10.4 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Mbulesa është nënshtrim ndaj urdhrave të Allahut

Më të lexuarat

Besimtare e vërtetë dhe e devotshme është ajo femër e cila i nënshtrohet urdhrave të Allahut subhanehu ue teala dhe të të Dërguarit të Tij, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, dhe nuk shikon anash se çka do të thonë njerëzit për të. E, nuk i lejohet ndonjë besimtari apo besimtareje të shikojë ndonjë zgjidhje tjetër. Allahu subhanehu ue teala thotë: “Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i Dërguari i Tij, nuk i takon(nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetë.” (El Ahzab, 36)
Shejh Abdurrahman Es-Sadi (një prej komentuesve të Kuranit), kur e komenton ajetin e lartpërmendur, “nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje”, thotë: “Kjo nënkupton se një person i cili e ka quajtur veten besimtar apo thotë se ka iman në zemrën e tij, duhet të vrapojë drejt veprave të mira që e kënaqin Allahun subhanehu ue teala dhe të Dërguarin e Tij dhe të largohet nga veprat që e hidhërojnë Allahun subhanehu ue teala dhe të Dërguarin e Tij, t’i kryejë urdhrat e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij dhe të largohet nga ndalesat e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij.
E, nuk i takon një besimtari dhe besimtareje, “Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i Dërguari i Tij… që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare”, pra  që të shikojnë se a ta kryejnë atë urdhër apo jo. Çdo besimtar dhe besimtare e di se i Dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka më përparësi për të sesa edhe vetja e tij, prandaj mos ta bëjë epshin e tij pengesë mes tij dhe urdhrave të Allahut subhanehu ue teala dhe të të Dërguarit të Tij.
“E kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës”
, është larguar larg së vërtetës sepse ai është larguar nga rruga e vërtetë e cila të çon drejt mirësisë së Allahut subhanehu ue teala, është larguar nga kjo rrugë e vërtetë në një rrugë e cila të çon në një dënim të dhimbshëm (Tefsir Es-Sa’di f. 612).

Oj motër muslimane, a je prej atyre të cilat kanë dëshirë të shkojnë në xhenet, apo je prej atyre që me vetëdëshirë shkojnë në xhehenem? Nëse ia parashtron këtë pyetje secilës, do të të përgjigjet me fjalët: -Kush nuk ka dëshirë të hyjë në xhenet?!
Mirëpo dije se i Dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, në hadithin që transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Krejt umeti (populli) im do të hyjë në xhenet, përveç ata që nuk dëshirojnë.” I thanë të pranishmit: “E kush është ai i cili nuk dëshiron, o i Dërguar i Allahut?” I Dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, tha: “Ai i cili më nënshtrohet mua (urdhrave të mia), do të hyjë në xhenet, kurse ai i cili nuk i nënshtrohet urdhrave të mia, ka refuzuar (të hyjë në xhenet).” Buhariu 7280.
Oj motër muslimane, a nuk dëshiron të hysh në xhenet, a nuk dëshiron që të shpëtosh nga zjarri i xhehenemit? Ti me vetëdëshirë dëshiron të shkosh në xhehenem! A nuk e di se Allahu subhanehu ue teala të ka obliguar të mbulohesh me mbulesën islame?
Allahu subhanehu ue teala thotë: “Thuaju edhe besimtareve të ulin shikimin (nga të vështruarit e gjërave të ndaluara) dhe t’i mbrojnë vendet e trupit të tyre si dhe të mos i nxjerrin hapur zbukurimet e tyre përveç asaj që është e dukshme dhe të vënë shamitë mbi kraharorin e tyre, e të mos i shfaqin zbukurimet e tyre përveç ndaj bashkëshortëve të tyre, baballarëve të tyre, ose ndaj vjehrrave të tyre, ndaj bijve të tyre ose bijve të burrit, ndaj vëllezërve të tyre ose djemve të vëllezërve dhe djemve të motrave të tyre, ndaj grave (muslimane, motrave në Islam) ose robëreshave që i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbyesve të moshuar e të pamundur, ose fëmijëve të vegjël, që nuk u zgjohen ndjenja turpi nga të parët e gjinisë tjetër. Dhe të mos kërcasin me këmbë që të shfaqin çfarë fshehin nga stolitë e tyre. Dhe që të gjithë ju lutni Allahun që t’ju falë të gjithëve, o besimtarë, që të mund të jeni të fituar.” (En-Nur, 31)
“O Pejgamber! Thuaju bashkëshorteve të tua dhe bijave të tua edhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë vellon 
(mbulesën)e tyre mbi gjithë trupin e tyre. Kjo do të ishte më e mirë që ato të mund të dallohen (si gra të ndershme) që të mos i shqetësojë (e ngacmojë) askush. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i madh, gjithnjë Mëshirëplotë.” (El Ahzab, 59)
Është transmetuar nga Safijeh bint Shejbah, se Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Kur u shpallën fjalët: “dhe të lëshojnë vellot e tyre mbi xhujubihinna (mbi trupin, fytyrën, qafën dhe kraharorin e tyre), ato morën izarët (lloj i veshjes) e tyre dhe i grisën në këndet e tyre dhe mbuluan fytyrat e tyre me to.” Transmetuar nga Buhariu, 4481.
Transmetimi tjetër nga Ebu Davudi (4102): “Allahu i mëshiroftë gratë e muhaxhirëve. Kur Allahu shpalli fjalët: “dhe të lëshojnë vellot e tyre mbi xhujubihinna (mbi trupin, fytyrën, qafën dhe kraharorin e tyre),ato grisën pjesën më të trashë të aproneve (lloj i veshjes) së tyre dhe mbuluan fytyrat e tyre me to.”
A nuk e ke dëgjuar hadithin në të cilin i Dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, thotë: “Janë dy lloje njerëzish nga banorët e xhehenemit,të cilët unë nuk i njoh: njerëzit me kamxhik në dorë si bisht viçi, me të cilët rrahin popullin, dhe gratë me rroba të tejdukshme, me lëvizje trupi. Në kokë kanë diçka të ngjashme me kokën e devesë. Ky lloj nuk do të hyjë në xhenet dhe as që do të nuhasë erën e tij, edhe pse kjo erë mund të hetohet nga një largësi e madhe.” Muslimi.
Në këtë hadith, i Dërguari Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka cilësuar gratë të cilat dalin të zhveshura apo të veshura, mirëpo veshjen e kanë të tejdukshme, se nuk do të hynë në xhenet e as erën e xhenetit nuk do ta ndiejnë, edhe pse era e xhenetit ndihet nga largësi e madhe.
A dëshiron të jesh prej këtij grupi grash? A nuk ka ardhur koha që të pendohesh sinqerisht tek Allahu subhanehu ue teala dhe të mbulohesh me mbulesën islame?
Prandaj, i këshilloj të gjitha motrat muslimane që t’i nënshtrohen urdhrave të Allahut subhanehu ue teala dhe të Pejgamberit tonë, Muhamedit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, dhe të mos kërkojnë zgjidhje tjetër, nëse janë prej atyre që dëshirojnë xhenetin.
E lusim Allahun subhanehu ue teala që të na i falë mëkatet tona, të prindërve tanë dhe të gjithë besimtarëve dhe besimtareve deri në Ditën e Gjykimit.
Përgatiti:  Eroll Nesimi
9.5.2008

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit