Ju duhet të dini se edhe lëkura e nxirë është e prirë për t’u prekur nga kanceri, dhe se një lyerje me kremra të rrezitjes nuk është e mjaftueshme për t’u mbrojtur nga rrezet ultraviolet të diellit.
Melanoma, versioni më vdekjeprurës i kancerit të lëkurës, çdo orë një person vdes nga kjo sëmundje. Ky problem është rritur shumë në dekadat e kaluara dhe tash është lloji më i shpeshtë i kancerit te të rinjtë e moshes 25- 30 vjeç, veçanërisht te femrat e reja.
Edhe pse aspekti gjenetik shton rrezikun e prekjes nga melanoma, mënyra më e mirë për të parandaluar kancerin e lëkurës është të reduktoni ekspozimin në diell duke mbajtur veshje mbrojtëse, duke aplikuar kremra për mbrojtje nga dielli dhe thjesht duke qëndruar larg diellit.
Në vazhdim do t’u prezantojnë disa mite dhe të vërtetat rreth këtyre miteve, të ofruara nga Aleanca Kërkimore e Melanomës.
Mit: Nëse lëkura juaj nxihet, por nuk digjet, ju nuk mund ta fitoni kancerin e lëkurës.
Fakt: Ekspozimi në diell në cilindo nivel mund të kontribuojë në zhvillimin e kancerit. Edhe njerëzit të cilët zakonisht nuk digjen, mund të fitojnë melanomë.
Mit: Solariumet e nxirjes janë të sigurta pasi ato nuk janë “diell i vërtetë”
Fakt: Solariumet nuk janë më të sigurta se sa ekspozimi në diell natyral. Shumica e shtretërve për nxirje lëshojnë rreze ultraviolet A, të cilat depërtojnë në shtresat e thella të lëkurës dhe mund të shtojnë rrezikun për melanomë. Ato po ashtu përdorin rrezet ultraviolet B, shkaktarë të shumicës së djegieve nga dielli. Organizata Botërore e Shëndetësisë i klasifikon solariumet si “kancerogjene për njerëzit”. Femrat të cilët përdorin këto shtretër nxirës më shumë se një herë në muaj, janë 55 për qind më të prira të zhvillojnë melanomë, ka treguar një raport nga Instituti Amerikan i Kancerit.
Mit: Një aplikim i kremrave të rrezitjes në ditë është i mjaftueshëm për t’u mbrojtur nga dëmtimi i diellit.
Fakt: Kremrat e rrezitjes duhet të aplikohen sa më shpesh gjatë ekspozimit në diell, veçanërisht nëse ato mund të largohen nga djersa ose uji.
Mit: Përdorimi “adekuat” i kremrave të rrezitjes parandalon melanomën,
Fakt: Edhe pse kremrat e rrezitjes ndihmojnë në parandalimin e kancereve të lëkurës, ato ofrojnë mbrojtje minimale. Është po aq e rëndësishme të kufizoni ekspozimin në diell dhe të mbuloheni me veshje dhe pajisje mbrojtëse.
Mit: Nëse një njollë e cila ka qenë në trupin tuaj për vite ndryshon por nuk zgjerohet, ajo nuk mund të jetë melanomë.
Fakt: Shumë melanoma shfaqen në njollat ose nishanet që kanë ekzistuar më herët. Mjeku duhet të vlerësojë të gjitha njollat, plagët ose nishanet që kanë ndryshuar në trupin tuaj. Njerëzit me më shumë nishane duhet t’i nënshtrohen ekzaminimit rutinë në gjithë hapësirën e trupit, nga një dermatolog.
Mit: Melanoma mund të zhvillohet në pjesët e trupit ku dielli shëndrit.
Fakt: Disa lloje të melanomës nuk janë të lidhura me ekspozimin në diell dhe mund të zhvillohen edhe në vende të papritura, si: vaginë, rektum, brenda gojës, pjesën e poshtme të shputës dhe në shuplakat e duarve.