Ushtruesi i detyrës të Ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Ivan Korçok tha sot në Beograd se vetëm një zgjidhje e përhershme në mes Prishtinës dhe Beogradit mund të jetë në interes të popujve të Kosovës dhe Serbisë.
“Ne jemi të bindur se Beogradi dhe Prishtina mund të gjejnë një formulë të pranueshme për të dyja palët dhe askush nuk dikton se çfarë duhet të jetë përmbajtja e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore”, tha Korçok, pas takimit me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq.
“Është shënuar progres në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme duhet t’u shërbejë interesave të dyja palëve”, tha ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.
Sipas agjencisë Beta, Korçok, ka shprehur bindjen se Beogradi dhe Prishtina mund të gjejnë një zgjidhje që është me interes për stabilitetin e Ballkanit.
Duke folur në konferencë për shtyp, shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia nuk mund të tregtojë me çështjen e Kosovës, dhe se marrëveshja duhet të jetë në interes të të gjithëve./tg