Nuk ka rëndësi kush vjen në pushtet në Serbi, derisa ndryshimi i personaliteteve nuk e ka ndryshuar asnjëherë politikën serbe karshi Kosovës. Kështu ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Ndërsa, për mocionin e miratuar në Kuvendi, i cili i kërkon Qeverisë së Kosovës që vazhdimin e dialogut me palën serbe ta kushtëzonte me zbardhjen e fatit të pagjeturve, Jakupi ka thënë se janë veç rekomandime.
Krasniqi, me shumë bindje ka thënë se, nuk ka asnjë arsye që Kosova ta ndryshojë politikën e vet në raport me Serbinë.
“Zgjedhja është e qytetarëve serbë për presidentin e tyre, ne jemi të bindur se gjatë gjithë këtyre viteve në Serbi ka pasur ndryshime në subjektet politike, ka pasur ndryshime edhe në personalitet e atij vendi, por nuk ka ndryshuar politika serbe karshi Kosovës. Sa i përket se si do të reflektojë kjo çështje në Kosovë, mendojë se në Kosovë duhet të merremi për të kryer detyrat dhe përgjegjësit tona që na i jep Kushtetuta e vendit, dhe për të përmirësuar kualitetin e jetës së qytetarëve tonë, ky është obligim parësor që u mbetet institucioneve të Kosovës pro edhe parlamentit”, ka thënë ai, siç transmeton Kosovapress.
Sa i përket nenit 37 dhe 38 të Kodit të ri Penal, Krasniqi ka thënë se nuk do të diskutohen në seancën e radhës në Kuvend, ngase u janë dërguar komisionit përkatës, e ky i fundit ia rekomandon kryesisë ose Kuvendit.
Krasniqi duke folur për kushtëzimin e dialogut me fatin e të pagjeturve, ka thënë se ato që janë dhënë në Kuvend janë rekomandime, jo obligime apo vendime.
“Para së gjithash ato nuk janë vendim por janë rekomandime, unë e di që njerëzit e din peshën e rekomandimeve. Rekomandimet janë të tilla, ato mund të jenë të pranueshme por janë rekomandime, nuk janë obligime, nuk janë vendim i Kuvendit”, ka thënë ai.
Seanca e radhës së Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 24 maj, ndërsa tjetra pas saj do të jetë më një qershor, ku do diskutohet për të drejtat e fëmijëve.