Një zëdhënës i Hamasit ka thënë se palestinezet e Rripit të Gazës dhe Izraeli kanë arritur një marrëveshje për armëpushim, të ndërmjetësuar nga Egjipti.
Konfirmim për marrëveshjen e tillë nuk ka dhënë Izraeli.
Zyrtari i Hamasit, Ayman Taha tha se armëpushimi do të hyjë në fuqi në mesnatë, sipas kohës lokale.
Presidenti i Egjipitit Mohammed Morsi tha se beson se përpjekjet për të arritur armëpushimin mes palestinezëve dhe izraelitëve do të prodhojnë rezultat pozitiv të martën në mbrëmje.
Në Jerusalem, kryeminsitri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se vendi i tij do të jetë partner në zgjidhjen afatgjate të krizës së Gazës.
Por, ai paralajmëroi, se Izraeli do të vazhdojë ta mbrojë veten, nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje ndaj raketave palestineze.
“Nëse gjindet ndonjë zgjidhje afatgjatë përmes mjeteve diplomatike, atëherë Izraeli do të jetë partner i gatshëm për një zgjidhje të tillë. Por, nëse veprimet e fuqishme ushtarake dëshmohen të domosdoshme për të ndalur hedhjen konstante të raketave, Izraeli nuk do të hezitojë që të bëjë çkado që është e nevojshme për të mbrojtur popullin e vet”, tha Netanyahu.
Ai i bëri këto komente pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki- moon. Shefi i OKB-së gjendet në rajon në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare diplomatike, për të çuar drejt fundit luftimet mes Izraelit dhe Hamasit.
Ban dënoi sulmet me raketa të Hamasit, por, i kërkoi Izraelit që të tregojë “përmbajtje maksimale” dhe tërhoqi vërejtjen kundër ndonjë operacioni të mundshëm tokësor.
“Derisa raketat e Izraelit mund të kenë në shënjestër caqet ushtarake brenda Gazës, ato kanë vrarë dhe lënduar civilë dhe kanë dëmtuar infrastrukturën civile. Humbja e jetëve të njerëzve është e papranueshme, nën çfarëdo rrethnane që të bëhet. Përdorimi i tepruar i forcës është i paligjshëm dhe duhet të refuzohet”, tha Ban.
Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton pritet të aterojë në Izrael të martën në mbrëmje në përpjekje për të arritur armëpushimin.
Ndërkohë, shefi i Ligës Arabe, Nabil al-Arabi ka kaluar në Gazë të martën për të treguar solidaritetin me Hamasin.
Më shumë se 110 palestinezë dhe tre izraelitë janë varrë në dhunën njëjavore mes Izraelit dhe palestinezëve.(a.i.)/rel