Dhjetë hadithet e ditës së sotme, kanë në qendër të vëmendjes mësimin e dijeve, zënien e tyre, etikën e dijetarit, nxitjen për të mësuar Fjalën e Zotit dhe kuptimin e saj.
Hadithet e këtij blloku, në tërësinë e tyre kanë vlera të mëdha që lidhen me origjinën e fillimit të shpalljes së Kur’anit Famëlartë, që nisi me urdhëresën hyjnore për lexim e thellim në dituri.
Njëkohësisht, jepen udhëzime edhe për mësuesit e dijeve, që të jenë të urtë, lehtësues, jo dhunues e ekstremizues, jo dëbues e frikësues të njerëzve nëpërmjet teksteve dhe udhëzimeve të ndryshme, sidomos atyre fetare.
Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).
Transmetimet e kësaj dite, nisin me urdhërin profetik: “Mësoni…”, a: “Mësojuani…”, a ngjashëm me to. Një hadith i vetëm, brenda konteksteve të këtij blloku, nis me fjalën: “Dija…”.
1. “Mësoni për farefisin tuaj, që të ruani lidhjet, sepse ruajtja e lidhjeve farefisnore është dashuri në familje, begati në pasuri, jetëgjatësi!” – (Hadithi nr. 3319, f. 199. Ahmedi, Tirmidhiu dhe Hakimi, nga Ebu Hurejra. Etj.).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “E, përsa i përket dashurisë, për shkak të bamirësisë ndaj tyre, ndërsa jetëgjatësia e përmendur këtu, ka për qëllim lëvdatat dhe kujtimin e mirë në vazhdimësi…” – (vëll. 3, f. 307).
2. “Mësoni rregullat e haxhit, sepse ato janë pjesë e fesë tuaj!” – (Hadithi nr. 3320, f. 199. Ibn Asakir, nga Ebu Saidi).
3. “Mësojeni dijen dhe mësoni respektin ndaj dijes!” – (Hadithi nr. 3321, f. 199. Ebu Nuajmi, nga Omeri).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, mësoni respektin dhe seriozitetin ndaj vetë dijes. Thotë Ibnul-Mubarek: [Isha tek Imam Maliku, (pra, në dersin e tij -M.S.-), kur e pickoi një insekt në 16 vende. Atij i ndryshoi ngjyra e fytyrës, duroi dhe nuk e ndaloi fjalën. Kur përfundoi, e pyeta dhe më tha: “Durova në shenjë madhërimi ndaj hadithit të Resulull-llahut (a.s)!”]…” – (vëll. 3, f. 307-308).
4. “Mësoni prej diturive sa të dëshironi, se pasha All-llahun nuk do të shpërbleheni për mbledhjen e diturive, derisa të punoni me to!” – (Hadithi nr. 3324, f. 199. Ebul-Hasen El-Medini, nga Enesi).
5. “Mësoni obligimet (e fesë) dhe Kur’anin dhe mësojuani njerëzve, sepse unë do të largohem!” – (Hadithi nr. 3326, f. 199. Tirmidhiu, nga Ebu Hurejra).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Pra, (do të largohem), sepse jam njeri sikurse edhe ju, do të vdes dhe nuk do të jetoj përjetësisht… Ka thënë Et-Turbeshti: “Disa kanë menduar se termi “el-feraid”, këtu, ka për qëllim shkencën e feraidit, (administrimi i trashëgimisë së të vdekurit), por kjo nuk ka argument. Në pamje të parë, ka për qëllim obligimet që ka bërë detyrim All-llahu për robët e Tij…”] – (vëll. 3. f. 309-310).
6. “Mësojeni Librin e All-llahut, (lexojeni) me vazhdimësi, këndojeni atë, se pasha Atë që ma ka shpirtin në dorën e Tij, ai (Kur’ani), humbet më shpejt se deveja në vathë!” – (Hadithi nr. 3328, f. 199. Ahmedi, nga Ukbe ibn Amiri).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, mësojeni përmendësh Kur’anin dhe kuptojeni atë, lexojeni në vazhdimësi dhe me butësi zemre, sepse nëse harrohet, ai largohet më shpejt se devetë, që ikin nga vatha e tyre… E ka bërë këtë krahasim, se zakonisht, kur deveja largohet nga vatha, s’para zihet më.” – (vëll. 3, f. 310).
7. “Dija që nuk i mësohet të tjerëve ngjan me thesarin që nuk shpenzohet!” – (Hadithi nr. 5470, f. 338. Ibn Asakir, nga Ibn Omeri).
8. “Mësojuani fëmijëve tuaj notin dhe goditjen në shenjë..!” – (Hadithi nr. 5478. Ibn Mendeh dhe Ebu Musa, nga Bekr ibnur-Rebia).
9. “Mësoni të tjerët; lehtësoni dhe mos vështirësoni, jepni sihariqe dhe mos i largoni njerëzit dhe, kur të zemërohet ndonjëri prej jush, le të ulet!” – (Hadithi nr. 5480, f. 339. Ahmedi dhe Bukhariu në “El-Edeb”).
10. “Mësojuani burrave tuaj suren “El-Maide” dhe grave tuaja suren “En-Nur”!” – (Hadithi nr. 5482, f. 339. Said ibn Mensur dhe Bejhekiu, nga Muxhahidi, mursel).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Sepse në suren e parë ka disa ndalesa të forta për burrat, ndërsa në suren e dytë, për gratë…” – (vëll. 4, f. 419).
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 15 janar 2017