Disa pjesëtarë të NATO-së kanë pësuar lëndime të rënda pasi që janë rrahur nga disa pjesëtarë të së ashtuquajturës Mbrojtje Civile Serbe, të martën në orët e vona, në një postbllok të KFOR-it, ka njoftuar burimi i gazetës “Koha Ditore” nga ky mision, me kusht të anonimitetit.
Sipas burimit, në këtë incident pjesëtarë të Mbrojtjes Civile Serbe, pas rrahjes së ushtarëve të NATO-së, atyre iu kanë demoluar edhe dy automjete.
Incidenti ka ndodhur në hyrje të fshatit Rudare të komunës së Zveçanit, pikërisht tek varrezat e këtij fshati dhe rruga që të shpie për në manastirin e Sokolicës. Burimi në tej ka shtuar se pjesëtarët e Mbrojtjes Civile Serbe dyshohet se në këtë incident kanë qenë të armatosur dhe se ata kanë qenë mbi 10 veta. Besohet se pjesëtarët e Mbrojtjes Civile, të cilët kanë marrë pjesë në rrahjen e ushtarëve të KFOR-it, kanë ardhur nga pika ku ata ruajnë, në fshatin Rudare.
Pas incidentit, në vend ngjarje kanë shkuar përforcime të KFOR-it, të cilat kanë larguar ushtarët e lënduar dhe automjetet e dëmtuara. KFOR-i për këtë incident nuk e ka njoftuar Policinë e Kosovës e as atë të EULEX-in, duke tentuar që incidenti të mos dalë në dritë.
Në anën tjetër, ditë më parë i ashtuquajturi kryetar i Komunës së Mitrovicës në veri, Krstimir Pantic, ka pranuar se ai është edhe komandant i kësaj organizate ilegale të Serbisë që vepron në Kosovë. Gjithashtu, ai ka theksuar se pjesëtarët e Mbrojtjes Civile Serbe duhet të armatosen dhe të mbrojë popullin serb si nga sulmet e shqiptarëve ashtu edhe të ndërkombëtarëve. /Telegrafi/