0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Mblidhet Këshilli i Gjuhës: Ja ndryshimet në standard

Më të lexuarat

Afrimi sa më shumë i gjuhës së folur me atë të shkruar, lehtësimi i saj për përdoruesit. Ky është qëllimi i Këshillit Ndërakademik për gjuhën shqipe, i cili në mbledhjen e radhës të zhvilluar para pak ditësh në Prishtinë, në mjediset e Qendrës Leksikografike- Enciklopedike të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ka dalë në disa përfundime të tjera në këtë drejtim. Ndryshimet e mundshme në standardin e gjuhës shqipe përbëjnë një nga temat më të ndjeshme ndër shqiptarë.

Ndarjet në “pro” dhe “kundër” ndryshimeve në standard kanë gjeneruar vazhdimisht debate, ndonjëherë edhe shterpe. Me debate janë shoqëruar edhe mbledhjet e fundit të Këshillit Ndërakademik, edhe pse ky i fundit mundet vetëm të bëjë propozime në lidhje me ndryshime apo saktësime, por jo të vendosë. Gjatë mbledhjes së fundit të zhvilluar në Prishtinë, është diskutuar mbi shumësin dhe kallëzoren e disa emrave, përdorimi i disa përemrave pronorë, disa forma foljore, etj., por janë theksuar edhe disa përdorime të gabuara, të cilat ndeshen rëndom në të folur e në të shkruar.

Sipas një njoftimi të dërguar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, mbledhja u mbajt nën drejtimin e akademik Rexhep Ismajlit dhe akademik Jani Thomait (bashkëkryetarë) me pjesëmarrjen e akademikëve Besim Bokshi, Et’hem Likaj, Gjovalin Shkurtaj, Kolec Topalli, prof. dr. Tomor Osmani, prof. dr. Seit Mansaku, prof dr. Imri Badallaj, prof. dr. Enver Hysa, prof. dr. Bardh Rugova, prof. dr. Shefkije Islamaj, prof. dr. Abdullah Zymberi.

Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë mbledhje, prof. dr. Franko Altimari dhe prof. dr. Mehmet Çeliku i kishin dërguar me shkrim diskutimet lidhur me materialet e dërguara paraprakisht. Mbledhja u mbajt sipas rendit të ditës të parashtruar më herët, ku pikë qendrore ishte diskutimi i materialeve të përgatitura nga komisionet për çështje të morfologjisë në Tiranë dhe në Prishtinë.

Komisionet kishin përmbledhur në dy materiale të ndara me detaje dhe lëndë ilustrimi pikat në rregullat ekzistuese të drejtshkrimit, për të cilat ka pasur diskutime në opinion ose ato për të cilat anëtarët e komisioneve e kanë gjykuar të nevojshme të diskutohet. Pasi u dëgjuan të gjitha diskutimet, këshilli arriti në disa përfundime, ndërkohë që për disa çështje u la të diskutohet në mbledhjen e radhës.

VENDIMET E KËSHILLIT NDËRAKADEMIK

1. Pas diskutimeve për format e shumësit të disa emrave të gjinisë mashkullore që mbarojnë me -i të theksuar të sanksionuar si shumësa me – nj, u arrit përfundimi të propozohet që këta shumësa të përfundojnë me -j. Këtu përfshihen rrjedhojat që në temë kanë një shumës të tillë;

2. U miratua propozimi që te foljet që pësojnë ndryshimin -t/-s të mbetet normative vetëm forma me -s;

3. U miratua propozimi që forma e rasës kallëzore të shquar tek emrat që mbarojnë me -ua: krua, kroi të rrafshohet sipas tipit të përgjithshëm të ndërtimit të këtyre formave të emrave mashkullorë, pra krua-kroi-kroin, ashtu si dhe trajta e kallëzores së shquar të emrave mashkullorë që dalin me -a ose -e të theksuar (again, babain, jubileun, atdheun);

4. U konsideruan si gabime prirjet në përdorim të formave të zhdrejta të përemrave pronorë të gjinisë femërore ime, jonë, jote dhe juaj si vajzës time, vajzës tonë, vajzës tënde, vajzës tuaj dhe kërkohet respektimi i normës ekzistuese, pra vajzës sime, vajzës sate, vajzës sonë, vajzës suaj;

5. Përdorimi i trajtave të lidhores pa formantin të (p.sh. do laj) konsiderohet shkelje e normës; formë e vetme e drejtë konsiderohet forma me të: do të laj;

6. Tek urdhërorja joveprore e foljeve të tipit kruaj, ruaj duhet të mbetet normative forma me -j (ruaju, kruaju), dhe jo me -h (kruhu, ruhu);

7. Rastet e tjera të sistemit emëror dhe foljor, të cilat mund të dalin me zgjidhje të veçanta mbetet të studiohen dhe të diskutohen në mbledhjen e radhës të Këshillit, bashkë me çështjen e përdorimit të shkronjës së madhe;

8. U arrit përfundimi që të mos mbështetet prirja për respektimin e ambigjinisë tek emrat shumës më -ra (fshatra të elektrizuara, ujëra të ftohta) dhe të konsiderohet si normative vetëm forma e gjinisë mashkullore (fshatra të elektrizuar, ujëra të ftohtë).

9. U vendos që në mbledhjen e radhës të këshillit të merren në shqyrtim çështjet e mbetura nga kjo mbledhje dhe nga mbledhja e kaluar, e që lidhen me drejtshkrimin dhe me morfologjinë, si dhe ato që do të propozojnë grupet e punës për çështje sintaksore./panorama

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit