Presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, u kanë dalë mjaft punë me njëri-tjetrin këto ditë. Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ata do të jenë bashkë në një tavolinë të thirrur nga Zyrtarja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.
Takimi në Bruksel do të jetë i një formati të veçantë, pasi do të jenë të ftuar tre presidentë dhe 3 kryeministra të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Mogherini ka zgjedhur që të mos e ftojë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, por presidentin Hashim Thaçi.
Përveç Thaçit, Mogherini do ta ftojë edhe presidentin e Serbisë dhe Malit të Zi, si dhe kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bosnjës.
Takimin që do të mbahet më 19 dhjetor, e ka konfirmuar vetë Vuçiqi para dy netësh, kur u pyet lidhur me angazhimin për ulje të tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Sidoqoftë, mësohet se deri tani vetëm kryeministri shqiptar, Edi Rama, nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen për shkak të protestave masive në Shqipëri, ndërkohë që të ftuarit e tjerë do të jenë nesër në Bruksel.