0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Marrëveshje për të përmirësuar marrëdhëniet myslimane në Beograd

Më të lexuarat

Marrëveshja do të lejojë që myslimanët të varrosen në përputhje të plotë me besimet e islamit.

Një marrëveshje e kohëve të fundit mes autoriteteve të Beogradit dhe komunitetit islamik të Serbisë do të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe respektit midis dy grupeve, thanë analistët.

Marrëveshja, e nënshkruar më herët këtë muaj mes Kryetarit të Bashkisë të Beogradit Dragan Gjilas dhe Myftiut të Serbisë Muhamed Jusufspahiç, i lejon myslimanët të varrosen në përputhje të plotë me zakonet e tyre.

Myslimanët kanë hapësirën të përbashkët varrimi me anëtarët e besimeve të tjera, gjë që pengon që varret të orientohen si duhet. Sipas besimit islam, varret duhet të jenë të orientuara në drejtim jugperëndim-verilindje, si dhe anën e djathtë të vdekurit duhet të jetë drejtimi i Mekës. Ngastrat e tokës të varrimit të krishterëve janë të orientuara në një drejtim lindje-perëndim.

“Ne kemi realizuar tre kërkesa të komunitetit islamik në çështjet e varrimit: Rreth 600 parcela të ndara, të ndërtuara në pajtim me islamin, me orientim jugperëndim-verilindje, makina të posaçme për transportin e të vdekurve nga faltorja në varrezë, pa ndonjë shenjë përcaktuese fetare, si dhe përgatitjen e një dhomë të veçantë në një varrezë lokale për përgatitjen e personit të vdekur për varrim”, tha për SETimes Ragan Baltovski, drejtor i kompanisë publike komunale të varrimeve.

Jusufspahiç tha se sigurimi i varrezave që të orientohen siç duhet është një çështje e lirisë themelore që shteti duhet ta sigurojë.

“Perëndia na ka dhënë lirinë, por ajo duhet të kryhet në mënyrë të barabartë”, tha Jusufspahiç për SETimes.

Ai shtoi se është i kënaqur me marrëveshjen dhe se ajo do të përmirësojë marrëdhëniet e brendshme, dhe “do të bëjë [Serbinë] më të bukur se ç’është në këtë moment”.

Myslimanët në disa vende fqinje, ku janë pakicë fetare, kanë probleme të ngjashme.

Në Mal të Zi, ka vende të veçanta varrimi dhe faltore për përgatitjen e të vdekurit në Podgoricë. Varrezat në Budva, Kotor, Herceg Novi dhe Tivar nuk kanë ngastra toke të veçanta, dhe shumë myslimanë nga këto zona varrosen në Podgoricë.

“Edhe kafshët shtëpiake kanë të drejtë për një lamtumirë dinjitoze nga kjo botë, por nuk është kështu me myslimanët në disa bashki në Malin e Zi, sepse ata trajtohen më të keq prej tyre”, tha për SETimes imami i madh për Podgoricën dhe Nikshiçin, Xhemo ef. Rexhematoviç. “Duke pasur parasysh se varrimi është një çështje shumë e rëndësishme për ne, Meshihati ynë [komuniteti islamik] ka kritikuar kryetarët e qyteteve ku myslimanët nuk kanë varreza të veçanta”.

Rexhematoviç gjithashtu tha se marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe komunitetit islamik në Mal të Zi rregullohen me kushtetutë dhe një marrëveshje e nënshkruar këtë vit nga kryeministri Igor Luksiç dhe Reis Rifat Fejziç ka ndihmuar shumë në stabilizimin e marrëdhënieve sepse u zgjidhën shumë çështje të lirisë personale dhe fetare.

Në Maqedoni, ku myslimanët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë, Jakup Selimovski, përfaqësues i komunitetit fetar islamik, tha se myslimanët janë pjesë e popullsisë vendase të vendit. Varrimi mysliman në Maqedoni ishte plotësisht në përputhje me rregullat e islamit që nga koha e shtetit osman.

“Myslimanët kanë varrezat e tyre, në shumicën e rasteve në parcela krejtësisht të veçanta, dhe në më pak raste kanë parcela të ndara në varre të përbashkëta”, tha Selimovski për SETimes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit