0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Meshkujt i presin hyritë e xhenetit, e femrat e devotshme a thua kush i pret?

Më të lexuarat

Pyetja:

Eselamu alejkum ue rahmetullahu ue berekatuhu!
Kam një pyetje, ndoshta do të duket pak e çuditshme. Po lexoj shpesh në faqen tuaj për xhenetlinjtë, se si do të shpërblehen me shumë të mira në xhenet, p.sh. sot lexova një urtësi për të varfrin kalifin Omer, i cili para se të vdiste familjes së tij ia kishte lënë amanet suren Vakia. Aty përmendeshin hyritë e xhenetit, virgjëresha, symëdha, jo të lindura, moshatare me meshkujt, që do t’u përkushtohen vetëm burrave të vet. E shtrova pyetjen: Meshkujt i presin hyritë e xhenetit, e femrat e devotshme a thua kush i pret? Apo ato në atë botë vetëm do t’i shikojnë burrat që kanë pasur në këtë botë duke u kënaqur me hyritë e tyre? A do t’i presin edhe ato të hijshmit në atë botë? Shpresoj që Allahu nuk hidhërohet me këtë pyetjen time.

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Pyetja që keni bërë është një çështje që shpeshherë parashtrohet dhe ngrihet si problem nga shumë femra besimtare. Por ka edhe disa që mendojnë se edhe nuk është në rregull të pyesin rreth gjendjes së tyre dhe të burrave të tyre në xhenet, ashtu si shpreheni edhe ju në fund të letrës, prandaj për të larguar paqartësitë, keqkuptimet dhe pikëpyetjet rreth gjendjes së femrave në xhenet, do të japim përgjigje të sqaruar në disa pika.

Nuk u mohohet femrave që të pyesin për gjendjen e tyre në xhenet, rreth shpërblimeve e kënaqësive që do t`i përjetojnë atje. Kjo për faktin se natyra e njeriut, femër qoftë apo mashkull, është e nxitur të mendojë për vendqëndrimin e ardhshëm të tij, se si do të jetë. Profeti, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, nuk i qortonte shokët e tij për kësi lloj pyetjesh. Vërtetohet se e kanë pyetur rreth xhenetit se me çfarë është i ndërtuar. Ai ka thënë: “Është i ndërtuar me tjegulla të arit dhe të argjendit, llaçi është nga myshku, zalli nga margaritarët dhe diamanti, ndërsa dheu është nga shafrani. Kush hyn aty, do të begatohet e kurrë më nuk do të ketë vështirësi, do të jetojë përjetësisht dhe nuk do të vdesë, nuk do t`i grisen rrobat dhe nuk do të mplaket!” Shënon Ahmedi dhe Tirmidhiu.

Pastaj e kanë pyetur se a do të kenë kontakte me gratë e tyre në xhenet dhe ai është përgjigjur pozitivisht. Natyra njerëzore mallëngjehet dhe ngazëllohet kur përmendet xheneti dhe begatitë që do të përjetohen atje. Të pyesë besimtari për këto gjëra nuk ka të keqe, por me kusht që ky përmallim e mallëngjim të mos mbetet vetëm si shpresë që nuk shoqërohet me vepra të mira. Allahu i Lartësuar thotë: “Hyni në xhenet, ju dhe gratë tuaja, të gëzuar! Atyre u shërbejnë me enë e gastare nga ari, aty do të kenë çka t’u dëshirojë shpirti dhe t’u kënaqet syri. Ju do të jeni aty përgjithmonë.” Në fund të këtyre paralajmërimeve për përjetimet e xhenetlinjve, Allahu i Lartësuar thotë: “E ky është xheneti, që u është dhënë për atë që keni punuar.” (Zuhruf, 70-72)

Begatitë dhe shpërblimet që do të kenë xhenetlinjtë në xhenet nuk janë të posaçme vetëm për burrat. Me fjalë të tjera, në ato begati kanë hise edhe femrat, si thotë Allahu i Lartësuar: “… (Xheneti) i përgatitur për të devotshmit.” Pra nga të dy gjinitë, ashtu si sqarohet në ajetin: “Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër duke qenë besimtarë, të tillët hyjnë në xhenet dhe nuk u bëhet farë padrejtësie.” (Nisa, 124)

Nuk është e qëlluar që femra ta preokupojë tepër veten me pyetje të shumta dhe duke kërkuar sqarime të thukëta rreth hyrjes në xhenet, se çfarë do të veprojë atje, ku do të shkojë… dhe pyetje të tjera. Mjafton të kuptojmë se vetë hyrja në xhenet për njeriun do të thotë përfundim i të gjitha vështirësive dhe mundimeve që kishte para vetes; të gjitha vuajtjet i shndërrohen në lumturi dhe kënaqësi të përjetshme. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata aty nuk i godet kurrfarë lodhje dhe nuk do të nxirren kurrë prej tij.” (Hixhër, 43) Dhe thotë: “…Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Ky është shpëtim i madh.” (Maide, 119)

Kur Allahu i Lartësuar në Kuran flet për begatitë e përgatitura për xhenetlinjtë, i josh dhe i nxit burrat duke u treguar për bukurinë e grave të xhenetit, ndërsa e kundërta nuk ndodh. Kjo nuk nënkupton se femra nuk do të ketë kënaqësi të këtij lloji, në këtë edhe ajo do të jetë e njëjtë sikur mashkulli, por ato do të jenë së bashku me burrat e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Hyni në xhenet, ju dhe gratë tuaja, të gëzuar!”(Zuhruf, 70)

Në xhenet nuk do të ketë njeri të pamartuar, mashkull qoftë apo femër. Femrat të cilat kanë qenë të martuara do të jenë gra të burrave të tyre, ndërsa ato që nuk janë martuar, do të martohen me meshkujt që kanë hyrë në xhenet. Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Në xhenet nuk do të ketë të pamartuar.” Shënon Muslimi.

Dijetarët të cilët kanë folur për arsyen se pse nuk përmendet ky lloj i kënaqësisë për femrat në xhenet, ashtu si përmendet për burra, apo pse nuk do të ketë më shumë se një burrë gruaja në xhenet, kanë dhënë shpjegime të shumta, ndër to:

– Kuptohet se femrat për nga natyra janë më të turpshme se burrat, prandaj urtësia e Allahut ishte që ato të mos joshen e nxiten me gjërat për të cilat turpërohen.

– Malli dhe dëshira e mashkullit për femër është më e madhe se dëshira e femrës për mashkull, prandaj Allahu i nxiti meshkujt për xhenet duke ua përmendur gratë e xhenetit. Epshi i mashkullit është më i theksuar se ai i femrës, ashtu si sqarohet nga ata që flasin në këtë fushë. Ndërsa ajo që është përhapur te disa njerëz, se epshi i femrës është më i madh se i mashkullit, nuk është e vërtetë dhe për këtë nuk ka argument dhe realiteti i femrës dëshmon të kundërtën. Epshi i femrës është i ndryshueshëm; kemi faza në të cilat gruaja absolutisht nuk ka epsh për mashkullin, pastaj edhe nëse ky epsh shtohet tek ajo, atëherë kjo ndodh vetëm disa ditë në faza të caktuara të cilat i kalon gjatë muajit, ditëve të tjera në përgjithësi ajo është e kërkuar nga burri. Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Nuk kam lënë pas vetës sprovë më të rrezikshme për burrat sesa gratë.” Shënon Buhariu.
Nxitja dhe joshja e femrës pas gjërave të tjera, si zbukurimi (rrobat e zbukuruara), stolitë e çmuara, dukja bukur, etj., e tejkalon joshjen e saj pas meshkujve, prandaj Allahu i Lartësuar i nxiti burrat për xhenetin duke ua përmendur gratë e xhenetit.

– Femra në përgjithësi është e kërkuar nga mashkulli dhe jo e kundërta, prandaj rëndomtë edhe në rastin e martesës burri është ai i cili kërkon martesë e jo femra. Pra, femra është ajo që kërkohet e lypet dhe mashkulli është kërkuesi dhe jo i kërkuari.

– Është e mundur që Allahu i Lartësuar t`ua kompensojë këtë me lloje të tjera të kënaqësive. Allahu i Lartësuar thotë: “Aty do të kenë çka t’u dëshirojë shpirti dhe t’u kënaqet syri. Ju do të jeni aty përgjithmonë.” (Zuhruf, 71)

– Ligjet dhe rregullat në xhenet dallojnë nga ato që janë të njohura dhe konsiderohen aksioma të kësaj bote. P.sh. ushqimi në këtë botë për njeriun është që ta forcojë e mbajë veten, më pas vjen nxjerrja e mbetjeve të panevojshme për trupin, ndërsa në xhenet nuk është kështu. Pastaj martesa në këtë botë është për lënien e pasardhësve, ndërsa në xhenet nuk ekziston ky qëllim dhe gjëra të tjera të shumta, të cilat do të ndryshojnë prej kësaj bote. Banorët e xhenetit do të jenë të tërë në begati e mirësi dhe nuk do të kenë zili, xhelozi, urrejtje, mërzi, hidhërim, dhimbje dhe gjëra që janë përditshmëri të kësaj bote. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne kemi hequr prej zemrave të tyre çfarëdo urrejtje, e ata në mbështetëse qëndrojnë ballë për ballë njëri-tjetrit duke qenë të vëllazëruar. Ata aty nuk i godet kurrfarë lodhje dhe nuk do të nxirren kurrë prej tij.” (Hixhër, 47-48) Dhe thotë: “E ata (banorët e xhenetit) thonë: “Falënderuar qoftë Allahu që largoi prej nesh brengat; vërtet, Zoti ynë është që falë shumë dhe është bamirës. I cili nga mirësia e Tij na vendosi në vendin e përjetshëm, ku nuk do të na prekë ndonjë mundim fizik dhe ku nuk na prek ndonjë molisje.” (Fatir, 34-35)

Duke e pasur parasysh këtë, mund të konkludojmë se në xhenet nuk do të ketë xhelozi dhe zili në mes grave ashtu si ndodh në këtë botë. Kështu që ndjenja të cilën e ndien tani gruaja kur dëgjon për hyritë e xhenetit dhe se si burrat e tyre do të kenë atje hyri përveç gruas, është reflektim i xhelozisë që femra në këtë botë e ka, ndërsa në xhenet nuk do ta ketë. Gratë e kësaj bote, të cilat do të begatohen me hyrjen në xhenet, në krahasim me hyritë e xhenetit do të jenë shumë më të bukura, më të mira dhe më të privilegjuara se hyritë e xhenetit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata (burrat) dhe gratë e tyre do të jenë nën hijet të mbështetur në kolltukë.” (Jasin, 56)

Gjithashtu thotë: “Hyni në xhenet, ju dhe gratë tuaja, të gëzuar!”(Zuhruf, 70) Kurse për vlerën e tyre ndaj hyrive të xhenetit, Abdullah Ibën Mubareku transmeton një hadith ku Profeti, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Gratë e kësaj bote, të cilat do të hyjnë në xhenet, do të jenë më të vlefshme se hyritë e xhenetit për shkak të veprave që kanë bërë në këtë botë.”
Transmetohet se Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë se gratë besimtare të kësaj bote janë më të privilegjuara se hyritë e xhenetit për këto arsye: “Ne jemi falur, kurse ato jo. Ne kemi agjëruar, kurse ato jo. Ne kemi marrë abdest, kurse ato jo. Ne kemi dhënë lëmoshë, kurse ato jo.” Pra, Aishja thotë se me veprat e mira të cilat i kanë bërë në këtë botë gratë besimtare të kësaj bote do t`i mundin hyritë e xhenetit dhe do të jenë më të bukura, më të kërkuara dhe më të privilegjuara. Prandaj, ky është përgëzim për gratë besimtare që do ta arrijnë xhenetin, pasi ato do të jenë zonjat e xhenetit, më të bukurat se të tjerat dhe do të jenë të privilegjuara dhe të lumtura përjetësisht. Allahu i Lartësuar në lidhje me to thotë: “(në xhenet) Ne i kemi krijuar ato (gratë e kësaj bote që do të hyjnë në xhenet) në një krijim të ri (formë të re shumë më të bukur). Dhe ato i kemi bërë virgjëresha. Të dashuruara (për burrat e tyre), të një moshe.” (Vakia, 35-37)
Alaudin Abazi
5.9.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit