2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Marrëveshja, ne dhe e ardhmja!?

Më të lexuarat

Duke shfletuar një libër historie rastësisht hasa në një paragraf që u mu duk i ngjashëm me situatën tonë dhe u bë si shkas për të shkruar atë që do të shkruaj në vazhdim.

Paragrafi ka të bëjë me një thënie me të cilën disa gra u ishin drejtuar ushtrisë humbëse, të cilët mundoheshin të gjenin një fajtor për humbjen e tyre duke u thënë: “Mos qani si gra për atë që s’keni mundur ta mbroni si burra të vërtetë”.

Ditë më parë u nënshkrua nga dy kryeministrat, Thaçi e Daqiç, një marrëveshje me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton që u miratua nga dy parlamentet e dy shteteve: Kosovës dhe Serbisë. Fill pas kësaj marrëveshje filluan ankesat dhe vajtimet në mesin tonë duke u munduar t’i vëmë fajin njëri-tjetrit për gabimin eventual ose për tradhti.

Mirëpo, le të ndalemi për një çast dhe të mendojmë.

Se marrëveshja nuk është plotësisht ideale këtë duket se e kanë të qartë thuajse të gjithë, madje edhe ata më të vegjlit. Por, të jemi të sinqertë: e gjithë kjo marrëveshje nuk është asgjë më tepër se sa rezultati i gjithë punës sonë si shoqëri që kemi bërë për këto 14 vitet e fundit. Le të ndalemi e të mendojmë se çfarë bëmë ne këto 14 vite për të forcuar vendin tonë; çfarë bënë qeveritë tona për të zhvilluar vendin këto 14 vitet e fundit; çfarë bëri Akademi e Shkencave e Kosovës këto 14 vite që të ofronte një zgjidhje më të mirë për ne, duke rikujtuar këtu se Akademia e Shkencave Serbe prodhoi dy projekte strategjike në relacion me Kosovën gjatë po të njëjtës periudhë; çfarë bënë profesorët tonë për të arritur një marrëveshje më të mirë; çfarë bënë mjekët tanë këto 14 vitet e fundit që mjekësia Kosovare të jetë në një gjendje më të mirë.

Për të qenë më i qartë në atë që dua ta them, le të japim një pasqyrë të shkurtër të gjendjes sonë në këto 14 vitet e fundit të pasluftës. Le të fillojmë nga gjykatat si shtylla e katërt e shtetit, të cilat s’ka dyshim se në mesin e popullatës nuk gëzojnë ndonjë besim të theksuar, ku pothuaj se shumica dërrmuese e popullatës është e bindur se nuk mund të ketë një gjykim të drejt e fer në Republikën e Kosovës. Për 14 vite kjo situatë nuk ka ndërruar të themi aspak. Përveç ndonjë ndërrimi të ndonjë personi, asgjë e rëndësishme që do t’i sillte një fije shprese këtij mileti nuk ndodhi.

Në anën tjetër, ekonomia e Kosovës me gjithë lëvdatat që ka marrë kohëve të fundit mbetet ende e brishtë e jo stabile, madje shumë pak përkrahëse dhe nxitëse për prodhuesit vendor dhe investitorët e huaj.

Kurse për arsimimin më mirë mos të flasim fare: këtu përveç ndërtimit të disa objekteve gjatë qeverisjes së fundit nuk ka ndryshuar asgjë. Madje, lirisht mund të themi arsimi është njëra nga fushat më të dobëta në këto 14 vitet e fundit në Republikën e Kosovës. E, për të pasqyruar këtë gjendje të mjerë mjafton të cekim faktin se në shtetin tonë kemi student universitar të cilit ende hasin në pengesa të mëdha në shkrim-lexim të gjuhës së tyre amtare, pa përmendur këtu blerjen e diplomave dhe pranimet me para në universitete.

E gjithsesi, ëmbëlsira lihet për ne fund: fusha e mjekësisë. Ne qe 14 vite kemi një mjekësi katastrofale, me spitale përplot me baktere e kundërmim të WC-ve, me mjek zhvatës të cilët shkojnë në spital sikur për të dalë në gjah për të gjetur një viktimë të radhës që do ta rrjepin deri në fund, e të cilit në anën tjetër pa vetëdije po mbrohen edhe sot për keqpërdorimet e tyre nga Presidentja e vendit duke mos e nënshkruar në këtë mënyrë ligjin për shëndetësinë, duke i mbrojtur kështu të drejtat njerëzore të mjekëve, e duke i shkelur të drejtat e shumicës së popullatës kosovare.

Pas gjithë kësaj marrëveshja duket se është produkti i asaj se çfarë ne kemi punuar deri me sot. Thënë sinqerisht dhe pa dorëza, me çfarë do t’i “lakmonim” e bindnim ne serbët e veriut që të na pranonin? Mos vallë me një ekonomi të fortë? Me gjykata të drejta jo, me arsimim cilësor jo, me mjekësi e spitale të forta jo, me një administratë të fortë e të pa korruptuar komunale assesi se jo, jo dhe vetëm jo. Andaj edhe kjo marrëveshje është personifikim i mëkateve tona që këto 14 vite ia bëmë vetës, Zotit dhe shtetit tonë.

Kosova u bë një fëmijë i llastuar që nuk u mësua të ecë vetë në këmbët e saj duke u bërë kështu e varur gjithnjë për kraharor të mbikëqyrësve të saj, që ata gjithmonë ta mbajnë atë.

Thuhet nga të vjetërit se shumë qytete të bukura u ndërtuan pas tërmeteve të forta që i goditën ato. Le të jetë kjo marrëveshje për ne një tërmet që të ndërtojmë një Kosovë të re e të pastër. Nëse e shikojmë nga ky këndvështrim, marrëveshja është favorizuese për ne – ajo është si një pikë kthese që do të duhej të na vetëdijesonte, apo si një shuplakë që të kthjellë kur t’i humb gjykimin tënd të drejtë. Nga ky kënd marrëveshja duhet të shihet si një shans i dytë për ne që të përmirësojmë gabimet tona për një periudhë jo të gjatë kohore.

Me këtë dua tu përgjigjem gjithë atyre skeptikëve që thonë se Mitrovica është e humbur: Mitrovica nuk është e humbur, atë mund ta kthejmë nëse e kthejmë veten duke ndërtuar një ekonomi stabile për vendin, një gjykatë të pa korruptuar, arsimim cilësor dhe mjekësi dinjitoze… sepse vetëm kështu do ta kthenim Mitrovicën nën ombrellën tonë.

Është shumë e thjeshtë, është si ajo përralla me tre qengjat dhe ujkun që ua rrëzonte shtëpitë: ata ndërtuan një prej kashte e ai ua rrëzoj, ndërtuan një prej druri e ai ua rrëzoi, e në fund ndërtuan një prej tullave dhe ai nuk arriti ta rrëzonte dot. Shumë do thoshin se është vështirë e realizueshme kjo që po them e ndoshta edhe fantazi. Por ja: e tëra ajo çfarë nevojitet është zbatimi i detyrave dhe respektimi i vendi të punës nga secili nga ne – prej ati zyrtarit më të lartë shtetëror deri te më i vogli, sepse patriotizëm nuk është vetëm fjalë e ngritje zëri, por patriotizëm është të zbatosh dhe të respektosh me përpikëri vendin e punës që të është besuar ty si individ, duke eliminuar nepotizmin,,militantizmin dhe korrupsionin nga jeta jonë e përditshme.

E gjithë kjo është e mundur. Mjafton t’i hedhim një sy dy shteteve tona mike si Kroacia dhe Turqia, që për një periudhë të shkurtër e arritën të këndellin vetën e tyre.

Me nënshkrimin e marrëveshjes Kosova fitoi MSA-në. Të shpresojmë që së shpejti të jemi edhe pjesë e BE-së. Por, ç’na duhet kjo nëse do t’i përngjanim disa shteteve evropiane si Rumunia e Bullgaria, për të cilat futja në BE nuk ndryshoi shumë në përmirësimin e shtetit të tyre, përveç marrjes së disa pakove ndihmëse nga BE-ja. Të mos synojmë të jemi një shtet që do të jetonte në lëmoshë, por të mundohemi të jemi një shtet dinjitoz evropian, duke e pranuar fajin për gjendjen që jemi dhe se atë nuk e ka vetëm kjo qeveri. Po aq fajtorë janë edhe qeveritë e kaluara dhe po aq fajtorë jemi edhe ne vetë.

E për fund, për të kaluar këtë gjendje që të mos na përsëritet më, është detyrë e Akademisë së Shkencave të Kosovës, është detyrë e intelektualeve të Kosovës që në të ardhmen t’i kapen punës e të hartojnë një strategji për të ardhmen e vendit në pesë deri 10 vitet e ardhshme. Është detyrë e qeverisë dhe qeverive të ardhshme ta shqyrtojnë dhe ta vënë në zbatim një strategji të tillë, dhe është detyrë për në si qytetarë të punojmë dhe të harxhojmë të gjitha energjitë dhe potencialin tonë që ta zbatojmë dhe ta realizojmë atë.

Fejsal Spahiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit