0.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

MBI PATRIOTIZMIN, MANIPULIMIN DHE HARESËN

Më të lexuarat

Shkruan: Xhelal Neziri, Tetovë

Tregues i patriotizimit të një shoqërie është shkalla e zhvillimit të vendit, rajonit, komunës ose vendbanimit të po asaj shoqërie. Zhvillimi është indikatori kryesor, që dëshmon për nivelin e dashurisë ndaj vendit, por edhe ndaj kombit. Në shtetet-kombe dashuria ndaj shtetit është njëkohësisht dashuri ndaj kombit. Shteti dhe kombi janë një ose, me saktë, shteti nëpërmjet institucioneve e ka etabluar kombin. Në shtetet ku jetojnë më shumë bashkësi etnike, dashuria ndaj shtetit është e barabartë me dashurinë ndaj kombit në kuptimin politik. Në këto shtete indikator i patriotizimit zakonisht është dashuria ndaj rajoneve ku një etnikum është dominues ose dashuri ndaj kushtetutës së shtetit, që garanton barabarësinë dhe lirinë e të gjithëve.

Patriotizmi rajonal dhe kushtetues

Zvicra, Spanja, SHBA-të dhe vendet e tjera shumetnike zakonisht i kanë këto dy forma të patriotizmit – ndaj rajonit dhe kushtetutës. Duke mos arritur të krijohet një lidhje e fuqishme dhe e sinqertë midis kombit politik të Zvicrës dhe gjermanëve, italianëve ose francezëve etnikë që jetojnë aty, shkalla e patriotizmit është bartur në nivel të kantoneve. Gjatë ndërtimit të shtetit është nxitur një lloj gare në zhvillimin ekonomik ndërmjet këtyre rajoneve, gjë që ka bërë që ky lloj patriotizmi të jetë konstruktiv dhe frytdhënës, e jo përçarës dhe burim konfliktesh të përhershme.

Përveç Baskisë, edhe Katalonia në Spanjë, si një rajon me një bashkësi etnike kompakte, ende e mban të gjallë idenë e shkëputjes nga ky shtet. Por, kjo ide assesi nuk arrin ta marrë përkrahjen e mjaftueshme për t’u vënë në lëvizje. Vetëm 30 për qind e katalonasve e përkrahin idenë e pavarësisë nga Spanja, ndërkohë që shumica preferojnë të jetojnë brenda një çadre kushtetuese. Kjo nuk e bën më pak patriote atë shumicë që nuk e dëshiron shkëputjen. Në ballkonet e banesave dhe shtëpive të katalonasve valëvitet flamuri i Katalonisë, por sërish opsioni i ndarjes nuk merr përkrahje. Gjatë historisë ky rajon disa herë ka qenë i pavarur, i mbrojtur nga Franca dhe i pushtuar sërish nga Spanja. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë Katalonia arrin shkallën më të lartë të zhvillimit industrial. Pikërisht në këtë periudhë të rilindjes kulturore etablohet nacionalizmi katalonas, i cili përkohësisht do të shtypet nga diktatori spanjoll Franko, i cili kishte tentuar ta fshijë çdo gjurmë të tij. Pas rrëzimit të Frankos në vitin 1975, gjatë tranzicionit të Spanjës nga diktatura në demokraci, Katalonia fiton një autonomi kulturore dhe shndërrohet shpejt në rajonin më dinamik dhe më të zhvilluar të Spanjës.

Patriotizmi katalonas shpërthen si zhvillim ekonomik dhe socio-kulturor kundrejt rajoneve të tjera të Spanjës, i arritur nëpërmjet angazhimit të sinqertë të politikës, shtresave shoqërore ose qytetarëve në krijimin e një qeverisje të mirë me rajonin.

Ridefinimi i nocionit te shqiptarët

Historikisht, shqiptarët në Ballkan janë unikë kur bëhet fjalë për ndërtimin e kombit. Për dallim nga shtetet tjera, shqiptarët së pari e formojnë kombin, e pastaj shtetin në kufijtë e Shqipërisë aktuale. Derisa Shqipëria u formësua si shtet-komb, për shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni lidhja me shtetin nuk nënkupton edhe lidhjen me kombin në kuptimin kulturor.

Ajo që mbetet e përbashkët për të gjithë është paqartësia e indikatorit të patriotizmit të tyre. Çka është patriotizmi? Si rezulton ai te shqiptarët? Si duket çështja kombëtare? Çfarë është ajo? Cili është patriot e cili tradhtar?

Këto janë pyetje dhe dilema që paraqiten sa herë që dalin statistika nga Eurostat-i për numrin e shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet evropiane, e që është gati i njëjtë me personat që ikin nga vendet e luftës. Më shumë se një e treta e banorëve të Shqipërisë dhe Kosovës  jetojnë jashtë këtyre dy shteteve shqiptare. Edhe në Maqedoninë shumetnike kemi një situatë gati të njëjtë kur bëhet fjalë për shqiptarët.

Shqipëria dhe Kosova, njëjtë si Maqedonia, janë në fund të listës së vendeve në bazë të zhvillimit ekonomik, varfërisë dhe mungesës së perspektivës, por në krye të listave të vendeve me korrupsion të lartë. Institucionet e udhëhequra nga shqiptarët në këto tri shtete, në të shumtën e rasteve, janë sinonim i hajnisë, që pamundëson çfarëdolloj zhvillimi ekonomik apo socio-kulturor.

Sa më shumë rritet doza e patriotizmit te hapësira publike shqiptare, aq më shumë rritet edhe numri i shqiptarëve që ikin nga vendi i tyre. Rrjedhimisht imponohet pyetja logjike se çfarë prodhon patriotizmi shqiptar? Apo, cili është indikatori i përkufizimit të patriotit apo tradhtarit?

Në Maqedoni pritet të organizohen zgjedhje në një moment kur vendi është në një krizë të thellë politike. Partitë politike shqiptare sërish kanë filluar ta përdorin retorikën patriotike, duke qenë të sigurt se vetëm nëpërmjet nxitjes së sentimentit patriotik do të mund të mobilizojnë numër më të madh të votave. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vazhdon të thirret si trashëgimtare i UÇK-së, kurse në diskursin publik të funksionarëve të kësaj partie shpesh përdoret epiteti “komandant” për liderin e partisë Ali Ahmeti. Një diskurs patriotik hetohet edhe në paraqitjet publike të partisë tjetër parlamentare – Partia Demokratike Shqiptare (PDSH). Karta e patriotizmit duket se do të dominojë edhe në fushatën e këtyre zgjedhjeve parlamentare, të cilat u imponuan si të parakohshme për tejkalimin e krizës politike.

Edhe pas publikimit të përgjimeve ose të së ashtuquajturave “bomba të opozitës”, ku politikanë shqiptarë u shfaqën në role inferiore dhe nënçmuese përballë kryeministrit Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij, këto parti nuk kanë ndërmend ta ulin flamurin e rrejshëm të patriotizmit.

“Patriotët” e dekonspiruar të politikës shpresën e vetme për shpëtim nga gjyqi publik e kanë te harresa. Vetëm harresa kolektive mund t’u krijojë hapësirë për rikthimin e magjisë së manipulimit me sentimentet e elektoratit për t’ua marrë sërish besimin.

Andaj duket se më e nevojshme për shqiptarët, jo vetëm në Maqedoni, është ridefinimi i nocionit patriotizëm. Një politikan i korruptuar nuk mund të jetë njëkohësisht edhe patriot. Një politikan mund të quhet patriot nëse me punën e tij ka kontribuar për zhvillimin e vendit, rajonit, komunës ose të vendbanimit të tij.

Zhvillimi duhet të jetë indikatori i patriotizmit, ndërkohë që varfëria dhe prapambetja – tregues të tradhtisë. Gjithçka tjetër është vetëm manipulim i realitetit objektiv.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit