Marrëveshja për bashkëqeverisje, e arritur në mes të partnerëve të koalicionit PDK-LDK me Listën Serbe ku parashihet që brenda 3-5 muaj të krijohet Asociacioni i komunave serbe nuk mund të zbatohet derisa pala serbe nuk zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Pavarësisht faktit që kanë kaluar më shumë se tre muaj prej se është themeluar Qeveria e re, zyrtarë të ekzekutivit ia kanë bërë të qartë përfaqësuesve të Listës Serbe se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të krijohet vetëm atëherë kur të ndodhë zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel, sikurse për çështjen e drejtësisë, shuarjen e strukturave paralele serbe, të cilat veprojnë në pjesën veriore të Kosovës dhe shumë marrëveshje tjera të arritura, shkruan “Zëri”.
“Çështja e Asociacionit të komunave serbe duhet të presë derisa të nisë implementimi i Marrëveshjes së 19 prillit, që është arritur në Bruksel në vitin 2013”, ka thënë ministrja pa portofol, Edita Tahiri. /Zëri/