Një marrëveshje për armpushim është nënshkruar nga palët ndërluftuese në Sudanin e Jugut.
Qeveria e Sudanit të Jugut dhe përfaqësuesit e opozitës nënshkruan dy marrëveshje dje në kryeqytetin etiopian Adis Abeba. Marrëveshja e parë flet për një ndalim të menjëhershëm të veprimeve ushtarake dhe një marrëveshje e dytë përqëndrohet tek lirimi i 11 të burgosurve politikë që mbahen nga autoritetet që nga fillimi i konfliktit në mes të dhjetorit.
Bisedimet e paqes të udhëhequra nga Blloku Afrikano-Lindor IGAD filluan herët në dhjetor. Ndërmjetësuesi kryesor Seyoum Mesfin tha se duhen marrë një numër hapash nga të dyja palët tani që marrëveshjet janë nënshkruar.
“Së pari, duhen zbatuar marrëveshjet që u nënshkruan me vullnet të mirë dhe angazhim të plotë. Së dyti, duhet të fillojë puna për rehabilitim dhe mbështetjen e qindra mijëra të zhvendosurve brenda vendit dhe refugjatëve. Së treti, së shpejti duhet të hapim dialogun politik drejt një ripajtimi të përgjithshëm kombëtar”.
Armpushimi kërkon nga forcat qeveritare dhe ato opozitare të mos lëvizin nga zonat ku ndodhen. Trupat ugandase që mbështesin qeverinë e Sudanit të Jugut duhet të largohen nga të gjitha skenat e luftimeve brenda 24 orësh.
Marrëveshja mbi çështjen e 11 të ndaluarve nuk flet për datën e lirimit./bs/kohaislame