-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Ministri Hyseni: Çështja e liberalizimit të vizave është politizuar

Më të lexuarat

Gjatë raportimit të sotëm para komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, lidhur me emigrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës dhe përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni ka deklaruar se, rreth 80% e emigrimit ilegal i cili ka ndodhur në pesë muajt e fundit, është kryer nëpërmjet Serbisë sepse qytetarët e Kosovës, falë Marrëveshjes së Brukselit, mund të lëvizin nëpër Serbi pa viza dhe pasaporta vetëm me letërnjoftim, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Më tej, ai ka shtuar se arsyet kryesore të emigrimit ilegal të kosovarëve janë të natyrës socio-ekonomike të cilat nuk mund të rregullohen brenda natës. “Nga analizat që ne përpiqemi të bëjmë çdo ditë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, del se, pjesa dërmuese e këtyre njerëzve nisën dhe e marrin këtë rrugë për shkak të kushteve sociale dhe ekonomike. Domethënë, këto janë shtytësit kryesor që i bëjnë njerëzit e caktuar të gjejnë një rrugë më të lehtë për të arritur në vendet e Schengenit, përkatësisht, duke vrapuar pas tregimeve, shpeshherë iluzioniste, për lehtësimin e fitimit të një pune, fitimit të një statusi të azilantit” tha Hyseni dhe shtoi se, ka pasur edhe raste të ikjeve të qytetarëve të Kosovës të cilët kanë vende të punës por nuk janë të kënaqur me rrogat sepse, nga ato të ardhura nuk mund të bëjnë një jetë të dinjitetshme.    
 
Duke raportuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për emigrimin ilegal të kosovarëve, ministri Hyseni raportoi edhe për takimet e shumta me përfaqësuesit e huaj në Kosovë dhe vizitat jashtë vendit, me ç’rast porosia ishte e njëjtë: për kosovarët nuk kanë gjasa të fitojnë azil.
 
Ndër vizitat e shumta, Hyseni veçoi atë që ia kishte bërë, muajin e kaluar, kampit të qëndrimit në Hungari, lokalitet ku i cili i ngjante kazermës ushtarake në të cilën kushtet nuk ishin të mira, megjithatë ishin të përballueshme.
 
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme informoi komisionin se, kthimet e kosovarëve nga vendet e BE-së tashmë kanë filluar dhe ato do të intensifikohen gjatë javëve të ardhshme.
 
Lidhur me këtë çështje, ai bëri të ditur se, nesër në Beograd, do të organizohet takimi i drejtorëve të policisë së Kosovës, Serbisë, Gjermanisë, Hungarisë në mënyrë që të koordinohen për parandalimin e emigrimit ilegal por njëherësh edhe kthimin e kosovarëve të cilët tashmë kanë tentuar të shkojnë në mënyrë të parregullt në Evropë por janë zënë dhe pas qëndrimit në kampet e azilkërkuesve, janë refuzuar nga shtetet ku kanë aplikuar.
 
“Qeveria e Republikës së Hungarisë dhe qeveria e Serbisë, me pjesëmarrje edhe të qeverisë austriake, janë duke punuar në hartimin e një marrëveshjeje për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar. Të tillë do të jenë pjesa dërmuese, për të mos thënë qind për qind, megjithatë po e nënvizoj, azilkërkuesve të refuzuar, që të kthehen përmes të njëjtës rrugë tokësore përmes Hungarisë dhe Serbisë” theksoi Hyseni dhe shpjegoi se qytetarët e Kosovës nuk mund të kthehen në Serbi vetëm me letrën me të cilën kanë hyrë, por ju duhet një dokument i valid.
 
Ndërsa, gjatë raportimit për procesin e liberalizimit të vizave, ministri i Punëve të Brendshme theksoi se Kosova i ka plotësuar shumicën e kritereve të caktuara dhe se, më së largu deri në maj, do të plotësohen edhe ato pak kritere të mbetura. Sipas Hysenit, procesi i liberalizimit të vizave është politizuar dhe kriteret që Kosova duhet t’i përmbushë për të siguruar lëvizjen e lirshme në zonën e Schengenit, janë duke u zgjeruar vazhdimisht.
 
Ai shtoi se, Kosova është vendi i fundit në rajon që nuk mund të udhëtoj lirshëm në shtetet e zonës së Schengenit, prandaj vlerësohet si vendi më i izoluar në Evropë.
 
Njëherësh, Hyseni deklaroi se Kosova po vuan për shkak të vendeve të rajonit të cilat tashmë kanë liberalizim të vizave dhe prapëseprapë , numri i azilkërkuesve nga këto shtete janë të mëdha. 
 
Ministri Hyseni ka kritikuar Bashkimin e Evropian për izolimin e Kosovës, për të cilën arsye, kosovarët e rinj të cilët janë me orientim pro-evropianë, në mungesë të lirisë për të lëvizur kah perëndimi, sipas tij, të vetmin korridor të lëvizjes së lirë e kanë kah Lindja, nëpërmjet Turqisë.
 
Një çështje tjetër e cila i ka brengosur deputetët e komisionit parlamentar për Integrime Evropiane ishte, kthimi masiv i migruesve ilegal dhe si do të përballet Kosova me këtë.
 
Në këtë pyetje, ministri Hyseni është përgjigjur se do të kërkohet ri-shqyrtimi i buxhetit për tu shikuar mundësia e rritjes së fondeve për të kthyerit.
 
Deputetët u interesuan edhe për numrat e qytetarëve të cilët janë larguar nga Kosova, mirëpo ministri Hyseni nuk ka mundur të jap shifrat e sakta.
 
Krejt në fund, deputetët kanë kërkuar angazhim më të madh në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar që është një faktor i rëndësishëm në vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit