3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Më në fund BE, brengoset edhe për sundimin e ligjit në Kosovë

Më të lexuarat

Duke pasur parasysh se deri më tani BE ishte e orientuar vetëm në stabilitet politik dhe vetëm ishte farsë për publikun se misioni i saj ishte të ndihmonte sundimin e ligjit. Tashmë u mbajt edhe takimi i parë inaugurues i dialogut të strukturuar për sundimin e ligjit.

Në Bruksel u mbajt dje takimi inaugurues i Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit me Kosovën. Burimet zyrtare të BE-së bënë të ditur konkluzionet, sipas të cilave, Dialogu i Strukturuar do të ofrojë një forum të nivelit të lartë për të vlerësuar rregullisht progresin e Kosovës veçanërisht në tri çështje, në gjyqësor, luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër korrupsionit.

Komisioni ka theksuar që qëllimi i Dialogut të Strukturuar është të ndihmojë Kosovën në ballafaqimin e çdo sfide lidhur me këto fusha në një fazë të hershme të procesit të zgjerimit. Kosova ka ritheksuar angazhimin e saj drejt konsolidimit të sundimit të ligjit dhe ka mirëpritur përpjekjet e Komisionit për të punuar në këto çështje.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Komisioni ka nënvizuar rëndësinë e përmirësimit të kapacitetit të Kosovës për të hulumtuar dhe për të ndjekur penalisht në mënyrë efektive rastet e krimit të organizuar ndër-kufitar, sidomos trafikimin e drogës dhe qenieve njerëzore. U theksua nevoja për rritjen e përpjekjeve për të parandaluar, hulumtuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin, ashtu si edhe nevoja për krijimin e mundësive për trajtimin e aseteve ekonomike të përfituara nëpërmjet këtyre krimeve serioze.

Kosova ka theksuar ndryshimet aktuale dhe të ardhshme në gjyqësor, çështje të brendshme dhe sistem të drejtësisë, të cilat kanë për qëllim adresimin më të shpejtë dhe më efikas të këtyre çështjeve.

Sa i përket gjyqësorit, Komisioni ka nënvizuar rëndësinë e një gjyqësori të pavarur dhe efikas. Në vazhdimësi të progresit të arritur në miratimin e legjislacionit kryesor, Kosova është inkurajuar që të ndjekë reformën gjyqësore për të fuqizuar më tej pavarësinë, paanshmërinë dhe transparencën. Sfida mbeten zvogëlimi i mëtejshëm i numrit të rasteve të pazgjidhura, sigurimi i një buxheti të mjaftueshëm për funksionimin e duhur të gjykatave, ristrukturimi i zyrave, si dhe plotësimi i vendeve të lira të punës për minoritetet. Sa i përket kësaj, Kosova ka paraqitur planin e saj, i cili do të implementohet në një të ardhme shumë të afërt, dhe i cili do të adresojë çështjen e rasteve ende të pazgjidhura dhe shqetësimet e tjera, që në mënyrë direkte kanë të bëjnë me gjyqësorin.

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se sundimi i ligjit mbetet një prioritet kryesor dhe se Kosova është angazhuar fuqimisht në arritjen e rezultateve. Komisioni ka theksuar rëndësinë e angazhimit politik afatgjatë të Kosovës për arritjen e rezultateve shumë të nevojshme dhe realizimin e reformave të rëndësishme.

Komisioni dhe Qeveria e Kosovës janë pajtuar që Kosova duhet të të vazhdojë më tej me punën që Qeveria e Kosovës ka bërë në drejtim të reformave në sundimin e ligjit në Kosovë, bashkë me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX. Qeveria e Kosovës ka informuar Komisionin për punët e fundit në reformimin e sistemit gjyqësor, respektivisht për punën drejt finalizimit të Kodit Penal dhe Procedurës Penale, si dhe punën e tij për ndryshimin e legjislacionit për Gjyqësi dhe Prokurori. Sa i përket luftës kundër korrupsionit, delegacioni i Qeverisë ka prezantuar hapat që janë ndërmarrë nga Këshilli Kombëtar kundër Korrupsionit, si dhe ka informuar Komisionin për përgatitjen e një legjislacioni të ri që ka për qëllim rivendosjen e përpjekjeve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në kontekst të transicionit gradual nga EULEX-i në autoritetet kosovare, Dialogu i Strukturuar për Sundimin e Ligjit do të luajë gjithnjë e më shumë një rol të rëndësishëm në konfirmimin e prioriteteve dhe sigurimin e bashkëpunimit të ngushtë, mjaft të nevojshëm, në mes të aktorëve kryesorë. Standardet për transicion do të përgatiten në kontekst të Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit dhe do të diskutohen rregullisht në takimet e Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit, përfshirë këtu kohën dhe progresin e arritur.

Ky forum do të takohet dy herë në vit dhe do të vendosë prioritetet për reformën në fushën e sundimit të ligjit dhe do të monitorojë rezultatet. Takimi i ardhshëm do të mbahet menjëherë pas publikimit të Studimit të Fizibilitetit. Në ndërkohë, në mes të takimeve të këtij forumi të nivelit të lartë, do të punohet veçanërisht përmes nën-komitetit të Dialogut për Stabilizim Asocim për Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, si dhe në takimet e rregullta të Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit. Bashkimi Evropian, duke vepruar përmes Komisionit, Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) dhe misionit të EULEX-it, do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në avancimin e reformave për sundimin e ligjit, përmes asistencës së vazhdueshme dhe të ardhshme dhe përmes dialogut.

Bëhet e ditur se Komisioni Evropian u përfaqësua nga Komisari Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Shtefan Fyle, Komisarja për Çështje të Brendshme, Sesilia Malmstrom, si dhe Drejtori i Përgjithshëm për Drejtësi, Fransua Lë Bel. Ishin të pranishëm edhe Komandanti për Operacione Civile të EEAS (Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm), Hansjorg Haber, Drejtori i EEAS, Fernando Xhentilini, Përfaqësuesi Special i BE-së dhe shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar dhe shefi i Misionit të EULEX-it, Havier Bout de Marnhak.

Qeveria e Kosovës u përfaqësua nga Zv/kryeministri Hajredin Kuçi, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe Ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit