Së paku 30 ushtarë sirianë dhe 23 kryengritës rebelë janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit në Alepo, në përpjekje për të marrë kontrollin e një akademie ushtarake.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut po ashtu ka thënë se rebelët kanë hedhur poshtë një helikopter të qeverisë, në veri të qytetit.
Akademia ushtarake është njëri nga bastionet e fundit të regjimit, në perëndim të Alepos.
Nuk është ende e qartë nëse ndonjëra palë ka marrë kontrollin e plotë të saj, transmeton Rel.
Nga sulmet brenda Damaskut, të hënën kanë humbur jetën të paktën dy civilë, në mesin e tyre një vajzë e vogël.
Sipas aktivistëve, tetë viktima civile janë regjistruar edhe në provincën Idlib.
Që nga shpërthimi i konfliktit midis forcave qeveritare të Sirisë dhe kryengritësve rebelë, në mars të vitit 2011, Kombet e Bashkuara thonë se rreth 70,000 njerëz kanë humbur jetën.