Mediat britanike japin alarmin për afrimin e gripit të frikshëm australian, që do të jetë sipas tyre më i keqi në 50 vite.
Virusi “H3N2” është shkaku për 100 mijë raste dhe ekspertët e shëndetësisë mendojnë se është e pashmangshme që ai të “mbërrijë në Mbretërinë e Bashkuar”.
Sipas tyre, ky lloj i sëmundjes mund të marrë po aq jetë sa shpërthimi i tmerrshëm i Hong Kongut në vitin 1968.
Që sezoni i gripit është duke u afruar, këtë e paralajmëron edhe shtypi italian, i cili përvijon një tablo shumë më pak dramatike.
Edhe vaksina e prodhuar sivjet ndryshon fare lehtësisht nga ajo e vitit 2016. Fushata e vaksinimit në Itali duhet të nisë nga mesi i tetorit.
Por, ndonëse përpiqen të shmangin panikun, mjekët atje këmbëngulin se sezoni i gripit nuk duhet nënvlerësuar.
Të dhënat e Institutit të lartë italian të Shëndetit tregojnë se, në periudhën 2016-2017, gripi mbërtheu në shtrat 5.5 milionë vetë, numri i rasteve të rënda ishte 162, ndërsa ai i vdekjeve 68.
Gazetat britanike përmendin ndërkohë shqetësimin se, vaksina e prodhuar nga shkencëtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë nuk do të jetë efikase kundër shtamit “H3N2”.
Ajo është krijuar në mars, në bazën e viruseve që ekspertët prisnin të jenë në qarkullim dhe shpërndahet në shtator.