Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka garantuar Shqipërinë dhe shtetet tjera të Ballkanit të mërkurën se nuk do të ketë vonesa artificiale në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ka thënë se është në interes të bllokut që këto vende të anëtarësohen.
“Më duhet t’ju them se është në interesin tonë që premtimi i bërë se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane – ne e kuptojmë këtë perspektivë sepse kjo lidhet me kredibilitetin tonë”, ka thënë Merkel, raporton Reuters.
“Mund të ju them se nuk do të ketë vonesa artificiale. Nuk do të ketë asnjë vështirësi gjatë rrugës… Mendoj se të gjithë e kanë kuptuar se Shqipëria është duke shkuar me hapa të mëdhenj përpara”, ka theksuar Merkel në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë konferencës për media, kryeministri shqiptar Rama, iu referua “propagandës” që thotë se popullata e përzier e Shqipërisë mes myslimanëve e katolikëve po e pengon anëtarësimin në BE.
Merkel refuzoi këtë nocion.
“Katër milionë myslimanë jetojnë në Gjermani, dhe ne jetojmë shumë mirë së bashku. Prandaj, ideja se nuk do ta donim Shqipërinë në BE për shkak se këtu jetojnë myslimanë ndërsa ne kemi më shumë të krishterë – kjo është krejtësisht e gabuar”. Ajo i dha këto deklarata gjatë qëndrimit në Tiranë gjatë ndalesës së saj të parë në turneun gjatë së cilit do ta vizitojë edhe Serbinë e Bosnjën. /KohaIslame