-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Miliona amerikanëve u mohohet e drejta e votes, arsyeja do i’u çudisë…

Më të lexuarat

Shtetet e Bashkuara kanë më shumë të burgosur se ndonjëherë më parë – rreth 6.1 milionë burra dhe gra. E drejta bazë demokratike për të votuar për këta shkelës të ligjit ndryshon shumë nga shteti në shtet. Në disa shtete, si Florida, ish-të burgosurit presin me vite për të rifituar me mund të drejtën e votës. Ndërsa, Vermonti është një nga dy shtetet amerikane që u lejon të burgosurve aktualë të ushtrojnë të drejtën e votës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, na njeh me ndikimin që mund të kenë këta votues me të drejta të kufizuara në zgjedhjet lokale dhe kombëtare amerikane.

Shteti i Vermontit i dha Dan Close-it një shans të dytë pasi bëri një gabim të pafalshëm.

“Nëse je shtetas amerikan, duhet të kesh edhe të drejtën e votës, qoftë i burgosur, apo jo”, thotë Close.

Ai është një ndër miliona njerëz në mbarë vendin, të cilët kanë të drejtën të votojnë pasi janë gjetur fajtorë, në rastin e tij për akuzat për drogë. Close banon në njërin prej dy shteteve amerikane, Vermont dhe Maine, që u lejojnë të burgosurve të drejtën e votës.

“Njerëzit e marrin për të mirëqenë. Është një e drejtë që e ndjen kur të hiqet”, thotë Close.

Por, qasja progresive e shtetit Vermont për të drejtën e votës nuk është edhe aq popullore këtu.

“Paguan çmimin e humbjes së lirisë”, thotë Richard Perry, banor i Vermontit.

14 shtete amerikane ua rikthejnë automatikisht të drejtën e votës të dënuarve që lirohen nga burgu.

Të paktën kështu duhet të ndodhë.

“Sapo një person ri-integrohet shoqëri dhe bëhet anëtar kontribues i saj, mendoj se duhet t’u rikthehen të gjitha të drejtat”, thotë Andrew Kingsbury, ish-punonjës i sistemit të burgjeve.

Nuk po ndodh kështu me Yraida Guanipa. Vuajtja e dënimit të saj për drogë në Florida, ka përfunduar vite më parë, por ajo thotë se ende po ndëshkohet.

“Askush nuk e imagjinon dot sa e dhimbshme është. Tani unë as nuk votoj dot. Madje nuk di nëse do votoj dot ndonjëherë”, thotë Yraida Guanipa, ish-e dënuar në shtetin Florida.

Ajo është vetëm një nga 4.7 milionë të dënuarit në mbarë Shtetet e Bashkuara, të cilët nuk votojnë dot. Së bashku me shtatë ish-të dënuar të tjerë, ajo ka paditur shtetin e Floridas për proceset e rikthimit të së drejtës së votës.

“Ata aplikojnë standarte të paqarta, si p.sh.: a e ke transformuar jetën tënde; a ke treguar keqardhje të mjaftueshme – pra, çfarë mund të vlejë për një person, nuk bën për një tjetër”, thotë Jon Sherman, i Rrjetit Ligjor për Zgjedhjet e Drejta.

Në Florida bëhet fjalë për 1.5 milionë votues, pra një përqindje e konsiderueshme në një shtet tepër të rëndësishëm për zgjedhjet presidenciale. Njehsimi i këtyre mospërputhjeve mes shteteve amerikane për rikthimin e të drejtës së votës të dënuarve është pjesë e një debati rreth shtypjes së të drejtës së votës, debat që po zhvillohet në prag të zgjedhjeve për Kongresin amerikan.

Anketimet tregojnë se shumica e votuesve të Floridas mbështesin një iniciativë për të ndryshuar procesin e rikthimit të së drejtës së votës të dënuarve.

Ndërkohë, në shtetin e Vermontit, Close mezi pret të votojë në zgjedhjet për Kongresin.

“Është vetëm një votë, por që mund të bëjë ndryshimin”, thotë ai.

…Është një mundësi që ai nuk e merr lehtë. / Marrë nga Zëri i Amerikës

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit