59- vjecari Ilir Rizvanolli është gjetur i varur të mërkurën mbrëma brenda një lokali të braktisur në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës. Trupi i pajetë i viktimës ishte dekompozuar, pasi dyshohet se ka qëndruar për rreth 2 muaj. Rizvanolli edhe pse qysh në mars nuk ishte paraqitur në shtëpi, ai asnjëherë nuk u lajmëruar si i zhdukur nga familjarët. Gjakovari ka lënë edhe amanete.
Familja Rivanolli, nga Qabrati i Gjakovës, të enjten nuk kishte hapur të pame. Humbja tragjike e 59 vjeçarit, po kalohej si diçka e zakonshme brenda kësaj familje të vjetër qytetare. Kjo pasi Ilir Rizvanolli që dyshohet se u vetëvra, kishte lënë disa amanete para se t’i merrte vetes jetën duke u varur në litarë.
Të mos hapet e pame, e që dera e shtëpisë së tij të jetë e mbyllur për tre ditë, kishte qenë amaneti i burrit gjakovarë, që i kishte shënuar në një letër që u gjet afër trupit të tij të pajetë, brenda lokalit të boshatisur në Çarshi të Vjetër të Gjakovës.
59 vjeçari i varur u gjet të mërkurën mbrëma i vdekur, madje trupi i tij ishte dekompozuar dhe lokali që është pronë e vëllait të tij që jeton jashtë Kosove, edhe të enjten po kundërmonte nga aroma të pakëndueshme. Kjo pasi, Ilir Rizvanolli po dyshohet se aktin e vetëvrasjes e kreu rreth dy muaj më parë, kur edhe ishte larguar nga shtëpia e tij.
Por, përkundër kësaj familja tek të mërkurën ka bërë denoncim në polici.
Motra e viktimës ka qenë e irrituar nga raportimet e mediave që janë bërë për të vëllain, pasi i ka penguar që në publik të flitet për familjen e tyre që thoshte se janë me zë në Gjakovë.
Ajo tha se për vëllanë kanë menduar se ndodhej në Shqipëri, qysh më 16 mars 2018, prej kur nuk është parë më.
Por, gjatë bisedës me të, ka ndërhyrë bashkëshorti i saj, një burrë me theks nga Shqipëria, i cili ka fyer, kërcënuar e i është vërsulur ekipit të Expressit që kishin shkuar tek familja e viktimës.
Për rastin ka folur Policia e Kosovës.
Lirie Podrimja, zëdhënëse e PK’së për Gjakovë, tha se trupi është dërguar për në autopsi dhe policia po tenton të bëjë hetim tjetër rreth arsyeve të vetëvrasjes.
“Personi i vdekur është me inicialet I.R 58 vjeçar i cili ka dalë nga shtëpia me datën 16 mars të këtij viti. Prej kësaj date familjarët nuk e kanë raportuar rastin si të zhdukur”, ka thënë ajo.
Nga ana tjetër, të afërm të viktimës, kanë treguar se në letrën që u gjet brenda lokalit ku u gjet i varur Ilir Rizvanolli, viktima ndër amanetet që kishte lënë me shkrim kishin qenë edhe varrosja e tij me rroba dhe mos vendosja e njoftimeve për vdekjen e tij, që zakonisht bëhet në shtylla elektrike.
Po ashtu, të njëjtit kanë treguar se 59- vjeçari kishte pasur telashe personale dhe borxhe në kohët e fundit.
Denoncimin e këtij rasti në polici, një natë më parë, e ka bërë gruaja e viktimës.