3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Mjekësia dhe prokurori: Ishte vrasje edhe pikë

Më të lexuarat

Eksperti i mjekësisë ligjore, Naim Uka, qëlloi kujdestar natën që Hamdi Sopa vdiq në rrethana të dyshimta, më 29 janar. Kur e pa se nuk po i del ashtu siç ishte thënë se dyshohet se rasti ka të bëjë me vetëvrasje, i thirri edhe dy kolegët e tij më të vjetër, Arsim Gërxhaliun dhe Flamur Blakaj. Këta tre ekspertë kryen autopsinë e të ndjerit Sopa ku versioni zyrtar doli se ai ishte vrarë e jo vetëvrarë siç ishte dyshuar në fillim.
Tash ky raport po kontestohet nga avokati i bashkëshortes së Hamdi Sopës e dyshuar për vrasje. Florin Vërtopi ka deklaruar se në bazë të gjitha provave del se i ndjeri Hamdi Sopa ka kryer vetëvrasje, duke kontestuar kështu raportin e mjekësisë ligjore. “Do të kërkojmë edhe ekshhumimin e kufomës, në mënyrë që t’i bëhet ekspertizë e re nga ekspertë ndërkombëtarë”, ka thënë Florin Vërtopi.
Por në Departamentin e Mjekësisë Ligjore qëndrojnë fuqishëm prapa raportit zyrtar që të hënën iu dorëzua prokurorit Blerim Isufaj. Në atë raport konstatohet se Hamdi Sopa nuk ka bërë vetëvrasje, por fillimisht është vrarë me thikë për t’u hedhur pastaj nga ballkoni i banesës në katin e nëntë. I kontaktuar nga Express drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se raporti i hartuar dhe i dorëzuar në Prokurori është shumë profesional dhe i saktë. Pa dashur të komentojë deklaratat e avokatit Vërtopi, Gërxaliu tha se qëndrojnë prapa raportit zyrtar.
“Qëndrojmë prapa raporteve tona, sepse të njëjtat përcillen edhe me fotografi të shumta”, tha Gërxhaliu. Ai sqaron se obduksioni është bërë në prezencë të hetuesve policorë, të Forenzikës dhe prokurores kujdestare. Këtë raport sipas tij ia kanë dorëzuar prokurorit dhe më nuk janë marrë me të. “I ndjeri nuk ka bërë vetëvrasje, ai është vrarë. Le ta sjellin kë të duan kështu do të dalë përgjithmonë”, tha Gërxhaliu për Express. Ai nuk jep detaje për mënyrën e vrasjes, sepse siç thotë krejt janë sqaruar në raportin që ia kanë dorëzuar prokurorit. Në bazë të këtij raporti prokurori Blerim Isufaj ka dhënë edhe urdhër për arrestim të bashkëshortes dhe dy vajzave të Hamdi Sopës. Momentalisht ato janë të dyshuarat e vetme për vrasjen e Hamdi Sopës.
Këtë e konfirmoi Isufaj edhe të enjten një ditë pasi gjyqtari i procedurës paraprake ua shqiptoi nga tridhjetë ditë paraburgim. Ndërkaq të gjitha ato që janë shkruar nëpër medie sipas prokurorit Isufaj janë spekulime dhe vetëm sa po i dëmtojnë hetimet. “Nuk ka asgjë të vërtetë me ato çka është shkruar. Unë bëj apel nëse dikush ka ndonjë provë në lidhje me këtë rast lirisht le ta deponojnë tek unë”, tha Isufaj. Ai po ashtu është i bindur se të dyshuarat e kanë kryer vrasjen. Për këtë tha se ka prova të mjaftueshme si dhe raportin zyrtar të Mjekësisë Ligjore. “Sikur mos të kishte prova të mjaftueshme as gjyqtari nuk do të caktonte masën e paraburgimit për të dyshuarat”, tha Isufaj.
Ai tha se prokuroria është duke punuar intensivisht për të zbardhur sa më shpejt këtë rast sipas tij të ndjeshëm.
Dyshimi i bazuar i prokurorit Blerim Isufaj është se të pandehurat T. Sopa, bashkëshortja e të vrarit Hamdi Sopa, dhe dy vajzat e tyre, A. dhe E. Sopa, më 29 janar 2013 rreth orës 16:05, në banesën e tyre në Prishtinë, për motive ende të panjohura e kanë privuar nga jeta bashkëshortin, gjegjësisht babanë e tyre. Viktimën e kanë qëlluar dy herë me thikë në regjionin e barkut, ku i janë shkaktuar plagët shpuese, e pastaj i njëjti është munduar ta kapë thikën, i është prerë dora nga tehu i saj. Në fund, viktima është goditur edhe me një mjet të fortë prerës në pjesën e pasme të kokës, e cila plagë ka qenë vdekjeprurëse.
“Të pandehurat më vonë e fshehin thikën nën lavatriçe dhe viktimën e hedhin nga kati i tetë i banesës në tokë. Me çka, ato kanë kryer veprën penale të bashkëveprimit në vrasje të rëndë”, thuhet në aktvendimin për paraburgim.
Tri të pandehurat u paraqitën të mërkurën para gjykatësit të procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Vehbi Kashtanjeva, i cili ua caktoi secilës masën e paraburgimit prej një muaji. Prokurori Isufaj, në kërkesën për masën e paraburgimit, ka thënë se të pandehurat mund të ndikojnë në dëshminë e dëshmitarëve, të cilët deri më tani janë dëgjuar nga prokuroria dhe ata të cilët nuk janë dëgjuar.
Pretendimet e prokurorit i ka hedhur poshtë mbrojtja që ka thënë se të pandehurat nuk e kanë kryer krimin, por i ndjeri ka bërë vetëvrasje. Sipas Florin Vërtopit nuk ka prova se klientja e tij Teuta Sopa dhe dy vajzat e saj kanë kryer krimin.
Sido që të jetë, ekipi mbrojtës i të dyshuarave kanë deponuar ankesë në Gjykatën e Apelit lidhur me vendimin e gjykatës. /Indeksonline/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit