Në gjykimin e gjashtë të pandehurve shqiptarë për vrasjen e pesë vetave, në prill të vitit kaluar, në afërsi të Shkupit, prokuroria prezantoi analizat e ADN-së që dyshohen se implikojnë njërin nga të pandehurit shqiptarë me vrasjet. Prokuroria në Gjykatën e Shkupit deklaroi të premten se ADN-ja e marrë nga vetura e dyshuar, e cila është përdorur nga autorët për t’u arratisur, i përket njërit prej të akuzuarve, Alil Demiri, i cili ka qenë në gjendje të lirë që nga vrasja e pesë viktimave, prillin e shkuar.
Policia gjeti automjetin e kuq “Opel Omega”, menjëherë pas vrasjeve, të braktisur në anë të rrugës, disa kilometra nga skena e krimit afër Shkupit. Prokuroria thotë se automjeti është përdorur për të ndihmuar të pandehurit të arratisen drejt vendit fqinj, Kosovë, dhe se balta e gjetur në gomat e makinës përputhet me atë të gjetur në skenën e krimit. Vrasjet kanë rritur tensionet etnike në vend, ku pati përplasje me forcave të qeverisë dhe rebelëve shqiptarë në vitin 2001. Avokati mbrojtës, Naser Raufi, refuzoi provat e prokurorisë si jobindëse. “Pashë se disa gjurmë të dyshuara të ADN-së që përputhen me një nga të pandehurit që është në gjendje të lirë nuk ka asgjë të bëjë më rastin në gjykatë”, tha Raufi për gazetarët, pas seancës gjyqësore. Ai tha se është e vështirë të vërtetohet që automjeti që u gjet kishte të bënte me vrasjet dhe të dyshuarit dhe me pretendimin e prokurorisë që mund të gjejë lidhje mes automjetit dhe skenës së krimit. “Automjeti kishte pronësi të dyshimtë dhe ende duhet verifikuar”, tha Raufi. Në seancën e të premtes, prokuroria filloi gjithashtu të prezantojë foto të marra nga skena e vrasjes si dhe listat e telefonatave që të pandehurit kanë bërë para dhe pas vrasjeve. Trupat e Filip Slavkovskit, Aleksandar Nakjevskit, Cvetanco Acevskit dhe Kire Trickovskit, të gjithë të moshave mes 18 dhe 20-vjeçar, u gjetën më 12 prill të vitit të shkuar. Trupat ishin vendosur në rresht dhe dukej se ishin ekzekutuar. Trupi i 45-vjeçarit Borce Stevkovski u gjet në një distancë të shkurtër larg të tjerëve. Prokuroria ka ngritur akuza për terrorizëm kundër gjashtë personave të dyshuar se kanë organizuar dhe kryer vrasjet. Dy nga të pandehurit, Demir dhe Afrim Ismailovic, janë ende në arrati. Të tjerët, Agim Ismailovic, Fejzi Aziri, Rami Sejdi dhe Haki Aziri, kanë deklaruar se janë të pafajshëm. Demir dhe Afrim dhe Agim Ismailovici akuzohen se kanë kryer vrasjet me automatikë, ndërsa të tjerët dyshohen se kanë dhënë ndihmë logjistiket. Sipas akuzave, grupi donte të provokonte tensione etnike./albtime/kohaislame