-3.4 C
Pristina
Saturday, January 18, 2025

Midis Turqisë dhe Evropës?

Më të lexuarat

Nga: Enis Sulstarova

Midis Turqisë dhe Evropës?

Pyetja që shtrohet vazhdimisht

Disa erdhën prej kufirit
e thanë se nuk ka më barbarë.
Çdo të bëhemi tani pa barbarët?
Ata do të kishin qenë një zgjidhje.
 
Konstandin Kavafi “Duke pritur barbarët”
 
Me Turqinë apo me Evropën? Kjo duket se është dilema që disa intelektualë shqiptarë, duke denoncuar neo-osmanizmin, shtrojnë para shqiptarëve. Sigurisht që është një dilemë e paqenë, e cila ofron alternativa të rreme, por duhet të kuptojmë se përse ajo është e mundur të artikulohet dhe pse duket si e besueshme. Me fjalë të tjera, përse në debatin publik shqiptar marrëdhëniet e shqiptarëve me Turqinë dhe “Evropën” shpeshherë paraqiten si përjashtuese të njëra-tjetrës? (“Evropën” e vendos midis thonjëzash për të treguar se përfytyrimet intelektuale të Evropës janë të larmishme dhe të ndryshueshme në histori; shih librin tim Jam Evropë! të botuar muajin e kaluar nga Logos-A.) Përgjigja e kësaj pyetjeje që shtrojmë këtu është e lidhur me lëvizjen kombëtare shqiptare, formimin e identitetit kombëtar shqiptar në gjysmën e shek. XIX.
Siç ka ndodhur edhe me nacionalizmat e tjerë ballkanikë të kohës, ideali i nacionalistëve shqiptarë ishte krijimi i një shteti kombëtar dhe modern sipas modelit të shteteve kombëtare të Evropës Perëndimore. Në përpjekjen për t’u çliruar prej Perandorisë Osmane, ata përdorën stereotipin orientalist të “Turkut despot” që ishte formuar në Evropë në shekullin e Iluminizmit, ku që nga Monteskjeja ishte bërë e modës që qeverisja e arsyeshme dhe e ndritur evropiane të krahasohej me sundimin irracional në Orient. Në mënyrë të ngjashme, rilindësit vinin përballë kombit shqiptar, që e përfytyronin si kombi më i lashtë i Evropës, atë turk që e paraqisnin si aziatik e barbar. Për shembull, Sami Frashëri te manifesti Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë, shkruan: “Na ç’kemi me ta? A mos erthmë me ta? Jo kurrë! Na s’jemi as Turqias të ardhurë nga shkretëtirat e Asisë. Na jemi m’i vjetri komp i Evropësë; kemi të drejtë në dhet’ t’Evropësë më tepër se çdo komp”. I vëllai, Naimi shkroi poemën e parë historike të Skënderbeut me theks nacionalist, ku midis të tjerash përshkruhet edhe sulmi barbaro-aziatik turk (“kur nj’e madhe egërsirë/ duke dalë pej Asije/ u përhap si errësirë/ dh’e mbuloj botën si hije”) ndaj Shqipërisë mesjetare që ai e përshkruan me tone idilike si një vend ku mbretëronte urtësia, paqja, kamja, nderi, drejtësia, dashuria, miqësia e besa. Duhet kujtuar se Samiu, Naimi dhe rilindësit që vepronin brenda Perandorisë nuk ishin të huaj për shoqërinë osmane. Në njëfarë mënyre, ata Stambollin e shihnin si vendin e tyre, në ndonjë rast ndoshta edhe më shumë se sa qytetin ose fshatin shqiptar ku kishin lindur. Samiu sot në Turqi konsiderohet si babai i gjuhës moderne turke dhe ai në shkrimet e tij e quan turqishten “gjuha jonë amtare”, ndërsa turqit e Azisë Qendrore i përshkruan si “të parët tanë”. Mirëpo, në kontakt me idetë iluministe, romanticiste e nacionaliste të kohës, ata e përvetësuan edhe orientalizmin evropian për ta përdorur si arsenal ideologjik për çështjen urgjente të kohës: fati i shqiptarëve në prag të rënies së Perandorisë Osmane. Duhet kujtuar këtu se një lëvizje e ngjashme kulturore ka ndodhur edhe te elitat turke të atëhershme, që kërkonin zgjimin e kombit turk prej topitjes dhe keq-qeverisjes osmane dhe që merrnin si model të kohës së artë fiset turke të Azisë Qendrore përpara mërgimit të tyre në Anadoll. 
Gjithsesi, te Rilindja Kombëtare e ka zanafillën varianti shqiptar i orientalizmit, i cili pas pavarësisë u institucionalizua në historiografi, letërsi, arte etj., duke përforcuar imazhin e turkut si “tjetri oriental” i kombit shqiptar. Së bashku me të u përhap edhe miti i shqiptarëve si shpëtimtarë të qytetërimit evropian prej barbarisë aziatike, diçka që propagandohej edhe gjatë komunizmit, me gjithë urrejtjen e regjimit ndaj Perëndimit borgjez. Në një nga pllakatet e muzeut Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, epopeja e kryengritjes shqiptare në shek. XV kundër turqve paraqitet në të njëjtin plan së bashku me ndaljen e saraçenëve në Puatje të Francës dhe me ndaljen e “invazionit barbar në Valshtad” (?), një seri kërcënimesh këto ndaj “zhvillimit evropian”.   
Prandaj, nuk është aspak e habitshme që turqit rishfaqen te shkrimet e sotme të disa intelektualëve mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ismail Kadareja dhe intelektualë të tjerë kanë popullarizuar tezën e ndarjes së dyfishtë të shqiptarëve nga Evropa, “kontinenti mëmë”: një herë në shek. XV kur shqiptarët u pushtuan nga osmanët dhe një herë në shek. XX kur në Shqipëri u vendos regjimi komunist. Gjysmë shekulli totalitarizmi komunist në Shqipëri shpesh shpjegohet si një rrjedhojë e drejtpërdrejt e sundimit turk, që do të thotë që sikur ky i fundit të mos kishte ndodhur, as komunizmi nuk do të kishte qenë ai që ishte dhe Shqipëria do të kishte pasur një histori dhe zhvillim “normal” evropian. Ky është një lloj historicizmi banal, ku çdokush ndjehet komod duke fajësuar turkun që na ka sjellë të gjitha të zezat. Për të dhënë një shembull, përkthyesi dhe kritiku letrar Piro Misha procesin e integrimit të Shqipërisë në BE e sheh si një melhem që po vendosim mbi plagët e historisë: “…çdo hap më tej në këtë rrugë, është një hap më larg ndikimit të trashëgimisë osmane, njëlloj siç po i largohemi për vit e më shumë ndikimit që vazhdon të ketë periudha, gjithsesi mjaft më e shkurtër, e Enver Hoxhës” (Panorama, Tiranë, 21.02.2010). 
Mund të mendohej se teza të tilla sempliste që rreken të shpjegojnë gjithçka me “turkun barbar” do të ishin një dukuri kalimtare e viteve të para të tranzicionit, kur Evropa ende konceptohej në mënyrë mitike nën efektin e izolimit të gjatë të vendit. Mirëpo, na del se intelektualët tanë nuk bëkan dot pa na kujtuar turqit, se afrimin e Shqipërisë me BE-në do ta lidhin patjetër me fantazmën e turkut. Shembujt e turkofobisë që mund të sjellim prej botimeve shqipe në shekullin e tanishëm janë të shumtq dhe disa prej tyre përmbajnë argumente të rrënjosura në biologji, sikur të jenë kopjuar prej manualeve të pastërtisë racore që botoheshin në Gjermaninë naziste. Në variantin e shtypur të një referati që Willy Kamsi ka mbajtur në konferencën “Kleri katolik shqiptar dhe parimet e demokracisë perëndimore” të vitit 2004, ndeshim këtë pasazh: “Shqipnia dhe populli shqiptar janë Europë dhe nuk do të ketë forcë që të mund t’i detyrojë të jenë ndryshe. Këtë, ndoshta, mund ta dojë nji pakicë, e përbame nga stërnipa të kolonëve të vjetër aziatikë që zunë vend në Shqipni, fill mbas e gjatë pushtimit të turqëve osmanllinj, pakicë që don t’i imponohet shumicës së madhe të shqiptarëve, me nji pjesë të të cilëve kanë fe të përbashkët, por jo përkatësinë etnike”.
Ismail Kadareja ka shpjeguar se një nga shtysat për të shkruar esenë aq të diskutuar për identitetin evropian të shqiptarëve ishte për t’u shpjeguar evropianëve se shqiptarët nuk janë turq, ngaqë jo shumë kohë më parë votuesit në Francë dhe Holandë kishin hedhur poshtë Traktatin Kushtetues të Evropës, vetëm e vetëm sepse nuk i donin turqit në BE (Shekulli, Tiranë, 26.06.2006). Para disa kohësh analisti Mustafa Nano redaktonte një rubrikë në revistën e përjavshme MAPO të Tiranës, ku ftonte njerëz publikë që t’i përgjigjeshin një liste standarde prej 25 pyetjesh për historinë, gjuhësinë, letërsinë e politikën shqiptare, Zotin, besimet fetare e çështje personale. Një nga pyetjet e listës së tij ishte: “E kuptoni apo e qortoni merakun e shumë evropianëve lidhur me anëtarësimin e Turqisë në BE?” Kjo pyetje duket si e pavend, midis të tjerave, që janë kryesisht për historinë e politikën shqiptare, por ajo krijon përshtypjen se anëtarësimi i Turqisë në BE është ose duhet të jetë edhe meraku i shqiptarëve. Nuk ka rëndësi se si përgjigjet i anketuari, nëse ai e mirëkupton apo e qorton shqetësimin e (shumë) evropianëve për anëtarësimin e Turqisë, sepse vetë pyetja e ka krijuar tashmë efektin e saj: problematizimin e marrëdhënies së Turqisë me Evropën në mendjen e lexuesve shqiptarë të revistës, secili prej të cilëve duhet të mbajë qëndrimin e tij për këtë çështje. 
Në këtë sfond orientalist e turkofob duhen vendosur edhe shkrimet që paralajmërojnë rrezikun neo-osman ndaj Shqipërisë. Së fundi, këmbanës së neo-osmanizmit i ra revista (tashmë e përmuajshme) MAPO e Tiranës, duke u përpjekur që ta mishërojë neo-osmanizmin te partia e Aleancës Kuqezi. Në numrin e saj të muajit prill, “skupin” e saj të dyshimtë se Aleanca Kuqezi financohet nga fondacioni i klerikut turk Fetullah Gylen, revista e shoqëron edhe me disa materiale të tjera, që përbënin dosjen e saj mbi neo-osmanizmin. Krahas fjalimit që ministri i punëve të jashtme të Turqisë, Ahmet Davutollu, mbajti në Sarajevë më 16 tetor 2009, revista ka ribotuar artikullin e Piro Mishës me titull “Neo-otomanizmi dhe Shqipëria”, i cili duke komentuar fjalimin e Davutollusë ngre shqetësimin për doktrinën e “neo-otomanizmit” në politikën e jashtme turke, të cilën Misha e interpreton si një lëvizje për të kundërpeshuar ndikimin e BE-së në Ballkan. Edhe pse Davutollu e ka refuzuar emërtimin e neo-osmanizmit për politikën e jashtme të vendit të tij (në një intervistë ai ka thënë se “unë nuk jam neo-osman”), edhe pse ai ka shprehur mbështetjen e Turqisë që vendet e Ballkanit të integrohen në BE dhe NATO dhe që Ballkani të jetë një pjesë integrale e Evropës së bashkuar, këto nuk janë argumente për Mishën, sepse ky kërkon t’i mëshojë fort idesë së kundërvënies shekullore midis Turqisë dhe Evropës. Në fakt, Misha e pranon që nuk ka kurrfarë rreziku që doktrina “neo-otomane”, edhe nëse ajo ngjall nostalgji osmanofile te disa shqiptarë, të pengojë rrugën e Shqipërisë drejt Evropës. Megjithatë, ai e konsideron si detyrë intelektuale që t’u bëjë thirrje politikanëve e diplomatëve tanë që t’i japin përgjigje diplomacisë turke se miqësia midis dy vendeve nuk duhet të bazohet mbi nostalgjitë osmane, por mbi interesin shtetëror e kombëtar. Shumëkush do të pajtohej plotësisht me Mishën se kuti me të cilin duhen vlerësuar miku dhe armiku në politikën e jashtme është përparimi i interesit kombëtar. Dihet se interesi kombëtar dhe shtetëror i shqiptarëve e kërkon që ata në kohën tonë të aspirojnë të jenë anëtarë të Bashkimit Evropian, por a e justifikon ky fakt që shqiptarët të ushqejnë e të shfaqin nostalgji për atë që Misha tjetërkund e quan “kontinenti mëmë”, edhe pse diçka e tillë nuk ekziston në histori e politikë, por vetëm në mitologji dhe arte?!
