-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Mesazhi Paqtues i Profetit Muhamed a.s

Më të lexuarat

Një pjesë e rëndësishme e misionit të Profetit a.s ishte vendosja e paqes në botë. Një nga mënyrat që ai përdori për ta arritur këtë ishte përpjekja për të bindur njerëzit se të gjithë burrat dhe gratë, pavarësisht vendndodhjes së tyre në të gjitha rajonet e globit, dhe ndryshimeve racore, kulturore,gjuhësore etj, janë në fakt vëllezër dhe motra me prejardhje të njëjtë. Ky mesazh ishte thelbësor, pasi një marrëdhënie normale dashurie dhe respekti mund të arrihet vetëm nëse qeniet njerëzore pranojnë njëri-tjetrin. Për të rrënjosur ndenja të tilla, Profeti a.s u thoshte pasuesve të tij: “Ju jeni të gjithë pasardhës të Ademit dhe ai (Ademi) u krijua nga balta.” Në lutjet e tij drejtuar Krijuesit ai gjithashtu thoshte: “Zoti im, të gjithë shërbëtorët e tu janë vëllezër.”

Profeti i edukonte pasuesit e tij të jetonin në paqe me të afërmit dhe miqtë duke thënë: “Besimtar i vërtetë është ai nga i cili të tjerët përreth tij ndihen të sigurt,” pra një njeri që i përgjigjet urrejtjes me dashuri. Ai i mësonte besimtarët se reagimet e përzemërta vetëm pasi dikush tjetër të ishte afruar me dashuri nuk ishin në nivelin e duhur etik. Besimtari i vërtetë asnjëherë nuk duhet të ketë parasysh reciprocitetin për t’u sjellë mirë me të tjerët. Përkundrazi, ai duhet t’u bëjë mirë edhe atyre që sillen keq me të, dhe të frenojë veten nga lëndimi i atyre që e keqtrajtojnë. Shembullin më të mirë për këtë e ofron vetë Profeti a.s. Të gjitha fjalët dhe veprimet e regjistruara të tij e shfaqin atë njeri bujar, të ëmbël, modest, me energji pozitive dhe ndjeshmëri të lartë. Një njeri me dashuri të jashtëzakonshme për njerëzit dhe kafshët.

Pavarësisht pozitës së tij si prijës, Profeti kurrë nuk e konsideronte veten më të mirë apo më të madh se të tjerët. Ai kurrë nuk i bënte të tjerët të ndiheshin të vegjël, të padëshiruar apo të nënvlerësuar. Ai i nxiste pasuesit e tij të silleshin me modesti dhe butësi, të lironin skllevërit kurdo që mundeshin si dhe të bënin bamirësi – veçanërisht ndaj njerëzve tejet të varfër, jetimëve dhe të dënuarve pa të drejtë – përkundrejt asnjë shpërblimi apo interesi.

Ai u shoshte njerëzve se “çdo fe ka disa karakteristika të veçanta të saj, ndërsa veçantia e të qenit musliman është modestia.” Në mungesë të këtij virtyti, asnjë komunitet nuk mund të gëzojë paqe të qëndrueshme. Modestia e Profetit a.s, e shoqëruar me forcën e jashtëzakonshme të karakterit, përshkruhet në historinë e mirënjohur të një gruaje të vjetër mekase që e urrente Profetin a.s. Çdo mëngjes, kur Profeti kalonte pranë shtëpisë së saj, ajo i lëshonte mbi kokë një kosh me mbeturina nga kati i sipërm i shtëpisë. Ai kurrë nuk u grind me të për këtë veprim të pahijshëm. Një ditë, Profeti a.s kaloi në të njëjtin vend dhe çuditërisht në kokën e tij nuk ra asnjë mbeturinë. Duke menduar se gruaja e vjetër mund të ishte sëmurë, ai u ngjit lart për të pyetur për gjendjen e saj, dhe e gjeti të shtrirë në shtrat. Kur mësoi se Profeti a.s kishte ardhur ta vizitonte gruaja filloi të qante me ngashërim, “Unë u solla keq me ty, ndërsa ti vjen të interesohesh për shëndetin tim!” Përfundimisht ajo u bë prej pasuesve të tij. Ç’forcë karakteri, ç’durim dhe tolerancë tregoi Profeti a.s duke refuzuar të binte pre e provokimit dhe duke zgjedhur të tregonte bujari dhe keqardhje për dikë që e meritonte t’ja uroje sëmundjen. Morali i tij ishte aq i lartë, saqë edhe nëse dikush e keqtrajtonte, ai ia kthente të keqen me të mirë. Njerëzit e lëndonin, e megjithatë ai lutej për to. Ai i bënte ballë shtypjes me durim, dhe pavarësisht provokimeve, ai e përmbante veten nga hakmarrja. Përmes ofrimit të këtij shembulli, ai synonte të bashkonte zemrat që ishin të orientuara nga Zoti, që e konsideronin Allahun xh.sh tejet madhështor për t’u zhytur në imtësirat e zemërngushtësisë. Ai dëshironte që gjithkush të gëzonte paqe të brendshme aq të qëndrueshme sa asnjë vogëlsi të mos e trazonte. Vetëm ata individë që gëzojnë një harmoni të tillë nuk mund të bien pre e çikërrimave tokësore. Tërësisht të çliruar nga reagimet negative, ata do të ishin në gjendje ta shndërronin gjithçka në këtë botë, qoftë materiale a shpirtërore, në ushqim për t’u thelluar më tej në urtësi, në vend të justifikimeve për veprime hakmarrëse dhe dëmtuese.

Esenca e kësaj filozofie shprehet në një nga thëniet e Profetit a.s : “ Për nëntë gjëra më ka urdhëruar Zoti; frikë ndaj Allahut xh.sh në publik dhe në privatësi; drejtësi, në zemëratë dhe qetësi; vetëpërmbajtje, në varfëri dhe pasuri; bashkimi i duarve me ato që largohen nga unë; bujaria me ata që duan të më zhvatin; falja ndaj atyre që më bëjnë keq; heshtje për të medituar; fjalë për të përkujtuar Allahun; dhe vizion të ngritur mbi vëzhgime të mprehta.”

Përgjatë 13 viteve të para të misionit të tij, Profeti Muhamed a.s predikoi në Meke, por u përball me kundërshti të hapur nga banorët vendas. Kur qëndrimi i mëtejshëm në Meke u bë i pamundur, ai u largua në Medine. Luftëra u ndërmorën kundër tij, e megjithatë ai u tregoi kundërshtarëve të tij se fuqia e paqes e kapërcen atë të luftës. Traktati i paqes i Hudejbijes, është një shembull i qartë për këtë. Profeti a.s pranoi çdo kusht të vendosur nga kundërshtarët e tij në këmbim të garancisë së vetme që në fund të mbizotëronte paqja.

Përvoja e tij jetësore shkallëzohet nga skamja tek prosperiteti, nga dështimet tek suksesi, megjithatë, pavarësisht nivelit të vështirësisë apo mirëqenies, ai me vendosmëri ndoqi shtegun e vetëpërmbajtjes. Në të gjitha kohërat, deri në fund të jetës. Ai mbeti një shërbëtor i duruar dhe i palëkundur i të Gjithëfuqishmit, duke sjellë mes njerëzve mesazhin e tij të paqes dhe tolerancës.

Burimi: huda.tv

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit