Pyetje:
Selamun alejkum ue rahmetullah.
Unë pata një problem gjatë kësaj kohe, më bënë shpifje për moralin tim, kështu që m’u desh të përballem edhe me këtë. Por ai që më shpifi e pranoi që ka shpifur, por ai veç mua më kërkoi hallallin për shpifjen që bëri, ndërsa atyre që u ka folur nuk u ka thënë që ka qenë një shpifje. Tani normal që këta po paragjykojnë për mua dhe ndoshta ndërhyn shejtani dhe e përhapin më tej këtë shpifje. Ç’ka duhet të veprojë një musliman kur bën një shpifje dhe pastaj e kupton që ka gabuar, a mjafton veç të thotë më fal mua apo ka obligime të tjera ?
Dhe si duhet të reagojnë muslimanët e devotshëm gjatë shpifjeve, duhet ta përhapin menjëherë këtë shpifje pasi nuk kanë dëshmitarë apo çfarë duhet bërë?
Dhe ju lutem çfarë dënimi kanë ata që bëjnë shpifje për moral?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Në këtë përgjigje do të flas në dy pika:
1. Nderi i besimtarit është i shenjtë:
Nderi i besimtarit dhe besimtares është e shenjtë dhe nuk i lejohet askujt që ta zgjasë gjuhën për të shpifur në moralin e tjetrit. Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik thotë:
“Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë” (Ahzab, 58).
Të kërcënuarit në këtë ajet janë ata që trillojnë dhe njollosin nderin e myslimanëve dhe myslimaneve pa të drejtë.
Gjithashtu Zoti i Madhërishëm thotë:
“Vërtet, ata që shpifin për gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në tjetrën; për ata ka dënim të madh. Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë. Allahu do t’ju shpagojë dënimin e merituar dhe ata do ta marrin vesh se Allahu është e Vërteta e qartë.” (Nur, 23-25)
Shpifja e cila dënohet në këtë ajet, është akuza e besimtareve për zina (amoralitet). Edhe pse në ajet përmenden shpifja e femrave në këtë, dispozita është e njëjtë si për femra ashtu edhe për meshkuj dhe kjo është kështu me pajtim të umetit.
Ajetet të cilat i përmendëm na mjaftojnë që të kuptojmë se sa i madh është ky mëkat, prandaj edhe dënimi i shpifësit në shtetin Islam është tetëdhjetë shkopinj, nëse ai akuzon dike për amoralitet dhe nuk ka fakte për këtë. Ky dënim është në këtë botë ndërsa në botën tjetër e pret dënimi edhe më i madh.
2. Pendimi i shpifësit:
Mëkati i madh për të cilin meriton dënimin e tetëdhjetë shkopinjve shpifësi dhe kërcënohet për ndëshkim në botën tjetër, është ai i cili shpif për zina të qartë, me një fjalë të akuzoj se filani ka bërë zina. Ndërsa akuzat tjera, sikurse shpifja tërthorazi për zina, ose akuza se kalon me femra, respektivisht me djem, etj. janë nën këtë mëkat, por gjithsesi janë mëkate për të cilat meriton ndëshkimin nga Zoti i Madhërishëm.
Ndërsa për pendimin e shpifësit Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë:
“Ata që i akuzojnë gratë e ndershme (për imoralitet), e pastaj nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i rrihni me tetëdhjetë goditje dhe të mos ua pranoni më kurrë dëshminë; këta janë njerëz ngatërrestarë. Përjashtim bëjnë ata që, pas kësaj, pendohen dhe përmirësohen. Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë” (Nur 4-5).
Në pendimin e shpifësit kërkohet që ai ta përgënjeshtroj vetën dhe nëpër ato vende në të cilat e ka përhapur këtë shpifje, ose atyre njerëzve që u ka folur, kërkohet që të njëjtëve tua bëj me dije se, se ai lajm ishte shpifje dhe e pasaktë. Zoti e di më së miri!
Alaudin Abazi