Mësyshi është një shikim që del, apo lëshohet, nga një krijesë, qoftë njeri, xhin apo kafshë, burrë apo grua. Ky shikim drejtohet drejt sendit që ai e shikon dhe e pëlqen, dhe si pasojë e këtij shikimi ndikohet, apo ndryshon, ai send me lejen e Allahut të Lartësuar.
Ndikimi i mësyshit realizohet si shkak i lakmisë, habisë, dashurisë, apo urrejtjes dhe zilisë. Mësyshi ka një force të jashtëzakonshme të cilën nuk arrijnë ta kuptojnë shumica e njerëzve. Mund të ndikojë në shpejtësi dhe largësi shumë të madhe, dhe ndikimi i tij të vazhdojë me vite.
Dijetarët islamë bëjnë të ditur se mësyshi mund të shkaktojë paralizë të tërësishme, çmenduri, vetëvrasje, kancer, aborte dhe shumë e shumë sëmundje të ndryshme, të cilave nga aspekti mjekësor nuk u gjendet assesi shkaku dhe origjina e tyre.
Dijetari i madh islam Ibën Haxher (Allahu e mëshiroftë!) thotë: ”Mësyshi është të shikosh mahnitshëm e me lakmi, qoftë dhe pa zili, qoftë edhe nga njeriu më i mirë, por që ai pëlqen diçka dhe e mahnit, le ta urojë, le ta bekojë, le të lutet për të duke thënë MASHA-ALL-LLAH”.
Komentatorët e Kur’anit pohojnë se mësyshi është më i shpejtë se sa shpejtësia e xhinëve. Kurse shpejtësia e xhinëve është sa hap e mbyll sytë, ata kalojnë prej një shteti e në një tjetër.
Ndikimi i mësyshit është i ngjashëm me ndikimin e rrezeve të diellit, të cilat nuk mund të shihen me sy, por ndikojnë te vendi që godasin. Mësyshit me lejen e Allahut i mundësohet që të jap ndikimin e tij mahnitës në: Mençuri, në dituri, në pasuri, në rizk, në bukuri, në zgjuarsi, në moral, në urtësi, në pozitë, në dashuri për fe, në oratori, në bukuri të zërit, në të ecur, në shkathtësi, dhe në shumë e shumë cilësi të tjera, të cilat i janë dhuruar robit si mirësi dhe begati nga Zoti xh.sh.
Muhamedi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Mësyshi është i vërtetë, rrëzon dhe malin e lartë.” (Sahihul Xhami’i: 4146)