Bashkëpunimi dhe sfidat në mbrojtjen e të drejtave autoriale të lajmeve kanë qenë temat kyçe mbi të cilat kanë debatuar përfaqësues të agjencive të lajmeve të rajonit në takimin e mbajtur së fundmi në Shkup.
Mes agjencive të rajonit ekziston bashkëpunimi, koordinimi, por dhe shqetësimi i përbashkët për problemet me të cilat ndeshen të gjithë. Në sfidën e zhvillimeve mediale, agjencitë rajonale përpiqen të ruajnë profilin e tyre. Gëzim Podgorica drejtor i ATSH-së vlerëson takimin si shumë të rëndësishëm për intensifikimin e kontakteve e gjetjen e rrugëve të reja të bashkëpunimit mes agjencive të vendeve të rajonit. “Gjykoj se ky është një mesazh pozitiv që ne japim, sepse nuk kemi asnjë lloj paragjykimi për të bashkëpunuar dhe për të vendosur klimën e mirëkuptimit reciprok midis vendeve tona”.
Me të njëjtat halle
Problemi me të cilin ndeshen pothuajse të gjitha agjencitë e rajonit është mosrespektimi i të drejtave autoriale dhe huazimi i lajmeve pa autorizim. “Ishte shqetësim i të gjithë kolegëve të Ballkanit se produksioni, lajmet tona merren nga të gjitha mediat mirëpo shumë pak na citojnë së paku”, vlerëson Halit Ajdini, zëvëndës drejtor i MIA-s.
Lajmi është pronë intelektuale, prandaj nuk mund të përdoret pa u përmendur emri i autorit dhe burimit, thotë Omer Çetre koordinator i agjencisë informative Anadollia. “Në suazën e agjencionit ne kemi formuar një qendër për monitorimin e mediave, përmes së cilës vëzhgojmë se cilat media përdorin lajmet tona pa autorizim. Nëse ka huazime të pa autorizuara të lajmeve atëherë me këtë çështje merret gjyqi”.
Kërkohet saktësim i ligjit të mediave
Andrea Koseç nga agjencia kroate e lajmeve HINA thotë se në Kroaci ka zbrazëtira në ligjin për mediat. Ai nuk i saktëson modalitetet pagesës së prodhimit gazetaresk. “Lajmi i agjencisë nuk është i mbrojtur me të drejtën autoriale ndërsa fotografia me “smart- phone” është e mbrojtur. Është non-sens dhe krijon probleme të mëdha”.
Edhe eksperti Valentin Pepellugovski thotë se çështja kryesore është sqarimi se a mund të ketë monopol mbi lajmin. Në dallim nga SHBA-të dhe Evropa perendimore, mbrojtja e të drejtës autoriale të lajmit në Ballkanin Perëndimor nuk është rregulluar në mënyrë më adekuate. “Marrja e lajmit, fotografisë apo ndonjë përmbajtjeje tjetër të agjencive pa autorizim është shkelje e konventave ndërkombëtare për mediat. Kjo çështje në vendet e Ballkanit duhet të rregullohet me ligj”, shprehet Pepellugovski.
Agjencitë informative të vendeve të rajonit nga takimi i Shkupit kanë apeluar ndaj mediave dhe internet portaleve që të ndërpritet praktika e shkeljes së të drejtave autoriale të produkteve mediatike nga agjencitë e lajmeve./dw