0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

“Mbylli sytë!”

Më të lexuarat

Mos e njollosni veten duke hulumtuar gabimet e të tjerëve.

Patjetër që do të përballesh me njerëz që do të kenë mendim të keq për ty, që do të bëjnë komente të ndryshme mbi fjalët e tua. Mjerisht është instaluar një kulturë negative edhe në mesin e fetarëve, vëllezërve tanë muslimanë. Të vegjlit etiketojnë të mëdhenjtë, dëgjohen akuza nga më të ndryshmet, vëllazëria islame ka humbur e është tretur në thyerjet e valëve.

Ndër arsyet e afrimit vëllazëror është të mbyllësh sytë dhe jo të eksplorosh duke hulumtuar të metat e të tjerëve. Duhet ta ndalim veten dhe të mbyllim sytë, ngase nuk ka njeri pa të meta. Këtë e di çdo njeri, por nevoja e do që të rikujtohet.

Sid bin el-Musejjibi thotë: “As dijetari, as fisniku e as i ndershmi nuk mund të përjashtohet prej gabimeve. Por disave prej tyre nuk duhet t’u përmenden gabimet, sidomos atij që ka të mira më shumë se të meta.”
E rëndësishme për gjeneratat e ardhshme është zbukurimi me urtësi duke vendosur çdo gjë në vendin e vet, duke insistuar që çdo herë të funksionojnë principet dhe vlerat e ngritura mbi parimin dhe bazën, jo lëvizja dhe shëtitja nga një mendim te tjetri çdo ditë ose një metodologji e re çdo vit. Po qe se ndodh kështu, do të shfaqet degradimi dhe do të jetë më e vështirë të qartësohet e sakta prej të pasaktës dhe e vërteta nga e pavërteta.

Me titullin “Mbylli sytë!” nuk mendoj që të mbyllen ato para çështjeve bazë të fesë, besimit, moralit, hallallit, haramit. Jo mbyllje të syve kur nëpërkëmbet Kur’ani, Muhamedi salallahu alejhi ve selem, parimet e Islamit, etj..

Në këto raste duhet të ngrihet zëri, të merren masat e nevojshme nga njerëzit kompetentë, dijetarët, besimtarët e devotshëm duke reaguar me urtësi dhe maturi, me një fjalë çdo veprim të jetë në kornizat e Islamit, larg eksplorimit të të metave të vëllezërve kur ata gabojnë dhe janë viktimë e injorancës në raste dhe momente të caktuara. Muhamedi salallahu alejhi ve selem na mësoi që kur një person na fyen, në këtë rast t’i mbyllim sytë me qëllim që edhe ne të mos mëkatojmë. Kuptohet, nëse duam që të shpëtojmë.
Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte i ulur dhe erdhi një person dhe nuk u kursye nga fyerjet drejtuar atij, por Ebu Bekri tregoi maturi. Aty pranë ishte edhe Muhamedi salallahu alejhi ve selem. Kur personi vazhdoi edhe më tej duke fyer Ebu Bekrin, ai filloi të kundërpërgjigjet. Në atë rast Muhamedi salallahu alejhi ve selem u ngrit dhe shkoi. Më pas Pejgamberi i tregoi Ebu Bekrit se Allahu dërgoi një melek që i thoshte fyesit “por ti”. Kurse Ebu Bekri, sa herë që ai e shante, i thoshte “Allahu të faltë”. Ndërsa meleku i thoshte Ebu Bekrit “por edhe ti, edhe ti je në të drejtë”. Kur filloi Ebu Bekri të merrej me fyesin, atëherë meleku shkoi dhe ia zuri vendin shejtani.
Me temën “Mbylli sytë!” dëshirojmë që me sjelljen tonë të largohemi duke mbyllur sytë para paditurive të njerëzve, duke i harruar të metat e tyre, të mos bashkëveprojmë me ata njerëz sepse Allahu i Lartësuar do t’u përgjigjet veprimeve të tyre. Zoti yt nuk dëshiron që ti të hidhërohesh për veten tënde.

Njeri të përsosur nuk ka. Njeri pa gabime nuk mund të gjesh. Nuk është qëllimi që vëllai ose shoku të jetë i kompletuar, por të ketë cilësi të shëndosha për shoqërim.
Zbukurohuni me cilësinë e heshtjes dhe të mbulimit. Mos e njollosni veten duke hulumtuar gabimet e të tjerëve.
Është e vërtetë që disa vëllezër nuk kursehen në këtë drejtim. Disa kërkojnë gabimet e dijetarëve, hoxhallarëve, njerëzve të davetit. Disa lexojnë vetë për të kundërshtuar dhe reaguar, kurse disa të tjerë për të përbaltur personalitetet.
Abdurrahman bin Omer el-Asbahni tregon: “Ishim në tubimin (mexhlisin) e Abdurrahman bin Mehdiut (mësues, shejhu i Buhariut), erdhi një djalosh dhe ai e afroi dhe e uli afër tij. Por aty në mexhlis u ngrit një njeri dhe i tha hoxhës: “Ky djalosh flet kundër teje dhe të përgënjeshtron.”

Atëherë Abdurrahmani tha: أعوذ بالله من الشيطان الرجيم. ادْفَعْ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ فَإِذَا الَّذِي بَيْنَكَ وَبَيْنَهُ عَدَاوَةٌ كَأَنَّهُ وَلِيٌّ حَمِيمٌ (*) وَمَا يُلَقَّاهَا إِلَّا الَّذِينَ صَبَرُوا وَمَا يُلَقَّاهَا إِلَّا ذُو حَظٍّ عَظِيمٍ .
“Kërkoj mbrojtjen e Allahut të më ruajë nga shejtani i mallkuar.

Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë. Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.” (Fussilet: 34-35)

Shiko se si e shëroi hoxha problemin, se si e ktheu të keqen me të mirë. Pastaj hoxha Abdurrahman bin Mehdiu tregon: “Ishim në mexhlisin e Hasan el-Basriut kur u ngrit një njeri dhe tha: O Ebu Seid! Këtu ka njerëz që vijnë në mexhlis për të gjetur ndonjë gabim në fjalët e tua.”
Hasan el-Basriu u përgjigj: “Unë e nxis dëshirën në vetvete që të jem afër Allahut dhe e lakmoj këtë. Ia dëshirova vetes që të isha i shpëtuar nga gojët e njerëzve, por nuk e arrita. Pa dyshim, kam parë njerëz që kur nuk janë të kënaqur me Allahun, mos të flasim që të jenë të kënaqur me krijesat si ata.”

A dëshironi vëllezër, shokë e miq të pagabueshëm në imagjinatën tuaj?!
A mendoni ju se do të gjeni një vëlla musliman, të devotshëm, dijetar, modest, fisnik, bujar e me shumë cilësi të tjera dhe vazhdimisht do ta kesh pranë?!
Kjo është e vështirë. Atëherë mos kërko diçka të përsosur sepse ti vetë nuk je i përsosur. Atëherë mbylli sytë dhe merru me gabimet e tua dhe çdonjëri nga ne të përmirësojë gabimet e veta.

Një njeri i tha vëllait të vet: “Të dua për hir të Allahut.” Iu përgjigj: “Po t’i njohësh gabimet e mia, do të më urresh për hir të Allahut.” I pari prapë i tha: “Po t’i dija gabimet e tua, do të ma ndalonin hidhërimin tënd ndaj teje për hir të Allahut, për shkak të dijes sime mbi gjynahet e mia.”

I tillë duhet të jetë karakteri dhe mentaliteti i çdonjërit prej nesh, po ashtu edhe veprimet në raport me të tjerët duhet të jenë shembull.
Të mirat e të tjerëve dhuroja vetes, gjërat jo të mira mos i përfill, mos u shqetëso nga të këqijat e tyre, se do të harrosh të mirat e tyre.
Pa dyshim që atij të cilit i peshohen të mirat, do të hyjë në xhenet. Pse të mos vlejë ky standard për ne? Kush ka të mira më shumë se të meta, le të ketë meritën të shoqërohet me ty dhe të jetë vëlla i yt.
Vëllanë besimtar që ka një rrëshqitje të vogël nuk meriton ta izolosh, por themi:إِنَّ الْحَسَنَاتِ يُذْهِبْنَ السَّـيِّئَاتِ ذَلِكَ ذِكْرَى لِلذَّاكِرِينَ“

…sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (Hud: 114)

“Mbylli sytë!” që të lulëzojnë frytet e vëllazërisë.

Muhamed Husejn Jakubi
Përktheu dhe përshtati: Ulvi Fejzullahu/pertymoter/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit