-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Mes tensionesh e britmash – Salustro fajëson Limajn dhe të tjerët

Më të lexuarat

Të mërkurën në mëngjes prokurori i rastit “Kleçka”, italiani Mauricio Salustro e ka nisur seancën me një sërë tensionesh e britmash midis tij dhe Fatmir Limajt, në cilësinë e të akuzuarit.

Limaj e ka ndërprerë disa herë fjalimin e Salustros kur ky i fundit ka paraqitur dy dokumente të cilat është kërkuar ndaj trupit gjykues që të merren parasysh si prova të reja, sepse sipas Salustros përbëjnë prova relevante dhe nuk paraqesin pengesë procedurale në vazhdimin e çështjes.

Salustro ka kërkuar nga Limaj që mos ta ndërprenë derisa tensionin është dashur ta ndalojë vetë trupi gjykues me rrahje të çekanit. Për këtë, Gjykata vendosi që ta rihapë edhe njëherë çështjen e provave dhe këtë letër ta fus si provë shtesë.

E mërkura ka nisur edhe me një dëshmi që prokurori i dorëzoi Gjykatës e që ka të bëjë me vitin 2006 kur dëshmitari Zogaj ka dorëzuar një granatë dore në KFOR të Prizrenit.

Salustro ka paraqitur të dhëna edhe mbi mungesën e provave nga deklaratat që i ofron KFOR-i, por që megjithatë ato ekzistojnë në mënyrë verbale apo gojore. Pavarësisht se ende nuk i ka prekur çështjet e akuzave, Salustro dha plot arsye të cilat vlerëson që do të ndikojnë në dënim të të akuzuarve.

Ende pa dhënë fjalën e tij përfundimtare, Salustro ka shprehur skepticizëm në ndryshimin e dëshmive nga shumica e dëshmitarëve dhe dyshimin se edhe të tjerë dëshmitarë kanë dhënë ose jo versionet e tyre të vërteta. Ai ka nisur të flasë për dëshmitarin anonim C, i cili kategorikisht është i vendosur se ka harruar gjithçka që ka ndodhur në Kleçkë.

“Dëshmitari anonim B ka ndryshuar deklaratën kur ka thënë se nuk e njeh fare Nazmi Krasniqin, ndërsa dëshmitari Urim Krasniqi disa herë ka kundërshtuar të flasë dhe të japë dëshminë e tij. Sokol Ruka po ashtu ka ndërruar dëshminë e tij kur e ka kundërshtuar faktin se Limaj ka qenë i vetmi pushtet që ka mundur të lirojë të burgosurit” ka vazhduar Salustro.

Para se të japë fjalën e tij përfundimtare, dhe e cila pritet të ndodhë sot, ai ka përmendur faktin se Limaj ka mohuar se e njeh Agim Zogajn, por ka qenë gruaja e këtij të fundit që ka konfirmuar se një pjesë e mirë e familjes së Limajt për muaj të tërë gjatë luftës është strehuar tek Zogaj.

Ramë Buja dhe Shukri Buja janë vetëm një dyshe prej disa emrave pushtetarë që janë intervistuar për rastin. Salustro ka përkujtuar se dyshja kanë pasur “një memorie të jashtëzakonshme” në këtë rast dhe kanë bashkëpunuar në alibinë e avokatëve për rastin “Kleçka”.

Në pjesën e parë të ditës, Limaj ka qenë shumë i prerë dhe i shqetësuar për rrjedhën e ngjarjeve. “Mua më duket se po funksionojnë dy KFOR-a dhe dy EULEX-a. Prokurori këtu po sillet si me qenë president, po i kontrollon të gjitha, bile edhe mua dhe fjalët e mia. Nuk është hera e parë që po kjo po ndodh”, ka shtuar Limaj.

Krejt në fund, pas shtatë orësh, Salustro ka dhënë fjalën e fundit duke pretenduar se ka prova të mjaftueshme që Limaj të përfundojë pas grilave, bashkë me nëntë bashkëluftëtarët e tij që akuzohen në të njëjtin rast. Salustro ka paraqitur edhe prova të reja, përfshirë dokumentin e vitit 2006-të.

“Dëshmitari kryesor i çështjes ka dhënë një dëshmi shumë të besueshme, dhe ju prokuror keni prova të mjaftueshme për ti konfirmuar akuzat që dalin në emër të të akuzuarve. Ato janë mbështetur në përgjegjësinë e vetë atyre që i kanë bërë”, ka thënë Salustro. Ai ka nisur të përmend një për një veprimet e të akuzuarve.

“Salustro po i ndryshon faktet e tij në mënyrë të hapur, dhe kjo po i konvenon sepse ai mendon se provat e reja do të përdoren si të besueshme dhe kredibile. Në fakt ato janë informata të papranueshme dhe të pavërteta”, ka thënë mbrojtja e Fatmir Limajt, Karim Khan me anë të lidhjes elektronike.

“Limaj nuk ka asistuar në asnjë krim dhe nuk ka pasur përgjegjësi në Kleçkë”, ka vazhduar Khan. Mbrojtja në datat 10 e 11 shtator do të kenë mundësinë e fundit për ankesë rreth fjalës përfundimtare të Salustros, ndërsa me 17 shtator procesi i tërë do të përfundojë me një verdikt final.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit