6.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Moda apo politika? – Armand Bora

Roli i medias dhe artit në këtë marrëdhënie

Më të lexuarat

Moda apo politika?
Roli i medias dhe artit në këtë marrëdhënie

Armand Bora

Nuk mendoj se është e vështirë t’i japësh përgjigje pyetjes: A është Moda apo Politika ajo që udhëheq zhvillimin e shoqërive të sotme moderne? Natyrisht, duhej të kishte qenë “Politika”, por ja që, për fat të keq, prej kohësh udhërrëfyese për sjelljen e shoqërisë është bërë “Moda”.

Është fakt, madje lehtësisht i perceptueshëm, se në kohët e postmodernizmit një pjesë e madhe dhe e rëndësishme e aktivitetit njerëzor shfaqet, promovohet, realizohet dhe ndiqet si modë. E thënë thjesht: nuk janë politikat ato që prodhojnë modën, në kuptimin e mënyrës se si individi dhe shoqëria duhet t’i ndërtojë raportet me gjithçka e rrethon. Përkundrazi, ndodh që formate të parapërgatitura, të vëna përpara, shpeshherë, edhe në formë detyruese për t’u pranuar dhe respektuar, ndikojnë jo vetëm sjelljen e shoqërisë, por madje kushtëzojnë edhe veprimtarinë e politikës në përditshmërinë e saj. Por a ka qenë gjithnjë kështu? Natyrisht që jo.

Ka qenë një kohë kur politika kryente funksionin e saj parësor në shërbim dhe përpjekje për të përmirësuar dhe zhvilluar shoqërinë. Që në gjenezë, gjë që e shpjegon edhe vetë etimologjia e këtij termi, politika ka lindur si rrjedhojë e nevojës për të zgjidhur dhe rregulluar çështje të një komuniteti, shoqërie apo qyteti, siç ishte në rastin e Greqisë së lashtë.

Ndryshimi – nëse do t’i referohemi historisë së shoqërisë njerëzore – ka ndodhur në momentin kur vëmendja dhe interesi i politikës do të zhvendoseshin nga shoqëria tek individi. Ky moment do të shënonte edhe lindjen e mendimit liberal, gjurmët e të cilit edhe gjenden që në antikitet apo në dinastitë perandorake Ming dhe Song në Kinë, do ta shohim të strukturuar në formën e një mendimi jo vetëm filozofik, por edhe politik, ekonomik dhe social vetëm në kohët moderne. Për individin dhe jo më për shoqërinë, për liritë dhe të drejtat e individit dhe jo më për ruajtjen dhe forcimin e shoqërisë do të shkruajë, që në shekullin XVII, pamfletisti anglez Richard Overton, në njërin nga shkrimet e tij, ku shprehet se: “Secilin individ natyra e ka krijuar si një pronë të vetë individit, me të drejtën për të mos u pushtuar apo uzurpuar nga asnjë…; askush nuk duhet të ketë pushtet mbi të drejtat dhe liritë e mia, dhe unë mbi asnjë njeri tjetër”. Këto janë vetëm fillesat e shkëputjes së individit nga influenca e shoqërisë, fesë dhe rrjedhimisht, siç do ndodhë më vonë, edhe prej familjes dhe faktorëve të tjerë që marrin pjesë në formimin e tij. Teorikisht, individi u la i lirë, të vetëpërcaktohej dhe vetëformohej si qenie njerëzore. Them teorikisht pasi, pas zbehjes së rolit të institucioneve që krijuan dhe ruanin moralin e shoqërisë, zvogëlimit të rolit të shtetit dhe fesë, si dhe ndarjes së kishës nga shteti, si një koncept i hedhur për herë të parë nga John Locke, që njihet ndryshe edhe si babai i mendimit filozofik liberal, rruga dhe mjetet për ta orientuar formimin e individit u gjetën të realizoheshin përmes një mode e re, si një stil i ri i të jetuarit të individit në shoqëri.

Në ndryshim nga trashëgimia konservatore, e cila i mëshonte formimit moral dhe etik të shoqërisë, produkti liberal do të duhej të ishte një individ i lirë; i pavarur prej faktorëve të tjerë shoqërorë. Individi i kohëve moderne duhej ta identifikonte veten me shoqërinë apo të bëhej pjesë e një komuniteti të caktuar vetëm prej nevojës së tij për komoditet, për të prodhuar dhe për të konsumuar sa më shumë të mira materiale dhe jo më për të ndarë dhe ndjekur vlerat morale të shoqërisë. Etika dhe vlerat morale të shoqërisë u kthyen pak e nga pak në kujtime të shoqërive të shkuara ku nuk munguan as etiketimi, as identifikimi i tyre me burimin e prapambetjes shoqërore.

Nisur nga panorama që ofron sot shoqëria dhe individi si produkt i kësaj shoqërie liberale kuptohet se ndryshimi që ka ndodhur është thelbësor. Çdo ditë e më shumë shtohen dallimet dhe diferencat midis shoqërisë konservatore dhe asaj që ofrohet në një pjesë të madhe të shoqërive të sotme moderne nën etiketën e shoqërive liberale. Dallimet dhe diferencat janë të dukshme edhe prej faktit se ky transformim nuk ka qenë i ngadaltë. Ndryshimi nuk ka ardhur nga një proces evoluimi brenda shoqërisë. Procesi ka qenë imponues. Në jo pak raste ndryshimi ka ardhur përmes rrugës së revolucioneve, ku pavarësisht emërtimit të tyre si raste të revolucioneve politike, sociale apo seksuale, ato kanë prodhuar dhunë, refuzim madje edhe eliminim të palës tjetër.

Ndërkohë që, prej përfundimit të Luftës së Parë Botërore, mekanizmi dhe rruga për ta vazhduar dhe thelluar këtë lloj revolucioni u gjet te partneriteti me median dhe artin. Dëshmi dhe fakte të pastra të këtij procesi partneriteti i gjejmë me shumicë në librin “Propaganda” të Edward Bernays.

Jo vetëm në ato çfarë janë thënë dhe shkruar për këtë manual të komunikimit masiv, por edhe prej asaj se çfarë është shprehur qartë në këtë libër prej vetë autorit të tij, kuptohet rruga e ndjekur drejt qëllimit final: individi si qenie që nuk njeh kufij, pengesa, turp, moral dhe etik në rrugën për të arritur komoditetin dhe maksimalizimin e të mirave materiale që ai vetë apo pjesë të tjera të shoqërisë i prodhojnë.

Bernays, si një ithtar i politikave liberale të presidentit Franklin Roosvelt dhe më vonë presidentit Kennedy (nënvizuar ky fakt prej Noam Chomsky-it në fjalën e tij të mbajtur në “Z Media Institute” në qershor të vitit 1997), gjeti terrenin e duhur për të drejtuar procesin e formatimit të individit përmes krijimit të një “Mode” të re. Eksperiencat e Luftës së Parë Botërore e bënë Bernays-in të kuptonte se është e mundur që “mendimi i opinionit publik mund të organizohet po aq mirë sa organizohen trupat e një regjimenti në luftë”. Këtë zbulim të tijin ai e ofron si zgjidhje në funksion të interesit ekonomik të korporatave të ndryshme industriale. Është një rast i dokumentuar mënyra se si në interes të prodhuesit të cigareve Chesterfield ai bëri hapin e parë për krijimin në masë të modës së duhanpirjes duke ndërhyrë në një element që kishte të bënte me normat morale të shoqërisë. Deri para shekullit XX pirja e duhanit konsiderohej si një zakon i papërshtatshëm dhe i papranuar për gratë. Kjo normë morale reflektohej si e tillë edhe në artin e kohës. Piktorët holandezë i vendosnin personazhet duke pirë duhan vetëm në ato raste kur dëshironin t’i përshkruanin si simbol i marrëzisë njerëzore. Gratë me cigare shprehnin në pikturat e tyre kryesisht kategorinë e prostitutave. Duhanpirja e grave shihej si imorale dhe deri vonë, në shumë shtete kishte ligje që pengonin dhe dënonin akte të tilla kur kryheshin në publik. Në vitin 1904 një grua e quajtur Jennie Lasher u dënua me tridhjetë ditë burg për vënien në rrezik të moralit të fëmijëve të saj pasi kishte pirë duhan në praninë e tyre. Në një tjetër rast, po në qytetin e Nju-Jorkut apo edhe në Distriktin e Kolumbias u miratua një urdhëresë që ndalonte pirjen e duhanit nga gratë në publik.

Ndërkohë, për interesa të shtimit të prodhimit dhe shitjes së këtij malli, do duhej që edhe kjo pjesë e shoqërisë të kthehej në një konsumatore të rregullt të këtij malli. Zgjidhjen, Edward Bernays e gjeti te prishja e kësaj norme morale që shoqëria e ruante ende deri në atë kohë si një vlerë etike dhe morale të trashëgimisë së saj konservatore. Edward Bernays zgjodhi 31 marsin e vitit 1929, një ditë e rëndësishme fetare ku në Nju-Jork zhvillohej Parada e të Dielës së Pashkëve, të organizojë, me pagesë, paradën e parë të disa grave që ecnin rrugëve të qytetit duke pirë duhan në një mënyrë të hapur dhe sfiduese. “Pishtarët e Lirisë” ishte slogani që u përdorur për të inkurajuar duhanpirjen te gratë. Prej këtij momenti pirja e duhanit në publik u përshkrua si shprehje emancipimi. Për ta sjellë si modë dhe sjellje normale në shoqëri Bernays këshilloi prodhuesit e këtij malli të paguanin industrinë e kinemasë që në filmat e tyre të shfaqeshin sa më shumë pamje të grave duhanpirëse. Ajo që ndodhi më pas dihet: filma pa fund, gra që pushtuan ekranet e kinemasë dhe e kthyen në stil duahpirjen – duke filluar nga Barbara Laage, Corinne Calvet, Miriam Hopkins, Gina Lollobrigida, Joan Bennett, Marlene Dietrich, Edwige Feuillere e shumë e shumë të tjera. Rezultatet e këtyre politikave kulturore, të para nga sot, janë befasuese si në aspektin fitimprurës për kompanitë e prodhimit të duhanit, ashtu edhe të ndryshimit të qasjes së shoqërisë ndaj asaj që është e moralshme apo e pamoralshme, e lejuar apo e ndaluar. Sipas statistikave të bëra për efekte të ndryshme studimi, rezulton se nëse në vitin 1923 gratë amerikane përbënin vetë 5% të konsumatorëve të këtij malli, në vitin 1929 kjo shifër kapi 12%, në 1935 u bë 18% duke shkuar në 33% deri në vitin 1966. Fenomeni u bë i përgjithshëm dhe u shtri kudo. Midis viteve 1993 dhe 1997 niveli i grave duhanpirëse në Gjermani u rrit nga 27 në 47%. Në Afrikën e Jugut përdorimi i cigares u propagandua edhe si arritje emancipuese kur tregohen skena se si gra afrikane pranojnë cigare të ofruara nga burra të bardhë. Një strategji e cila vazhdon edhe sot në filmat televizivë me seri si ai anglez “Peaky Blinders”, ku jo vetëm personazhet kryesorë të tij, por edhe personazhet e tjerë, konsumojnë në pjesën më të madhe të skenave të tyre cigare dhe pije alkoolike. Realiteti i shoqërive të sotme tregon qartë se jo vetëm pirja e duhanit, por edhe sjellje dhe veprime të ndryshme të cilat konsideroheshin të ndaluara apo të turpshme për shoqërinë jo shumë kohë më parë, falë medias dhe artit janë kthyer në normalitet. Sot, pasi janë kthyer në modë dhe stil jetese, politika jo vetëm që nuk ka fuqi t’i dënojë, por përkundrazi është e detyruar edhe që t’i formalizojë përmes ligjeve dhe normave liberale.

Në këtë proces transformues të shoqërisë dhe të sjelljes së individit ka ndikuar padyshim edhe vetë transformimi i misionit dhe qëllimit të artit dhe medias. Arti dhe media sot janë kthyer në biznes dhe jo në shërbim të formimit, të ndërgjegjësimit dhe edukimit të shoqërisë. Si pjesë e botës së biznesit edhe ato kanë gjetur rrugën të rregullojnë aktivitetin e tyre brenda tezave dhe koncepteve liberale të ekonomisë. Këto teza ekonomike, të krijuara fillimisht prej Adam Smith-it, i cili njihet edhe si krijuesi i mendim liberal në ekonomi, e çliruan aktivitetin tregtar jo vetëm prej rolit të shtetit si ndërmjetës dhe rregullator i këtij aktiviteti, por hap pas hapi edhe nga detyrimet etike dhe morale duke e bërë fitimin të vetmin objektiv pavarësisht rrugëve, mjeteve dhe formave se si realizohej. Është shumë domethënëse historia e takimit të zhvilluar rreth vitit 1681 midis Jean-Baptiste Colbert, shefit të fuqishëm të financave në oborrin e Luigjit XIV, dhe një grupi tregtarësh. Kur Colbert i pyet ata se si shteti i Francës mund t’i shërbente dhe ndihmonte më mirë aktivitetin e tyre, njëri prej pjesëmarrësve në takim i tha: “Laissez-nous faire” (Na lini të merremi vetë me këtë). Kjo histori tregon nga njëra anë nevojën e tregut për liri, mbart nga ana tjetër edhe rrezikun se në çdo moment liria mund të kthehet në mungesë të rregullave, të etikës dhe moralit.

E solla këtë histori pasi ajo që ndodh sot në tregun e artit dhe medias është tregues i qartë se si një pjesë jo e vogël e programeve televizive apo veprave të artit skenik dhe atij kinematografik janë prodhime që në thelbin e tyre kanë si qëllim vetëm fitimin. Maksimizimi i këtij fitimi dhe, për më tepër, e drejta private për të prodhuar apo për të ofruar shërbime që “pëlqen” tregu i ka bërë këta tregtarë indiferentë ndaj kërkesave të pjesës tjetër të shoqërisë e cila në shumë raste gjen forma dhe rrugë për të reaguar.

Megjithatë, drejta e tyre private për të prodhuar, në situatën kur shteti herë nuk mundet, herë nuk dëshiron të ndërhyjë në veprimtarinë e një aktiviteti të tillë, edhe kur e shikon se ky aktivitet sjell dëm në formimin etik dhe moral të shoqërisë, i ka bërë këto produkte mediatike dhe artistike më të fortë financiarisht dhe më të ndjekur prej një pjese jo të vogël të shoqërisë. Si pasojë, sjelljet, veprimet dhe shijet që ata promovojnë përmes personazheve të ndryshme, kthehen në modë që ndiqet dhe imitohet. Nga ana tjetër, politikës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të realizojë edhe hapin e fundit, që është formalizimi edhe mbrojtja përmes ligjeve të kësaj mode që ka pjellë një situatë e tillë.

Duke krahasuar atë se si dhe çfarë ka qenë shoqëria jo më larg se një shekull më parë, kuptohet qartë se fryma dhe politikat liberale kanë mundur të sjellin një riformatim në themel të shoqërisë. Nga ana tjetër edhe ndasitë apo diferencat midis ofertës liberale dhe asaj konservatore janë bërë më të dukshme. Dallimet dhe diferencat tashmë e kanë kaluar kufirin e dallimeve ideologjike apo ekonomike pasi tashmë ato janë bërë diferenca kulturore. Në një situatë kur diferencat shtrihen mbi parimet dhe vlerat e shoqërisë, këto dallime krijojnë ndjenjën e refuzimit duke e bërë të vështirë pranimin e njërit-tjetrit. Nëse do të duhej të gjenim një rast se ku, me të drejtë, mund të përdorej koncepti i përplasjes së qytetërimeve, i krijuar prej amerikanit Samuel Huntington, përplasja midis kulturës, etikës, besimit, moralit dhe frymës konservatore me anarkinë e mungesës së këtyre normave që promovon liberalizmi është një rast i duhur.

Të promovuara si zgjidhje dhe shpëtim për ekonominë, tezat liberale kanë mundur të fshehin, brenda rritjes dhe zhvillimit ekonomik, një varg problemesh të cilat çdo ditë e më shumë po bëhen fytyra e vërtetë për shoqërinë e pjesës më të madhe të vendeve të zhvilluara. Këtë zhvillim kundërshtues e shpjegon më së miri shkrimtarja dhe filozofia Ayn Rand si një mbështetëse dhe promovuese e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe shkëputjes së tij prej ndikimit dhe mbrojtjes së shtetit dhe institucioneve të besimit mbi të. Siç edhe shkruan në librin e saj “Kapitalizmi: Një ide e panjohur”, zgjidhjen e problemeve ajo e gjen te “shfuqizimi i çdo forme të ndërhyrjes së qeverisë në prodhim dhe tregti; ndarjes së Shtetit nga Ekonomia në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtat arsye si ndarja e Kishës nga Shteti”. Filozofia politike e Ayn Rand fokusohet te të drejtat e individit duke e konsideruar kapitalizmin “laissez-faire” të vetmin sistem moral shoqërisë pasi, sipas saj, ky është i vetmi sistem që garanton mbrojtjen e këtyre të drejtave. Është interesante të sillet në vëmendje se shpesh herë Ayn Rand ka gjetur pika takimi në disa projekte politike edhe me konservatorët edhe pse vazhdimisht nuk ka qenë dakord me ta sa u përket çështjeve të besimit dhe etikës. Nga ana tjetër, edhe pse ka qenë e deklaruar më pranë tezave liberale, ka kuptuar dhe denoncuar lidhjet e drejtpërdrejta midis frymës liberale dhe anarkisë.

Nga të gjitha këto kuptohet qartë se konservatorizmi dhe liberalizmi, më shumë se dy filozofi alternative që synojnë përmes rrugëve të ndryshme të mbërrijnë te një qëllim i përbashkët, janë dy realitete që prodhojnë moral, etikë dhe kulturë krejtësisht të kundërt me njëra-tjetrën. Konservatorizmi e shikon zgjidhjen e problemeve te forcimi i shoqërisë, kurse liberalizmi e ka dobësuar individin duke e zhveshur atë prej të gjitha institucioneve që e mbronin dhe si rrjedhim ka dobësuar edhe shoqërinë.

Shoqërive liberale të shekullit ku jetojmë dhe atij që kemi lënë pas, modeli konservator u qëndron përpara si një pasqyrë në të cilën ato shikojnë problemet që kanë. Në këtë situatë, ajo që çdo ditë përpiqen ta bëjnë përmes pushtetit politik, ekonomik dhe atij mediatik është që ta thyejnë këtë pasqyrë. Jo më kot çdo gjë që lidhet me konservatorizmin trajtohet si modë e vjetër, e prapambetur, e lidhur me regjime apo sisteme të kaluara. Por konservatorizmi nuk është modë. Konservatorizmi është një sistem i ngritur mbi vlera të caktuara etike dhe morale.

Në mungesë të një debati të mbështetur mbi norma dhe parime të qarta morale, ku e mira dhe e keqja, e lejuara dhe e ndaluara, turpi dhe imoraliteti ndahen qartazi nga njëri-tjetri, detyrimi për të kërkuar me këmbëngulje forcimin e frymës konservatore në jetën politike, ekonomike dhe social-kulturore mbetet si sfidë dhe oferta më e mirë që zgjidh problemet e shumta të shoqërisë shqiptare.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit