-2 C
Pristina
Sunday, January 12, 2025

Maskarada ekologjike kundër xhamisë

Më të lexuarat

Nga: Besnik Sinani

Maskarada ekologjike kundër xhamisë

Njoftimi i ndërtimit të një xhamie të re në Tiranë, mbi njëzet vjet nga vënia e gurit të themelit, ka sjellë edhe ngritjen e zërave të kauzës së ruajtjes së pemëve dhe hapsirave publike. Dy prej tyre, Sazan Guri dhe Koloreto Cukali kanë marë hapa dhe kanë bërë thirrje për protesta kundër projektit. Të dy nuk mund të merren seriozisht.
Në Tiranë janë zënë pothuaj të gjitha hapsirat e gjelbërta dhe të tërë ne kemi qenë dëshmitarë, përfshi këta dy zotërinj. Pallate e restorante si kështjella (një prej këtyre restoranteve quhet literalisht ‘castelo’) kanë zënë shumë më tepër hapësira nga sa do përdoret për xhaminë, por z. Guri nuk merr fidanë e të nisë t’i mbjellë përballë këtyre restoranteve apo z. Cukali nuk bën thirrje të mblidhen njerëzia të protestojnë përballë pronarëve të pallateve e restoranteve mbrapa stadiumit – bie fjala. Ky shqetësim selektiv për pemët ka vetëm një shpjegim: myslimanët janë shenjestër e kollajtë dhe këta zotërinj dinë ku ta ngrenë zërin e protestës.
Ky alarm selektiv për disa pemë por jo për disa të tjera vjen së bashku me faktin se katedralja katolike u ndërtua në tokë të dhënë nga shteti, duke humbur një nga komplekset e fundit sportive të hapura për publikun, dhe katedralja ortodokse u ndërtua duke zënë parkun përgjatë Ministrisë së Mbrojtjes. Nuk pati asnjë lloj debati të ngjashëm me atë që po rrethon projektin e xhamisë në tokë të vetë. Për t’u habitur, edhe një shoqatë arkitektësh protestuan cilësinë arkitekturore të projektit, gjë që të bën të pyesësh ku kanë qenë këta zotërinj gjithë këto vite; a kanë parë ata c’është ndërtuar në Tiranë?
Ky pasion selektiv ekologjik ku myslimanët janë shenjestra e kollajtë shprehet me gjuhën e njohur të urrejtjes dhe paragjykimeve që është bërë normale në Shqipëri t’i mvishen besimtarëve myslimanë. Titulli i shkrimit të z. Cukali është “Bashkëjetesa e xhamisë me krimin.” Z. Cukali dhe më tej e quan ‘krim’ ndërtimin e xhamisë, ‘krim në emër të besimtarëve,’ ndërtimi i xhamisë ‘është demostrim force’, ca ‘besimtarë nuk janë qytetarë,’ ‘nuk u intereson interesi i qytetarëve’. Ka mjaftueshëm mllef për të mbushur kazanët e paragjykimeve të islamofobisë.
Nuk është e vërtetë ajo që thotë z. Cukali se besimtarët myslimanë nuk kanë treguar shqetësim përparkun, pemët apo edhe arkitekturën dhe kjo jo sot, por që kur u fol së pari për ndërtimin e xhamisë tek Namazgjaja – vetë emri i parkut e njeh si vendi për falje. Por z. Cukali, në emër të shqetësimit qytetar që ngre, nuk adreson faktin se besimtarët myslimanë falen jashtë cdo të premte e cdo Bajram, në të nxehtin e verës apo të ftohtin e dimrit dhe këta, vlen të kujtohet, janë qytetarë që kanë të drejtën e lirisë së praktikës fetare.
Duhet thënë se në prag të zgjedhjeve është edhe më shqetësuese se shpesh sulmet kundra xhamisë kanë ardhur nga organe të shtypit opozitar. Projekti i xhamisë, qysh nga njoftimi i parë nga ish-kreu i bashkisë, Edi Rama, e gjer tek inagurimi në prezencën e Berishës dhe Bashës së projektit aktual, kanë sjellë përplasjen e dy projekteve si pjesë e përplasjes politike dhe i ka dhënë nevojës së bashkësisë së besimtarëve myslimanë (edhe këta qytetarë të këtij vendi) një dimension të dëmshëm politik që ushqen më tej polarizimin fetar e politik. Kjo nuk është e shëndetshme.
Por për sa kohë që zërat që ngrihen kundër xhamisë nuk janë dëgjuar jo vetëm në prishjen e hapsirave ku u ndërtuan katedralet, por as që guxojnë të përballen me pronarët e lokaleve e pallateve të ndërtuara në parqe publike, atëherë gjuha e tyre kundër xhamisë është thjesht gjuhë e paragjykimeve anti-myslimane.
Marre nga: e-zani.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit