0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Microsoft TechDay 2012 u mbajt në Prishtinë

Më të lexuarat

Tradita vazhdon: tani, për herë të pestë me radhë, Microsoft në bashkëpunim me ITBM Group organizuan seminarin e njohur me emrin Microsoft TechDay 2012. E ndarë në dy seksione të ndryshme në dy salla të hotelit Emerald, në njërën “IT Pro Track” dhe në njërën “Developer Track”, ngjarja kishte tërhequr vëmendje madhe, gjë e cila pasqyrohet nga numri i madh të ardhurve edhe pa ftesa e po ashtu edhe me ftesa. Deri gjatë ditës së djeshme ishin mbetur edhe disa vende të lira, por në pasdite këto vende ishin rezervuar nëpërmjet internetit.

Pas mbarimit të regjistrimit, pjesëmarrësit u ndanë në seksionet për të cilat kishin dëshirë dhe filluan prezantimet nga ligjëruesit. Në seksionin “IT Pro Track” ligjërues ishin Damien Caro, i cili kishte qenë edhe në Microsoft IT Campus gjatë ditës së djeshme që ishte mbajtur në Universitetin Amerikan të Kosovës, i cili foli në përgjithësi për teknologjinë cloud, pastaj ligjëruesi i ndërmarrjes Microsoft nga regjioni i Maqedonisë, Dimitar Grozdanov, me temën që ishte si vazhdimësi e temës së parë, rreth të mësuarit e fillimit të ndërtimit të cloudit privat. Pas tyre Driart Elshani filloi të ligjërojë me temën rreth një ngjarjeje të vërtetë për suksesin e arritur me implementimin e Microsoft Forefront TMG në infrastrukturën e IT-së në qeveri. Dukagjin Maloku ligjëroi për risitë në versionin për vitin 2012 të SQL Serverit dhe 10 arsye se pse ky version duhet të pëlqehet. Në fund të seksionit të parë, “IT Pro Track”, ligjëroi sërish, por tani me temën për vëzhgim të Windows Server 8, duke e shoqëruar paraqitjen edhe me disa demonstrime.

Në anën tjetër, në të njëjtën kohë zhvilloheshin edhe ligjëratat në seksionin “Developer Track”, ku ligjëroheshin më tepër tema që ishin të përqendruara në interes të zhvilluesve. Ligjërimin e filloi ligjëruesi Karl Davies Barrett, i cili kishte ligjëruar edhe gjatë vitit të kaluar, ndërsa tani me temën për risitë e sistemit operativ Windows 8, i cili pritet të dalë gjatë vjeshtës së këtij viti, si dhe u tregua risia mbase edhe më e theksuar në Windows 8: platforma për aplikacione Metro, e cila ishte një mrekulli më vete, pasi që paraqiste mundësi të shumta për sinkronizim të gjuhëve të ndryshme programuese përgjatë platformave të ndryshme si celular, tablet apo kompjuter personal. Pas tij, në skenë për ligjërim doli Betim Drenica, i cili tash e pesë vjet është një ligjërues i përvjetshëm. Kësaj radhe ai foli aplikacionet e Windows Phone duke përdorur Windows Azure. Pas Betimit, ligjërues i radhës ishte zhvilluesi profesional, i cili njëkohësisht është edhe ligjërues në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, Arian Celina, me temën MVC4 dhe WebAPI. Pas drekës, u shtjellua e njëjta temë e përmendur më sipër e cila ishte shpjeguar nga Dukagjin Maloku, por në seksionin tjetër, në të njëjtën kohë , por nga një këndvështrim tjetër, Lamir Shkurti, i cili është punëtor në ndërmarrjen Appdec, filloi të flas për 10 arsyet për të cilat mund të pëlqehet SQL Server 2012. Lamir Shkurti, megjithëse në TechDay për herë të parë, u ndërpre disa herë gjatë ligjërimit jo vetëm nga pyetjet e shumta nga publiku, por edhe duartrokitjet e të pranishmëve në sallë. Në fund, por jo më pak i rëndësishmi, Rexhep Kqiku nga ndërmarrja Armods, i cili njëherit është edhe bashkëthemelues i kësaj ndërmarrje, me një prezantim të shkurtër të paraqitur në PowerPoint, por me demonstrime të shumta paraqiti risitë e përfshira në Visual Studio 11.

Të gjithë ligjëruesit dhanë disa shpërblime për disa nga pjesëmarrësit. Sipas përfaqësuesit nga ndërmarrja ITBM Group, Sarand Kadriu, numri i pjesëmarrësve ishte përafërsisht rreth 350, shifër kjo e cila paraqet interesimin e madh të të rinjve, të cilët e përbënin pjesën dërrmuese të publikut, për të marrë njohuri rreth produkteve të Microsoftit, por edhe për fushën e teknologjisë në përgjithësi.   /PCWorldAlbanian/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit