Nëse shikohet rrezikimi i jetës së njeriut si pasojë, mendoj se motivi do të duhej të mbetej nën hije. Në të kundërtën, kur merremi me motive (sidomos kur bëjmë vlerësime prej larg dhe pa i marrë vesh rrethanat e ngjarjeve) sikur fusim nën hije vlerën e jetës njerëzore. A ka vrarë i çmenduri, i ushqyeri me urrejtje, i pompuari me frustrime të çfarëdo lloji, apo kushdo tjetër, vrasje është.
Sot, në këtë mesditë Ramazani u tronditëm të gjithë nga ajo që dëgjuam të ketë ndodhur në xhaminë Dine Hoxha në Tiranë, ku shërben hoxha Ahmed Kalaja. Për mua ishte e dhimbshme si ngjarje, për t’ia shtuar idhtësinë koha (Ramazan) dhe vendi (xhami ku bëhet ibadet) i ndodhjes. E dhimbshme do të ishte edhe po të ndodhte kudo tjetër, ngase në pyetje është jeta njerëzore dhe siguria shoqërore.
Keqardhja më shtyu ta kontaktoj hoxhën Ahmed, sepse ishte personi kryesor dhe i vetmi që kisha kontakt me të. E kontaktova për ti shprehur keqardhje për ngjarjen, duke u lutur për shërimin e të lënduarve.
Duke e ditur se me çfarë ngarkesa jetojnë shumë njerëz (përfshi edhe besimtarë) në trojet tona, prisja që reagimet të jenë të llojllojshme duke bërë konkludime nga më të ndryshmet, prej kualifikimeve të nxituara si terrorizëm, urrejtje fetare, e të ngjashme dhe duke mos lënë aspak hapësirë për drejtësinë, dëshmitë dhe rrethanat për të hedhur dritë mbi rastin.
Nuk do të doja që të ishte rast me çfarëdo ngjyrimi dhe përgjegjësie përveç individuale. Fundja, cilido që të jetë motivi, pasojat konkrete janë të njejta, të plagosurve u dhemb njejtë.
Andaj, mos nxitoni në vlerësime, se askujt nuk ia bëni më të lehtë.
Allahu im, shëroji të lënduarit, siguroji të frikësuarit, udhëzoji të paudhët dhe na ruaj të gjithëve nga sherri i të marrëve dhe të çmendurve.
Hoxhë Ekrem Avdiu