allahu i Madhëruar ta pajiste me moralin më të mirë. Imam Ahmedi transmeton nga Aishja, se kur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) lutej thoshte: “O Zoti im, ashtu siç ma ke bërë krijimin tim të mirë, ashtu ma bëj dhe moralin tim të mirë.” [9] Gjithashtu është transmetuar se në lutjen hyrëse të namazit, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kërkonte nga Allahu që ta udhëzonte drejt moralit të mirë dhe ta largonte nga morali i keq. Muslimi transmeton nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se kur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ngrihej për në namaz, thoshte: “Fytyrën time e ktheva drejt Atij që krijoi qiejt dhe tokën, i Pastër është Ai dhe unë nuk jam nga idhujtarët. Vërtet, namazi, kurbani, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka ortak, me këtë jam urdhëruar dhe unë jam i pari i muslimanëve.” Më pas thoshte:“O Zot, Ti je Sunduesi, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje. Ti je Zoti im dhe unë jam robi Yt, i kam bërë padrejtësi vetes dhe e pranoj gabimin tim. M’i fal gabimet sepse askush nuk i fal ato përveç Teje, më udhëzo drejt moralit më të mirë sepse askush nuk mund të udhëzojë drejt tyre përveç Teje. Ma largo moralin e keq, të cilin nuk mund t’i largojë askush tjetër përveç Teje!” [10] Pas kësaj, transmetuesi shton se kur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hynte në namaz, menjëherë pas tekbirit fillestar thoshte këto fjalë “fytyrën time e ktheva…”, e derisa e mbyllte me fjalët: “dhe unë jam i pari i muslimanëve.”
Këtë lutje Profeti e praktikonte për ta edukuar Allahu dhe për ta udhëzuar drejt moralit të mirë, duke ditur kush ishte ai. Është ai, për të cilin Allahu ka thënë:
“Me të vërtetë ti posedon një moral të lartë.” [11]
Kjo është një dëshmi nga ana e Allahut të Madhëruar drejtuar Profetit, madje një dëshmi të tillë e kishin bërë edhe armiqtë e tij, të cilët e thërrisnin: i sinqerti dhe besniku.
Kujdesi ndaj moralit e arriti kulmin kur edhe në shtratin e vdekjes Profeti mendonte për shërbëtorët e dobët, nga frika se mos nuk do t’u jepeshin të drejtat, apo do të liheshin mënjanë, duke mos u kushtuar vëmendje halleve të tyre, madje kjo ishte dhe porosia, testamenti i tij i përgjithshëm. Kjo, për faktin se shërbëtorët nuk mund t’i kërkojnë të drejtat dhe nevojat e tyre, madje ka raste kur ndërrojnë jetë pa marrë të drejtën që i takon. Transmetohet se Enes bin Maliku ka thënë: “Porosia më përmbledhëse e Profetit në shtratin e vdekjes, ishte: “Kini kujdes namazin dhe robërit që keni në kujdestari.” [12] Transmetohet nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se porosia e fundit e Profetit(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka qenë: “Kini kujdes namazin, kini kujdes namazin dhe frikësojuni Allahut për robërit që keni në kujdestari.” [13]
Poshtërsia, të cilën po e jetojmë ka të bëjë me disa njerëz me natyrë të egër, të cilëve iu është prishur morali në një kohë kur njerëzit i shohin si myslimanë. Ata e dinë fare mirë se nga bazat e Islamit është përmirësimi i moralit, sikurse e përmendëm edhe më sipër. Nëse ju bie rasti të shihni gjendjen e shumicës prej tyre në marrëdhëniet dhe moralin e tyre, do të mbeteshit të shtangur dhe të habitur, sepse ajo që do të dëgjonit do t’ju lëndonte. Por, nëse Allahu do t’ju mundësonte të shikonit fshehtësitë dhe realitetin e dredhive që ata i bëjnë njëri-tjetrit, sigurisht që do të habiteshit edhe më shumë. Shihni fjalët e pista që shprehin, apo dredhitë që bëjnë në tregti, mu në mes të ditës.
A e dini sa prej tyre i poshtërojnë shërbëtorët dhe madje nuk ulen me njerëzit që nuk i lidh ndonjë interes i kësaj bote?! Shikoni se si ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit, për aq kohë sa të vijë një ditë ku dy vetë bashkohen si ortakë në mallra të pavlera të kësaj bote, e pas një momenti ndahen, kundërshtohen dhe braktisin njëri-tjetrin. Më pas, secili flet keq për tjetrin dhe nuk i ruajnë të drejtat që i takojnë vëllazërimit, siç është ruajtja e nderit të tij kur nuk është i pranishëm. Është për t’u habitur se shkaku i mosmarrëveshjes është koprracia në një mall të rëndomtë të kësaj bote. Ajo që të habit më shumë është vështirësia që një tregtar të gjejë një njeri të besueshëm dhe të ketë besim që t’i ruajë mallin dhe t’i bëjë punën, ashtu si duhet, me qëllim që kur të kthehet në shtëpinë e tij, të kthehet i qetë dhe pa strese. Por ajo që ndodh është e kundërta sepse fillon një mbikëqyrje e rreptë dhe kërkim llogarie ndërmjet dy ortakëve, e megjithatë, përsëri mund të ekzistojnë ndërmjet tyre dredhi të formave të ndryshme, të cilat i vënë në gjendje të vështirë edhe gjykatat për të zgjidhur probleme të kësaj natyre. E gjithë kjo ndodh vetëm si pasojë e dobësisë dhe ngurtësisë shpirtërore në momentin kur shfaqet sprova e pasurisë. Allahu i Madhëruar thotë:
“Dhe pasurinë e doni së tepërmi.” [14]
Nga ana tjetër, ende pa e martuar babai fisniken e tij (vajzën) me ndonjë shok ose të afërm të tij, pas një kohe shumë të shkurtër fillon përçarja, e veç kësaj, kjo ngatërresë përfshin edhe familjet. Duhet ta dini se ata i përçau vetëm mosrespektimi i të drejtave që gëzon tjetri, shtoji kësaj dhe dashurinë për veten dhe egoizmin. Nëse ata do të vinin në praktikë vetëm një hadith të vetëm të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), padyshim që do të distancoheshin nga kjo përçarje. Bëhet fjalë për hadithin: “Asnjëri nga ju nuk është besimtar, derisa të dojë për vëllanë e tij atë që do për vete.” [15]
Neglizhencën e moralit, të cilën po e përjeton çdo ditë populli musliman, me përjashtim të besimtarëve që janë përfshirë në mëshirën e Allahut, ia atribuojnë fesë së tyre sepse njerëzit i konsiderojnë sjelljet e tyre prej Islamit, kështu, pa e kuptuar, ata e dëmtojnë fenë.
[1]Suretu Kasas, 58.
[2]Transmeton Imam Ahmedi (6/21). Gjithashtu e ka saktësuar Shejh Albani në librin “Vargu i haditheve të sakta”, me nr. 549.
[3]Transmeton Buhariu nga Abdullah bin Amër dhe Muslimi nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).
[4]Suretu Huxhurat, 10.
[5]Suretu Enfal, 1.
[6]Suretu Ahzab, 58.
[7]Transmeton Buhariu me nr. 2 442, dhe Muslimi me nr. 2 580.
[8]Transmeton Tirmidhiu nr. 2 485, Ibn Maxhe nr. 1 334 dhe e ka saktësuar Shejh Albani.
[9]Transmeton Imam Ahmedi (6/68) me zhinxhir të saktë.
[10]Transmeton Muslimi.
[11]Suretu Kalem, 4.
[12]Transmeton Ibn Maxhe me nr. 2 697, dhe Ebu Daudi me nr. 5 156.
[13]Saktësoi Shejh Albani në librin e tij “Irua el galil” me nr. 2 178.
[14]Suretu Fexhr, 20.
[15]Mutefekun alejhi.
Këshilla të arta për moralin e lartë
Autor
Abdulmalik Ramadani