-3.8 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

“MINAT” NË RRUGËN DREJT EVROPËS

Më të lexuarat

Koha në të cilën po jetojmë është një kohë e integrimeve të ndryshme dhe të rëndësishme për kombin tonë në përgjithësi. Në rrugën e këtyre integrimeve padyshim se na presin sfida të mëdha dhe në anën tjetër duhet të lirohemi nga shumë vese negative me të cilat do të kemi shumë vështirë të dëshmojmë, se ne jemi për ndryshime.

Kur jemi te pengesat që na dalin në këtë rrugë zakonisht nga elita jonë dëgjojmë analiza të ndryshme, të cilat në njëfarë mënyre na alarmojnë për minat e vendosura në këtë rrugë dhe të cilat në qoftë se nuk mënjanohen me kujdes, padyshim se mund të na kushtojnë shumë më tepër se vetëm mosintegrimi atje ku jemi nisur. Nuk është për t’u habitur kur elita e një populli e kryen me përgjegjësi detyrën që ka marrë përsipër ndaj popullit të vet dhe i mëson ata se cilës rrugë duhet të mësyjnë për të dalë nga errësira në dritë. Por ajo që na bën të çuditemi është kur nga kjo elitë dëgjohen zëra se njëra nga këto mina përmes së cilës mund të minohet në tërësi procesi i integrimeve mbarëkombëtare është identiteti fetar i shqiptarëve muslimanë.

Për çudi, një identitet i cili për një kohë të gjatë na ka bërë faktorë të rëndësishëm, jo vetëm në zhvillimet rajonale, por edhe ato ndërkombëtare, tashmë jo vetëm që na duhet ta harrojmë, por edhe ta konsiderojmë si një aksident të historisë sonë mbarëkombëtare.

Madje edhe në rastet kur nga elita evropiane dërgohen mesazhe të qarta se identiteti nuk diskutohet, por pengesë kryesore është “korrupsioni, luftërat e pafundme ndërmjet partive, mosgarantimi i të drejtave, ndërhyrjet në drejtësi dhe media etj.”, ata megjithatë këmbëngulin se zgjidhja për shqiptarët qëndron në fshirjen e kujtesës kolektive, kur bie fjala për identitetin fetar dhe hapja e një faqeje të re të një kombi në tërësi. Nga ky popull kërkohet pothuajse që ai të zhvishet nga vlera, të cilat megjithë zbehjen e tyre kanë bërë që të na mbetet një pikë nderi e burrërie.

Prandaj në vend që kjo elitë të jetë shpresa e tij, e cila me besim të madh në vetvete dhe në vlerat që bart do ta udhëheqë drejt integrimeve të dobishme dhe do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e tij, mu ajo e injoron veten dhe vlerat që ka duke menduar se me injorimin e vetes, madje edhe të prezantimit të rrejshëm të saj do të mund të arrihet ndokund.

Në anën tjetër disa të tjerë duke mos qenë të vetëdijshëm, se edhe ata janë pjesë e rëndësishme e kësaj elite, madje në disa raste edhe vendimtarë për shumë zhvillime parapëlqejnë për veten e tyre të qëndruarit në periferi, duke u bërë kështu pjesë e problemit e jo pjesë e zgjidhjes.

Kjo situatë më kujton rastin e dijetarit të madh Imam Ahmedit nga i cili u kërkua të heqë dorë nga një e vërtetë, të cilën pushteti i asaj kohe dëshironte të ishte ndryshe. Atëherë ky dijetarë duke qenë i bindur në veten e tij, se ajo që ai po prezanton është e vërteta, atyre që i kërkuan atij një kompromis në dëm të së vërtetës iu drejtua me këto fjalë: “Në qoftë se të pandershmit e përhapin vazhdimisht të pavërtetën, ndërsa në anën tjetër të diturit e heshtin të vërtetën, atëherë më thoni se kur do të vijë koha që ky popull ta njohë atë që është e vërteta.”

Shpresoj që këto fjalë të arta të këtij dijetari të madh të lëkundin sadopak ambiciet tona për ta ngritur zërin jo vetëm që të dëshmojmë se ajo që ne po flasim është e vërteta, por edhe për shkak të këtij populli të ngratë, i cili nuk po mundet ende të dalë jashtë laboratorëve të eksperimenteve të ndryshme e lëre më të integrohet ndokund më tutje.

Enis Rama/albislam.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit