10.4 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Mbulesa në Islam

Më të lexuarat

  1. Mbulesa është respektim ndaj urdhrave të Allahut dhe të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem

Allahu i Lartësuar na ka obliguar t’i dëgjojmë dhe t’i respektojmë urdhrat e Tij dhe të të Dërguarit të Tij dhe ka thënë: “Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i Dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” (El Ahzab, 36)

“Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.”(En-Nisa, 65)

Dhe Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar besimtaret që të mbulohen: “Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë vellot e tyre mbi kraharorin e tyre.” (En-Nur, 31)
Dhe ka thënë: “Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme,” (El Ahzab, 33)

“E kur kërkoni prej tyre (grave të Pejgamberit) ndonjë send, atë kërkojeni pas perdes, kjo është më pastër për zemrat tuaja dhe të tyre.” (El Ahzab, 53)

“O Pejgamber! Thuaju bashkëshorteve të tua dhe bijave të tua edhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë vellon (mbulesën) e tyre mbi gjithë trupin e tyre. (El Ahzab, 59)

Kurse Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Gruaja është avret.”, që do të thotë se duhet mbuluar.

2. Mbulesa është prej imanit

Allahu i Lartësuar u ka bërë thirrje femrave që të mbulohen me thirrjen “o ju besimtare”, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Thuaju besimtareve” dhe në ajetin tjetër ka thënë: “Thuaju grave të besimtareve”.

Kanë shkuar gratë e fisit Benu Temim tek Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, me rroba të holla (tejdukshme), Aishja tha: “Nëse jeni besimtare, kjo nuk është veshje e besimtareve, e në qoftë se nuk jeni besimtare, atëherë kënaquni me atë veshje.” (Mealim Es-sunen 4.376)

3. Mbulesa është pastërti

Allahu i Lartësuar e ka sqaruar urtësinë e mbulesës. Këtë më së miri e përshkruan ajeti ku Allahu i Lartësuar thotë: “E kur kërkoni prej tyre (grave të Pejgamberit) ndonjë send, atë kërkojeni pas perdes, kjo është më pastër për zemrat tuaja dhe të tyre.” (El Ahzab, 53)

Allahu i Lartësuar e ka cekur se mbulesa është pastërti për zemrat e besimtarëve dhe të besimtareve për shkak se nëse syri nuk shikon, zemra nuk ka mundësi ta dëshirojë atë, por nëse syri e shikon një send, atëherë zemra e kërkon atë send ose e refuzon atë, mirëpo zemra është më e pastër nëse syri nuk shikon dhe në këtë rast nuk ka mundësi zemra të sprovohet.
Pra, nëse syri nuk i shikon femrat apo i pamundësohet shikimi i femrave për shkak të mbulesës së tyre, në këtë rast mbulesa është shkaku kryesor për pastërtinë e zemrës.

4. Mbulesa është ndershmëri 

Islami ka nxitur për ndershmëri dhe e ka lartësuar atë. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem na ka urdhëruar të jemi të ndershëm. Transmetohet se Herakliu e ka pyetur Ebu Sufjanin: “Çfarë po ju urdhëron i Dërguari juaj?” Ebu Sufjani tha: “Na urdhëron që ta adhurojmë vetëm Allahun dhe mos t’i bëjmë shok Atij asgjë dhe ti lëmë ato që thonë baballarët tanë (për t’u larguar nga feja islame). Dhe na urdhëron për namaz, sadaka (lëmoshë), ndershmëri dhe marrëdhënie të mira me farefisin.” (Buhariu 1/43 dhe Muslimi 1/262-263)
Prej lutjeve të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem ka qenë: “O Allah, kërkoj nga Ti udhëzim, devotshmëri dhe ndershmëri!” (Muslimi Fi Kitabi Dhikr, dhe Ahmedi 1/411,416,437)

Ndershmëria është prej cilësive të hyrive (grave në xhenet), Allahu i Lartësuar thotë: “Hyri (bukuroshe të brishta, të dëlira) të ruajtura në hije të tendës.”  (Er-Rahman 72); “Dhe me ta do të jenë gra të dëlira me sy të mëdhenj me bukuri e mrekulli që i ndalojnë shikimet e tyre (duke mos dëshiruar askënd veç bashkëshortëve të tyre).” (Es-Safat, 48)

Domethënia e ajetit ku Allahu i Lartësuar thotë: “që i ndalojnë shikimet e tyre” është se ato janë të ndershme, nuk shikojnë tjetërkënd përveç burrave të tyre. “Me sy të mëdhenj” d.m.th. me sy të bukur, pra janë të ndershme dhe të bukura.

Allahu i Lartësuar i ka cilësuar hyritë me ndershmëri për shkak se ato rrinë të mbyllura në tendat e tyre dhe në ajetin tjetër i ka lavdëruar ato për ndershmërinë dhe bukurinë. Dhe ndershmëria më madhështore është kur shoqërohet me bukuri, dhe që të dy këto cilësi i ka pasur Jusufi a.s, Allahu i Madhëruar thotë: “Ajo tha: “Ky është ai (djaloshi) për të cilin ju më fajësuat (për dashurinë ndaj tij) dhe unë vërtet që u mundova ta josh atë, por ai nuk pranoi.” (Jusuf, 32)

Allahu i Lartësuar e ka bërë mbulesën simbol të ndershmërisë së femrës nga fyerjet. I Lartësuari thotë: “O Pejgamber! Thuaju bashkëshorteve të tua dhe bijave të tua edhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë vellon (mbulesën) e tyre mbi gjithë trupin e tyre. Kjo do të ishte më e mirë që ato të mund të dallohen (si gra të ndershme) që të mos i shqetësojë (e ngacmojë) askush.” (El Ahzab, 59)
“të mos i shqetësojë (e ngacmojë) askush”, që mos të ngacmohet me fjalë apo me vepër nga njerëzit e pamoralshëm.

Ajeti tregon se ajo femër që është e zbuluar mund të ngacmohet sepse për ato që janë të zbuluara ndokush mund të mendojë se nuk janë të ndershme. Fjala e Allahut: “të mos i shqetësojë (e ngacmojë) askush” e qartëson se shfaqja e bukurisë së femrës do të ndeshet me ngacmim, sprovë dhe fatkeqësi.

5. Allahu i Lartësuar e do mbulesën

Transmeton Jala ibn Shedad ibn Eusi, Allahu e mëshiroftë, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Me të vërtetë Allahu subhanehu ue teala është i turpshëm dhe mbulues (i mëkateve), e do turpin dhe mbulesën.” Ebu Davudi 4012 dhe 4013, Nesaiu 1/200 dhe Ahmedi në musnedin e tij 4/224.
Allahu i Lartësuar e ka begatuar Ademin dhe gruan e tij Havën me dy begati, kur thotë: “Sigurisht që ju nuk do të keni kurrë uri atje dhe nuk do të jeni të zhveshur.” (Ta-Ha 118), dhe gjithashtu Allahu ka thënë për mirësinë ndaj robërve të Tij: “O bij të Ademit! Ne ju kemi dhuruar veshje për të mbuluar veten dhe si stoli, Po petku i devotshmërisë, ai është më i miri.” (El A’raf 26)

Abdurrahman ibn Eslemi ka thënë: “I frikësohet Allahut të Lartë suar dhe e mbulon trupin e tij, ky është petku i devotshmërisë.” (Ed-durer el Menthure, këtë thënie e ka nxjerrë Ibn ebi Hatim 3/76.)
Dhe për këtë shkak shohim se veshjet e atyre femrave që nuk i frikësohen Allahut dhe nuk turpërohen nga Allahu janë të ngjashme me veshjen e femrave të Perëndimit, kurse besimtaret kanë kujdes për veshjen e tyre dhe e mbulojnë trupin e tyre.

Mbulimi është prej moralit të Pejgamberëve

Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Me të vërtetë Musai alejhi selam ka qenë njeri i turpshëm dhe e ka dashur mbulesën, nuk është parë nga lëkura e tij asgjë, nga turpi që ka pasur.” (Buhariu 1/459)
Transmeton Behz ibn Hakimi nga babai i tij, nga gjyshi i tij, se ka thënë: “I thashë: “O i Dërguar i Allahut, nga kush të kemi kujdes për avretet tona?” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Ruaje avretin tënd nga çdokush përveç gruas tënde dhe atë të cilën e ke në pronën tënde (robëreshat).”(Ebu Davudi 4017, Tirmidhiu 2670,2795 dhe ka thënë se hadithi është hasen, kurse Hakimi ka thënë se hadithi është sahih.

Transmeton Ebu Seid el Hudrij se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos të shikojë mashkulli avretin e mashkullit dhe as femra avretin e femrës.” Muslimi 338.
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e ka ndaluar që mashkulli të shikojë avretin e mashkullit dhe femra të shikojë avretin e femrës. E cila do të jetë gjendja e atyre meshkujve që shikojne avretin e femrave?! Kurse Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Gruaja është avret.”

Kujdesi i sahabeve për mbulesën

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë (kur tregon ngjarjen e humbjes së qafores): “U ktheva të kërkoja qaforen dhe pasi e gjeta atë, ushtria kishte shkuar dhe nuk ishte asnjë aty. U ktheva te tenda ime dhe u shtriva dhe u mbulova me mbulesën time. Më pas kaloi Safvan ibn Muatal es-Selemij, i cili ishte larguar nga turma e ushtrisë për disa nevoja të tij dhe e ka parë të shtrirë një gjë të zezë. U afrua derisa qëndroi afër meje dhe më njohu mua, pasi më kishte parë mua para se të na obligohet mbulesa. Pasi e pashë atë, u zgjova dhe e mbulova fytyrën me vellon time…” Buhariu 5/320 dhe Muslimi 2770.

Ky hadith tregon se sa e kujdesshme ka qenë Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, për mbulesën e saj; menjëher pasi e ka vërejtur se dikush është afruar afër saj, e ka mbuluar fytyrën.

Umu Alkame ibn Ebi Alkame ka thënë: “E kam parë Hafsa bintu Abdurrahman ibn ebi Bekr se ka hyrë tek Aishja dhe ka pas veshur një mbulesë e cila ka qenë e tejdukshme tek balli i saj. Aishja e qortoi atë dhe i tha: “A nuk ke njohuri për atë që është zbritur në Suretu En-Nur?” (ka pasur për qëllim ajetin: “le të venë vellot e tyre mbi kraharorin e tyre.” (En-Nur 31) Pastaj ka marrë një mbulesë më të trashë dhe ia ka veshur asaj.” (Muvata imam Malik 3/103)

Për kujdesin e madh të sahabeve ndaj mbulesës së tyre dëshmon edhe hadithi që transmeton Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai i cili e zgjat (i shkon zvarrë për tokë) petkun e tij nga mendjemadhësia, Allahu (subhanehu ue teala) nuk do ta shikojë atë njeri në Ditën e Gjykimit.” Umu Seleme e pyeti Pejgamberin salallahu alejhi ue selem: “Çfarë do të bëjnë gratë me fundet e tyre?” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Le t‘i lëshojnë një pëllëmbë.” Ajo tha: “Mirëpo ka mundësi të zbulohen këmbët e tyre.” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Atëherë le t’i lëshojnë një krah dhe mos të lëshojnë më shumë se kaq.” Tirmidhiu 1731 dhe ka thënë hadithi është hasen-sahih, Nesaiu 8/209, dhe Ebu Davudi 4119.
Dhe kjo tregon se sa shumë i kanë kushtuar rëndësi mbulesës, saqë rrobat e tyre kanë shkuar zvarrë për tokë nga gjatësia.

6. Mbulesa është simbol i turpit

Hasan ibn Hurejth thotë: “E kam dëgjuar Imran ibn Husejnin, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke thënë: “Ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Turpi sjell vetëm të mira.” Buhariu 10/537 dhe Muslimi 37.
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e ka sqaruar se turpi ka mbetur gjë e pëlqyer te ligjet e të gjithë Pejgamberëve dhe nuk është anuluar sikurse ligjet e tjera që janë anuluar me ardhjen e Pejgamberëve të tjerë. Transmeton Ebi Mesud El-Bederij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ajo e cila i ka arritur njerëzve nga fjalët e Pejgamberëve të parë është: “Nëse nuk ke turp, vepro ç’të duash.” Buhariu

Turpi është dy llojesh:
1) Turpi të cilin e ka krijuar Allahu subhanehu ue teala tek të gjithë njerëzit, sikurse turpi i çdo njeriu nga zbulimi i avretit (pjesëve të turpshme) në mesin e njerëzve.
2) Turpi nga imani (besimi), i cili e ndalon njeriun të bëjë mëkate duke u frikësuar nga Allahu subhanehu ue teala. Ky lloj turpi arrihet duke u përpjekur dhe ky lloj është esenca e çdo të mire.

Për këtë shkak muslimanët janë obliguar që t’ua mësojnë vajzave të tyre turpin dhe ta marrin këtë moral, të cilën e ka zgjedhur Allahu subhanehu ue teala për këtë fe, sepse mospasja turp është shenjë e humbjes së imanit.
Transmeton Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Turpi dhe imani (besimi) janë bashkuar që të dy së bashku, nëse njëri prej tyre largohet, largohet edhe tjetri.”
Hakimi në Mustedrek 1/22 dhe ka thënë hadithi është sahih.

Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Turpi është prej imanit dhe imani të çon në xhenet, kurse paturpësia është prej mosbindjes (ndaj Allahut) dhe mosbindja të çon në zjarr.” Tirmidhiu 2010 dhe ka thënë hadithi është hasen-sahih.
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kam hyrë në shtëpinë ku është varrosur i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem dhe babai im (Ebu Bekri), kam hyrë e pambuluar dhe kam thënë se këtu janë burri im dhe babai im, mirëpo pasi është varrosur aty Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, vallahi nuk kam hyrë aty veçse me mbulesë nga turpi prej Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të.” Hakimi 4/7 dhe ka thënë: “Hadithi është sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit”.
Eroll Nesimi
12.9.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit