Trupi gjykues i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prizrenit, i udhëhequr nga gjykatësja Raima Elezi, të mërkurën mori vendim me të cilin i shpalli fajtorë katër të akuzuarit për kryerje të vrasjes së rëndë.
Ata ngarkoheshin për vrasje me dashje dhe ndihmë në kryerjen e vrasjes së Feim Morinës nga fshati Mamushë më 3 shtator 2012.
Anëtari i trupit gjykues Luan Berisha lexoi vendimin e gjykatës.
“Florim Maxhunajn, gjykata e gjykon me dënim unik prej 29 viteve e 6 muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 12.09. 2012. Të akuzuarin Flamur Maxhunaj, me dënim me burgim prej 12 viteve, të akuzuarin Burim Maxhunaj, me dënim me burg prej 7 viteve dhe të akuzuarin Vezir Maxhunaj, me dënim me burgim prej 3 viteve, në të cilin do t’ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim”, tha Berisha.
Me vendimin e gjykatës, nuk u pajtua mbrojtja e të akuzuarve.
Avokatja Bahrie Besimi, e cila mbron të akuzuarin Florim Maxhunaj, nuk u pajtua me dënimin e shqiptuar për klientin e saj.
“Konsideroj se ky vendim është tejet i rëndë, duke pasur parasysh rrethanat dhe faktet të cilat janë vërtetuar dhe janë në shkresa të lëndës, unë konsideroj se Gjykata e Apelit do ta ndryshojë këtë vendim, kështu që patjetër dhe pa diskutim që do të bëjmë ankesë”, ka thënë Besimi.
Edhe avokati Brahim Sopa, klienti i të cilit mori dënim prej 7 vjet burg për veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë, e konsideroi dënimin shumë të lartë dhe paralajmëroi ankesë në gjykatën e shkallës së dytë.
“Sot është shpallë komunikimi i aktgjykimit dhe klienti im është dënuar 7 vite, mirëpo konsideroj se gjykata gjatë matjes dhe shqiptimit të dënimit, i ka marrë rrethanat tejet rënduese dhe mendoj se është një dënim tejet i lartë, andaj edhe pas kalimit të afatit prej 15 dite, ne do të ushtrojmë ankesë”, paralajmëroi Sopa.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Prizrenit e përfaqësuar nga prokurori Genc Nixha, e akuzonte të pandehurin Florim Maxhunaj se në bashkëkryerje dhe ndihmë nga dy djemtë e tij Flamur e Vezir Maxhunaj, si dhe djali i vëllait të tij Burim Maxhunaj, me dashje e kishin privuar nga jeta viktimën Feim Morina.
Florim Maxhunaj së bashku me djalin e tij Flamurin, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.
Sipas aktakuzës, këta të dy më 3 shtator 2012 me dashje dhe me qëllim të fitimit të dobisë pasurore, e kanë vrarë Feim Morinën nga fshati Mamushë, pasi që Florim Maxhunaj i kishte borxh të vrarit.
Para se ta kryejnë vrasjen, Florim e Flamur Maxhunaj janë marrë vesh paraprakisht me viktimën, duke i thënë nëpërmjet telefonit se “nesër në mëngjes do të vijë malli- cigaret”.
I pandehuri së bashku me viktimën, kanë punuar në biznesin e shitjes së duhanit.
Në aktakuzë thuhet se Florim Maxhunaj së bashku me dy djemtë dhe djalin e vëllait të tij, një ditë para vrasjes e kishin hapur varrin ku do ta groposnin viktimën duke u munduar të humbin edhe gjurmët e vrasjes.
“Florimi së bashku me djalin e tij Flamurin, rreth orës 04;00 të mëngjesit shkojnë në takimin që kishte lënë me viktimën, kinse për të shkuar për të marrë mallin, ndërsa dy të tjerët i prisnin ata në varrezat e fshatit Vlashnje”, sqaron aktakuza.
Dy të pandehurit, pas takimit me viktimën fillimisht në picerinë “Koha”, lënë takim tjetër te market “Luma”, ku i thonë viktimës ta lë automjetin e tij, duke ia sqaruar se rrugën do ta vazhdojnë me automjetin e tyre.
Viktima Feim Morina pastaj hip në automjet duke u ulur në ulësen e parë, ndërsa në ulësen e pasme ulet i pandehuri Florim, teksa djali i tij Flamuri voziste automjetin.
Në momentin kur kanë arritur në afërsi të varrezave në fshatin Valshne, i pandehuri Florim Maxhunaj e ka nxjerrë revolen dhe nga distancë e vogël ka shtënë tri herë në drejtim të viktimës, duke e goditur me tre plumba në kokë.
Me atë rast, në ndihmë i kanë ardhur edhe dy të pandehurit tjerë që i prisnin në varreza, Burim e Vezir Maxhunaj dhe që të katërt e kanë bartur trupin e viktimës deri në varrin që e kishin hapur më parë.
Para se ta varrosnin, i pandehuri Florim Maxhunaj, i ka zhveshur teshat e trupit të ndjerit, duke ia marrë edhe një sasi të madhe të të hollave të cilat viktima i kishte marrë me vete për të bërë pagesën e mallit dhe më pas e kanë varrosur në atë mënyrë që të mos duket varri.
Më tutje, sipas përshkrimit të aktakuzës, thuhet se të pandehurit kanë shkuar së bashku në shtëpi, ku në oborrin e shtëpisë teshat e trupit të viktimës së bashku me disa tesha të tyret të cilat ishin të gjakosura, i kanë djegur me qëllim që të humbin gjurmët.
Më pas, Florimi së bashku me Flamurin, kanë shkuar deri te marketi “Luma” nga i cili kanë marrë automjetin e viktimës dhe e kanë dërguar deri në fshatin Varosh të Komunës së Ferizajt dhe dokumentet e automjetit të viktimës si dhe tabelat e regjistrimit i kanë hedhur në kthim e sipër në afërsi të fshatit Carralevë.
Kësodore, të akuzuarit Florim e Flamur Maxhunaj, akuzohen se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, i pandeuri Florim akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje.
Ndërsa Burim dhe Vezir Maxhunaj, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në ndihmë.
Gjykata vendosi edhe të konfiskojë tri gëzhojat e vendit të ngjarjes, ndërsa në emër të paushallit gjyqësor obligoi të akuzuarit që të paguajnë secili nga 200 euro.
Ata do të paguajnë edhe shpenzimet e plota procedurale të gjykatës. /kallxo.com/