Te i njëjti numër i revistës MAPO gjendet edhe intervista e titulluar “Neo-otomanizmi? Streha e të frustuarve”, me historianin e qytetërimeve në Universitetin e Tiranës, Agron Gjekmarkaj. Ai neo-osmanizmin e quan si një “formulë të re antieuropiane” të Turqisë. Kurse në Shqipëri neo-osmanizmin e sheh si një frymë të pashkëputur që nga Hamza Kastrioti e Ballaban Pasha e deri më sot. Neo-osmanët në Shqipëri ai i quan “të frustuar shpirtërorë, kulturorë e politikë”, “me identitet të humbur fetar e kombëtar”, “të çorientuar e të gatshëm për të bashkëpunuar me cilindo armik të radhës”. Gjithmonë sipas Gjekmarkajt neo-osmanët janë ata që dje ndërruan fenë, më pas përqafuan revolucionin kulturor kinez e sot dallohen nga sjellja e tyre “antihistorike”, “antievropiane” e “joshqiptare”. Nuk ka nevojë për koment, veçse pasi ke mbaruar së lexuari artikullin e tij, habitesh që pedagogu në fjalë është ligjërues për historinë e qytetërimeve në katedrën e universitetit!
Nëse me “neo-osmanizëm” do të kuptojmë politikën e re të jashtme të Turqisë për të ushtruar ndikimin e saj në atë hapësire gjeopolitike ku dikur shtrihej Perandoria Osmane, duhet të kemi parasysh dy gjëra. Së pari, se kjo është diçka normale për sjelljen e shteteve dhe se Shqipëria, Kosova dhe faktorët politikë shqiptarë duhet të kenë parasysh faktorin e Turqisë kur përpunojnë politikat e tyre në fushën e shahut të marrëdhënieve ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit. Edhe pse Turqia mund të përdorë elementë kulturorë dhe historikë për të lehtësuar pranimin e ndikimit të saj në rajon, “neo-osmanizmi” nuk ka të bëjë me rikthimin e osmanëve, sepse dihet që historia nuk përsëritet. Së dyti, “neo-osmanizmi” (sërish nëse me këtë do të emërtojmë aspiratën e Turqisë për të qenë aktor në perimetrin e saj) nuk bie ndesh me proceset e integrimit në BE dhe NATO që po ndodhin në Ballkan dhe nuk ka asnjë lidhje me përplasjen e supozuar historike midis “Evropës” dhe Perandorisë Osmane.
Lidhur me emërtimin “neo-osman” për politikën e jashtme të Turqisë, Davutollu ka arsye që e refuzon. Po ta shpallte gjithkund dhe kurdoherë se Turqia në politikën e re të jashtme e sheh veten si pasardhëse e Perandorisë Osmane, ai do të tregonte “cekëti strategjike”. Për sa i përket Ballkanit, nuk pritet që, bie fjala, në Serbi, Bosnjë, Maqedoni, Greqi ose Shqipëri, përmendja e osmanëve të ngjallë të njëjtat emocione, siç mund të ngjallë në Turqi. Madje edhe në Turqi, qëndrimet ndaj periudhës osmane janë të larmishme në shtresa të ndryshme të popullsisë dhe elitave politike e kulturore. Në fund të fundit, politika e tanishme turke në rajon do të matet më shumë nga efektet e saj reale sesa nga emërtimi. 
Për t’u rikthyer te dilema Evropë-Turqi edhe në prag të njëqind-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, do të ketë intelektualë shqiptarë që do të marrin poza rilindëse për të luftuar fantazmën e “turqve barbarë”, të cilën ata vetë vazhdojnë ta thërrasin. Ndoshta mendojnë se bëhen më evropianë duke ricikluar në kontekstin shqiptar turkofobinë e orientalizmin e një pjese të perëndimorëve. Ose, ndoshta besojnë se misioni “antemurale” i shqiptarëve vazhdon akoma. Në këtë pikë është legjitime të pyesim: a mundemi të ndërtojmë një diskutim publik për integrimin evropian të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve pa qenë nevoja t’u referohemi turqve dhe Turqisë? Çfarë do të ndodhte, vallë, në rast se, si në poezinë e famshme të Kavafit, barbarët nuk vijnë?
 
Marre nga revista shenja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit