Kosova nuk është njohur ndërkombëtarisht nga asnjë shtet për më shumë se një vit, përderisa Serbia po punon vazhdimisht për të siguruar çnjohje të reja.
Kryetarja e komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani thotë se arsyeja kryesore është hapja e temës së kufijve e cila e ka dëmtuar Kosovën jashtëzakonisht shumë në arenën ndërkombëtare.
Sipas saj, Serbia po e keqpërdorë këtë situatë duke propaganduar tek shtetet jo njohëse kinse statusi i Kosovës nuk është zgjidhur akoma
“Arsyeja kryesore është hapja e temës së kufijve e cila e ka dëmtuar Kosovën jashtëzakonisht shumë në arenën ndërkombëtare. Natyrisht që tani Serbia po e keqpërdorë këtë situatë duke propaganduar tek shtetet jo njohëse kinse statusi i Kosovës nuk është zgjidhur Akoma, ka deklaruar Osmani.
Deputetja e LDK-së thotë se Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008 dhe kjo nuk ka kthim mbrapa.
“Prandaj Kosova duhet qartë të refuzojë hapjen e kësaj teme dhe të mbajë qëndrimin (tashmë të njohur nga mbi 100 shtete) se statusi është përcaktuar më 17 shkurt 2008, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm”, ka thënë Osmani.
Ndërsa Fatmir Haxholli, këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli theksoi se Kosova përgjatë 11 viteve të shtetësisë ka arritur një sukses të madh përmes 116 njohjeve.
Siç tha ai, çështja e njohjeve dhe rritjes së numrit të njohjeve tashmë është çështje e një beteje diplomatike dhe nuk ka të bëjë me ekzistencën e shtetësisë apo me shtetësinë.
“Përgjatë 11 viteve të shtetësisë së Republikës së Kosovës, është arritur një sukses i madh përmes 116 njohjeve. Partneri strategjik i Kosovës, SHBA-të në vazhdimësi gjatë gjithë etapave e ka përkrahur Kosovën, në të gjitha proceset. Më shumë se gjysma e botës, veçanërisht vendet demokratike e kanë njohur Kosovën dhe çështja e njohjeve dhe rritjes së numrit të njohjeve tashmë është çështje e një beteje diplomatike dhe nuk ka të bëjë me ekzistencën e shtetësisë apo me shtetësinë. Pavarësisht sa do të jetë ky numër në të ardhmen ne jemi shtet dhe kjo nuk varet nga numri 116 apo dhe më shumë”, ka thënë ai.
Haxholli po ashtu theksoi se Kosova bashkë me partnerët strategjik e ka fituar betejën diplomatike kundër Serbisë.
“Bota demokratike qëndron në krah të Kosovës në proceset e shtetësisë, shtet formimit dhe afirmimit të saj ndërkombëtarë”, tha tutje Haxholli. Kosova, tha ai është përcaktuar që të thelloj marrëdhënieve diplomatike me shtetet tjera.
Sa i përket marrëveshjes mes Kosovës-Serbisë ai potencoi se në momentin e arritjes së një marrëveshje atëherë hapet mundësia për njohje kolektive nga ana e OKB-së.
“Njohja kolektive ka të bëjë me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe veçanërisht në OKB-së. Në momentin që arrihet ajo marrëveshje do të hapet mundësia për njohje kolektive nga ana e OKB-së. Ne kemi fituar betejën përkitazi me njohjet, i kemi 116 njohje. Do ta fitojmë thellimin e marrëdhënieve diplomatike sepse po e zgjerojmë, dhe do ta fitojmë betejën në njohjen e çështjes kolektive në OKB sepse Serbia përballet me një qorrsokak”, tha ndër të tjera këshilltari politik i Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, Fatmir Haxholli./telegrafi