1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Marrëdhëniet SHBA-Rusi thuajse të bllokuara

Më të lexuarat

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për momentin kanë kaluar në plan të dytë për shkak të krizës në Lindjen e Mesme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, André de Nesnera i hedh një vështrim gjendjes së marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës, ndërsa Presidenti Barack Obama përgatitet për mandatin e tij të dytë.

Përmirësimi i marrëdhënieve me Moskën për presidentin Obama është një gurrëthemel i politikës së tij të jashtme. Gjatë 4 vjetëve të fundit, i ashtuquajturi “rifillim” në marrëdhëniet dy palëshe solli një marrëveshje të rëndësishme për kontrollin e armëve dhe shtim të bashkëpunimit në çështje si Afganistani dhe Irani.

Në të njëjtën kohë, analistët thonë se ende ekzistojnë disa mosmarrëveshje të rëndësishme si për shembull si të zgjidhet kriza në Siri dhe çështja e mbrojtjes nga raketat, që është mbështetur nga administrata Obama.

Stephen Jones, ekspert i çështjeve ruse në kolegjin Mount Holyoke në Masaçusets, thotë se në qarqet e qeverisë ruse ekziston një farë ndjenje lehtësimi që zoti Obama fitoi përsëri zgjedhjet.

“Duket se zoti Obama ishte presidenti i mbështetur nga Rusia sepse rusët mendojnë se mund të punojnë me të. Ata e njohin atë dhe e kanë më të lehtë të punojnë me të se sa të fillojnë të njihen me dikë tjetër”.

Robert Legvold i Universitetit Columbia në qytetin e Nju Jorkut dhe analistë të tjerë nuk mendojnë se presidenti rus Vladimir Putin donte që Mitt Romney, i cili e cilësoi Rusinë si “armikun gjeopolitik numër 1,” të Uashingtonit, të zgjidhej president i Shteteve të Bashkuara.

“Ka disa njerëz në Rusi, që janë më cinikë rreth këtyre gjërave, që argumentojnë se një president amerikan më konservator do të ishte në favor të tij sepse do të mund të bënte argumentin e imazhit të një armiku më të madh, që mund ta përdorë për të justifikuar si politikat e brendshme ashtu edhe ato të jashtme. Por unë mendoj se ky është një karakterizim i gabuar i zotit Putin”.

Profesori Legvold thotë se vazhdimësia e politikës amerikane ndaj Moskës është shumë e rëndësishme për zyrtarët rusë.

“Sepse në këtë moment, rusët duan të parashikojnë zhvillimet ndërkombëtare sa më shumë që të jetë e mundur, ndërkohë që përballen me probleme të brendshme. Dhe me që ka shumë pasiguri në disa pjesë të botës, si jugu islamik dhe kudo në jug të ish Bashkimit Sovjetik, vazhdimi i marrëdhënieve me vende kyçe si Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Bashkimi Evropian, është diçka shumë e rëndësishme për ta”.

Disa analistë ngrenë pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara do t’u japin energji marrëdhënieve me Rusinë siç ndodhi gjatë mandatit të parë të zotit Obama. Profesori i Universitetit Columbia, Robert Legvold e përshkruan gjendjen e marrëdhënieve SHBA-Rusi si të “paparashikueshme.”

“Që zhvillimet në marrëdhëniet dypalëpshe të shkojnë mirë, do të kërkohet vemendje dhe iniciativa. Dhe nëse kjo nuk bëhet, marrëdhëniet SHBA-Rusi mund të pësojnë zbrapsje madje edhe të acarohen nga ngjarje të paprashikueshme”.

Analistët mendojnë se një gjë është e sigurtë: marrëdhëniet SHBA-Rusi janë përmirësuar aq shumë gjatë 20 vjetëve të fundit, saqë ata thonë se rikthimi në ditët e Luftës së Ftohtë të mbushura plot tensione, është thuajse i pamundur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit