0.7 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Misvaku dhe dobitë që ka në trupin e njeriut.

Më të lexuarat

Në dy Sahih-ët shënohet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Sikur të mos druhesha se umeti im do të ngarkohej me diçka që nuk do të mund ta mbante, do t’i kisha urdhëruar që ta përdornin misvakun para çdo namazi.”

Po në dy Sahih-ët thuhet se: “Sa herë që Pejgamberi alejhi selam zgjohej natën, e pastronte gojën me misvak.”

Buhariu sjell një hadith tjetër, sipas të cilit Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Misvaku pastron gojën dhe kënaq Allahun.”
Muslimi nga ana e tij shënon hadithin që tregon se: “Pejgamberi alejhi selam, sa herë që hynte në shtëpi, gjëja e parë që bënte ishte përdorimi i misvakut.”

Ka një mori hadithesh që flasin për këtë temë. Në njërin prej tyre, që është autentik, thuhet se pikërisht pak para se të ndërronte jetë, Pejgamberi alejhi selam përdori misvakun. Ai tha: “Ju kam shqetësuar duke ju nxitur shpesh e shpesh që të përdorni misvakun.”

Misvaku më i mirë është ai prej drurit arak. Është e këshillueshme që ai të mos bëhet prej pemëve të panjohura, se mund të jenë edhe helmuese. Misvaku nuk duhet të jetë shumë i fortë, sepse ashtu mund të dëmtojë smaltin, duke bërë që dhëmbët të jenë të shfaqur ndaj avujve apo gazrave të nxehtë që dalin nga stomaku, ose ndaj çdo lloj papastërtie tjetër. Përdorimi me masë i misvakut pastron dhëmbët, forcon rrënjët e tyre, i jep shëndet gjuhës, parandalon krijimin e gurëzave, i jep gojës (frymës) erë të këndshme, qartëson të menduarit dhe rrit oreksin.

Mënyra më e mirë e mbajtjes së misvakut është duke e futur atë në ujë trëndafili, ndërsa lloji më i mirë i tij bëhet me degëza arre. Autori i El Tejsir-it thotë: “Thuhet se po ta përdorësh misvakun një herë në çdo pesë ditë, ai të pastron kokën nga brenda, të mpreh shqisat dhe shkathtëson mendjen.”

Misvaku është i dobishëm për shumë arsye, si, për shembull, era e këndshme që i jep gojës, forcimi i trysave, pastrimi i këlbazës dhe i shikimit, si dhe parandalimi i kaviteteve. Ai ruan shëndetin e stomakut, qartëson zërin, ndihmon procesin e tretjes, e bën të folurën më të zhdërvjellët, të nxit për leximin e Kuranit, për përmendjen e Allahut dhe për të bërë sa më shumë lutje. Misvaku largon përgjumjen, kënaq Allahun dhe engjëjt dhe shton veprat e mira.
Përdorimi i misvakut është i pëlqyeshëm në çdo kohë, por në mënyrë të veçantë përpara namazit, abdesit, kur zgjohesh nga gjumi ose kur goja mban erë të rëndë, dhe për ata që janë duke agjëruar. Megjithatë, ai është i preferueshëm për të gjithë njerëzit, në çdo çast të ditës.

Ka hadithe që e lejojnë përdorimin e misvakut gjatë agjërimit, sepse është i dobishëm për atë që agjëron dhe sepse ashtu kënaqet Allahu. Të kënaqësh Allahun kur je me agjërim është më e vlefshme se në gjendjet e tjera. Nga ana tjetër, misvaku pastron gojën, dhe pastërtia për agjëruesin është një nga veprat e tij më të mira.
Në Sunen shënohet se Amir ibn Rabiah ka thënë: “Unë e kam parë të Dërguarin e Allahut alejhi selam në disa raste duke përdorur misvakun, teksa ishte me agjërim.”

Buhariu sjell hadithin që përcillet prej Ibn Omerit, i cili tregon se Pejgamberi alejhi selam e përdorte misvakun në dy skajet e ditës.

Ka një mendim unanim, që thotë se agjëruesi mund ta shpëlajë gojën kur është duke marrë abdes, dhe shpëlarja e gojës me ujë është një detyrim më i madh sesa përdorimi i misvakut. Po ashtu, Allahu nuk ka bërë ndonjë lejim që njerëzit ta adhurojnë Atë me një gojë që u lëshon erë të rëndë, e as nuk e ka bërë këtë një akt adhurimi. Kur Pejgamberi alejhi selam tha se era e gojës së agjëruesit është më e mirë për Allahun sesa aroma e myshkut, ai donte që të jepte një nxitje për veprën e agjërimit, e jo që të lejonte erën e rëndë të gojës. Për këtë arsye, agjëruesit i nevojitet misvaku më shumë se çdokujt tjetër. Gjithashtu, dihet se kënaqësia e Allahut (për pastërtinë e gojës) është më e mirë se parapëlqimi i Tij për erën e gojës së agjëruesit.
Po ashtu, misvaku nuk e pengon erën e këndshme që Allahu do të krijojë në gojën e agjëruesit Ditën e Ringjalljes. Përkundrazi, kjo gojë do të kundërmojë atë ditë një aromë më të mirë se era e myshkut, si rezultat i agjërimit të atij personi, pavarësisht se misvaku i përdorur ia ka hequr erën e rëndë të gojës në këtë jetë. Në të njëjtën mënyrë, kush merr një plagë (në rrugë të Allahut) është i urdhëruar që ta kurojë atë në këtë jetë, por plaga e tij përsëri do të jetë e gjakosur Ditën e Gjykimit.
Përveç këtyre fakteve, sido që të jetë, misvaku nuk e largon plotësisht erën e gojës së agjëruesit; ajo mbetet pak, pasi stomaku vazhdon të jetë bosh.

Pejgamberi alejhi selam i mësoi umetit të tij veprat e pëlqyeshme dhe të urryera që shoqërojnë agjërimin. Ai nuk e përmendi përdorimin e misvakut ndër veprat e urryera, ndonëse ishte i vetëdijshëm se njerëzit e përdornin atë. Përkundrazi, ai i nxiste që ta përdornin atë, madje edhe njerëzit e kanë parë shpeshherë Pejgamberin alejhi selam me misvak në gojë, kur dihej se detyra e tyre ishte të vepronin njëlloj si ai. Asnjëherë nuk ndodhi që ai t’ua ndalonte misvakun në prag të iftarit, duke ditur që Pejgamberi alejhi selam e kishte detyrë që të shpallte një rregull a një ligj fetar pikërisht atëherë kur qe e nevojshme.

SHKEPUTUR NGA LIBRI “ZAD EL MEAD”
AUTOR IBN KAJIM EL XHEUZIJE.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit