Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme është kompetente për zbatimin e Marrëveshjes për Targat.
“Jam në bisedime, nuk kam kohë. Bisedoni me Ministrinë e Brendshme, ata janë kompetentë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Pavarësisht kësaj, i pyetur se pse nuk janë gati letërngjitëset dhe kur priten të jenë gati ato, Driton Gashi, sekretar në MPB, duke mos saktësuar ka thënë se për çështje të tilla duhet drejtuar te ministrja për Dialog.
“Për tema të cilat kanë të bëjnë me dialogun, ju lutem drejtohuni tek ministrja për Dialog”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Mirëpo, para pak ditësh ministrja Tahiri pati thënë se pikërisht MPB-ja është ajo e cila duhet ta finalizojë këtë proces.
“Ministria e Brendshme është ajo e cila është zbatuese e marrëveshjes dhe e cila i realizon procedurat e prodhimit të letërngjitësve. Ne po presim prej tyre njoftimet gjatë kësaj jave, të shohim dhe ua bëjmë me dije”, ishte shprehur ajo ditë më parë për “Zërin”.