5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

“Me rëndësi është që vendimet e Samitit të OBI-t të kthehen në vepra”

Më të lexuarat

STAMBOLL (AA) – Këshilltari i presidentit të Palestinës, Mahmud Habash lidhur me deklaratën e publikuar pas Samitit të Jashtëzakonshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) tha se “Ajo çfarë është me rëndësi është se si këto vendime do të shndërrohen në vepra dhe në hapa praktike në terren”.

Habash i cili ndodhet në Stamboll për të marrë pjesë në Samitin e Jashtëzakonshëm të OBI-t, në një deklaratë për gazetarin e Anadolu Agency (AA) foli për rëndësinë e këtij samiti të mbajtur dje.

“Shtetet muslimane u takuan për të diskutuar për një çështje të rëndësishshme si Kudsi. Mendoj se vendimet që janë marrë në samit janë hapa për t’i dhënë fund pushtimit të Izraelit në përgjithësi dhe zhvendosjes së ambasadës së SHBA-ve në Kuds në veçanti”, tha ai.

Ai tha se nuk është e mjaftueshme vetëm shpallja e Kudsit si kryeqytet të Palestinës. “Ajo çfarë është me rëndësi është se si këto vendime do të shndërrohen në vepra dhe në hapa praktike në terren. Për mbrojtjen e identitetit, historisë dhe karakterit fetar të Kudsit ne duhet të bëjmë atë që palestinezët të besojnë që nuk janë të vetëm kundër pushtuesve”, tha Habash.

Duke rikujtuar se shumë shtete arabe kanë marrëdhënie speciale diplomatike dhe politike me Izraelin, Habash tha se nuk është i sigurtë se sa ky samit do të ulë tensionet në rajon.

“Presim më shumë hapa dhe vepra nga bota islame”

Habash në vazhdim theksoi se reagimi i Izraelit për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Palestinës në Samit, është i lidhur me hapat praktike të shteteve muslimane.

Sipas tij, SHBA dhe Izraeli mes vete mund të thonë se “Vendimi që u mor në Samitin e OBI-t është vetëm një deklaratë. Ashtu sikur herëve tjera, nuk është ndërmarrë ndonjë hap”. Lidhur me këtë ai tha se “Presim më shumë hapa dhe vepra nga bota islame”.

Më tej Habash thotë se bojkotimi i produkteve izraelite mund të jetë një shembull për hapat që mund të ndërmerren nga muslimanët.

“Nëse e shikojmë nga aspekti i palestinezëve dhe të muslimanëve, sipas meje bojkotimi i drejtpërdrejt apo i tërthortë i produkteve izraelite është një detyrë. Ne bëjmë thirrje për bojkotimin e produkteve izraelite, derisa ky vend t’i përmbushë kërkesat e të drejtës ndërkombëtare”, potencon këshilltari i presidentit palestinez.

Ai vuri në dukje se SHBA dhe qeveria izraelite ndodhen në të njëjtën anë. Habash tha se përveç produkteve të Izraelit duhet të bojkotohen edhe produktet e SHBA-ve.

“Jemi seriozë, nuk mund të pranojmë ndonjë hap kundër tokave tona të shenjta”, nënvizoi Habash.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit