2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Miliona euro për vizat Schengen

Më të lexuarat

Kosova është vendi i vetëm në regjionin e Ballkanit Perëndimor, ndaj të cilit Bashkimi Evropian aplikon regjim të vizave.

Pavarësisht kësaj, në tre vjetët e fundit, mbi 217 mijë kosovarë kanë aplikuar për viza dhe kanë shpenzuar rreth 15 milionë euro për pagesa në ambasada të ndryshme.

Këtë e bëri të ditur Agron Demi, drejtor nga Institutit “GAP”, në një konferencë për media. Ai shtoi se më shumë se 17 për qind e aplikantëve për viza refuzohen nga ambasada të ndryshme, duke mos iu kthyer të hollat që paguhen.

“Për tre vjet 2010-2012, mbi 217 mijë kosovarë kanë aplikuar për viza. Vetëm kosto direkte në ambasada, për tre vjetët është mbi 9 milionë euro. Kur kësaj i shtohet edhe kostoja tjetër prej mbi 5 milionë euro që shkon për përgatitje të dokumenteve, atëherë del se kosovarët kanë shpenzuar mbi 15 milionë euro për viza. Vendi që kanë përfituar më së shumti, është Zvicra me 2.7 milionë, pastaj vjen Gjermania me 2.4 milionë dhe vendet si Italia me 1.7 milion etj.” , tha Demi.

Edhe vetë qytetarët flasin për vështirësitë e tyre që përballen nëpër ambasada, po qe se dëshirojnë ta vizitojnë ndonjë vend të Bashkimit Evropian e më gjerë.

Bujar Mavriqi është njëri nga aplikuesit për vizë. Ai tha Radios Evropa e Lirë se kohët e fundit ka aplikuar tri herë për vizë Schengen, derisa dy herë ka arritur ta marrë vizën e një herë është refuzuar.

“Unë, tri herë kam aplikuar për vizë, dy herë kam arritur ta marr vizën, një herë jo. Vizën e kam pasur Shengen dhe e kam pasur të drejtën të udhëtoj në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Ambasada e Gjermanisë më ka refuzuar, pa m’u dhënë ndonjë arsye. Dhe, të hollat që i kam paguar, 35 euro, nuk më janë kthyer”, u shpreh Mavriqi.

Edhe Ardiana Ahmeti tregoi një përvojë të ngjashme. “Unë kam aplikuar në Ambasadën e Amerikës dhe më kanë refuzuar dy herë. Kam paguar 100 dollarë, madje edhe kur të refuzon, nuk t’i kthen ambasada paratë”.

Ndërsa, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike theksoi se Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat tjerë institucionalë duhet të angazhohen më shumë për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, që dalin nga Komisioni Evropian.

“Viti 2013 fillimisht ka qenë i proklamuar nga Qeveria e Kosovës si vit i liberalizimit të vizave dhe ky vit nuk do të jetë ai viti i liberalizimit. Andaj, Kosova edhe më tej do të mbetet si vendi më i izoluar në Evropë sa i përket qarkullimit të lirë në zonën Schengen.
Reformat që duhet të nisen në kuptim të luftimit të korrupsionit dhe vendosjes e përgatitjes së bazës së mirë ligjore, natyrisht që duhet t’i bëjë Qeveria. Natyrisht që ka edhe institucione tjera që ndihmojnë në këtë proces, por dera kryesore është Qeveria e Kosovës”, theksoi Korenica.

Sidoqoftë, në shkurt të këtij viti, Komision Evropian i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës një raport për liberalizim të vizave ku në të, ndër të tjerat është vlerësuar se Kosova ka bërë disa përparime, por njëherësh evidentohen edhe shumë ngecje, të cilat e mbajnë ende Kosovën larg liberalizimit të vizave. /kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit