1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Minatorët e Trepçës ndërprenë punën

Më të lexuarat

– Minatorët nuk e njohin vendimin e AKP-së për emërimin e Eset Ujkanit për
ushtrues të detyrës së menaxherit të Kombinatit Trepça. Ata kërkojnë që
deri në zgjedhjen e menaxherit të ri, të emërohet dikush nga njohësit e
minierave: Halil Qela, Beqir Maliqi, Miftar Hyseni. Ky vendim është
marrë në një mbledhje të Sindikatës së Minatorëve.

Dorëheqja e menaxherit të Trepçës, Ferat Shala dhe emërimi nga AKP-ja i Eset Ujkanit për ushtrues të detyrës, ka nxitur pakënaqësinë e minartorëve. Të martën, pas daljes nga horizontet të ndërrimi i tretë, minatorët e ndërrimit të parë nuk zbritën poshtë në horizonte, por u mblodhën para hyrjes së minierës, duke refuzuar që ta nisin punën, raportoi pak më parë korrespondenti i “Kohës Ditore” nga Mitrovica.

Minatorët kërkojnë sqarim se çfarë po bëhet dhe çfarë do të ndodhë me Trepçen. Ata kërkuan që para minatorëve të vijnë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ish-menaxheri Ferat Shala dhe një përfaqësues i qeverisë.

Sabri Ismaili, përfaqësues i SP, tha se këto kërkesa, sidomos ajo e fundit për prezencën e kryeparlamentarit Krasniqi, Ferat Shala dhe një përfaqësuesi të qeverisë, duhet të përmbushet deri në orën 18:00, të martën, në të kundërtën minatorët do të nisen këmbë për në Prishtinë ose do të zbresin në horizonte për të hyrë në grevë.

“Me Trepçen po duan të veprojnë sikurse me “Ferronikelin” dhe me ndërmarrjet tjera, që ta shkatërrojnë ekonominë e Kosovës”, ka thënë ai.

Me minatorët e tubuar janë përpjekur të bisedojnë përfaqësuesi i AKP-së, Fatos Meqa, Eset Ujkani, ushtrues i detyrës së menaxherit të Trepçës, por edhe menaxheri i Flotacionit, Miftar Hyseni, por ata nuk janë lejuar të flasin. Minatorët e revoltuar i kanë urdhëruar ata që të dalin jashtë, në të kundërtën, “mund të ndodhë gjithçka”.

Gjatë gjithë kohës, minatorët kanë brohoritur: “Nuk lejojmë privatizimin e Tepçës”, si dhe “Nuk e njohim AKP-në“.

Minatorët janë në pritje të përmbushjes së kërkesave të shtruara.koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit